E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuraja e gazetës “TemA”

Nga LSDI*, Liria e Shtypit, e Drejta për Informim

Raportet tronditëse dhe dramatike mes medies dhe politikës në Shqipëri pasqyrohen qartë në një artikull me titull “Variacione mbi Temën” të botuar tek Osservatorio dei Balcani. Është një artikull interesant, edhe sepse dëshmon kurajën e një grupi gazetarësh, të cilët, edhe pse u bënë shënjestra e qeverisë - aq sa u përzunë fizikisht nga ndërtesa ku ndodhej redaksia e tyre në Tiranë - u sistemuan si mundën në një ambient, vetëm për të mos braktisur një fushatë të guximshme hetimesh gazetareske mbi çështjet më tronditëse që përfshijnë kryeministrin, Sali Berisha.

“Mes medies dhe politikës në Shqipëri nuk ka marrëdhënie të mira, - thuhet në shkrim, - Konflikti që karakterizon shoqërinë shqiptare që nga rënia e regjimit të kaluar, herë pas here nxjerr kokën. Rasti i fundit ka të bëjë me gazetën “TemA”, një e përditshme në Tiranë, dhe drejtorin dhe botuesin e saj, Mero Baze.

“TemA” është një gazetë e djathtë, tradicionalisht simpatizuese dhe besnike e Partisë Demokratike dhe në mënyrë të veçantë e lidhur me kryeministrin aktual, Sali Berisha. Por, kohët e fundit, gazeta dhe drejtori i saj, Mero Baze, u duk se ndryshuan rrënjësisht mendim, duke u përfshirë në një fushatë hetimi gazetaresk mbi çështjet më të sikletshme, të cilat përfshinin kryeministrin, mes të cilave procesi i shpërthimit të armëve në Gërdec, marsin e shkuar, i zhvilluar në mungesë të plotë transparence, përfshirja dhe mbrojtja pa kushte që kryeministri i ofroi Damir Fazlliçit, biznesmen serbo-boshnjak i dyshuar për aktivitete të jashtëligjshme në Shqipëri; dhe korrupsioni në projektin më të madh aktual të qeverisë, autostrada Durrës-Kukës.”

LSDI* - Liria e Shtypit, e Drejta për Informim - është një grup pune i formuar nga një grup miqsh, të cilët punojnë në poste të ndryshme në fushën e informacionit, si dhe pjesërisht nga FNSI (Federata Kombëtare e Shtypit, Sindikata e Gazetarëve italianë).

Objektivi është të bashkojë në një “hapësirë” të vetme mendime, analiza e debate në lidhje me temat e informimit, si dhe të ndërtojë një laborator të profesionit të gazetarisë në kohët e sotme, në përpjekje për t’i dhënë shpirt utopisë së gazetarisë profesioniste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›