E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri ndihmon gazetën “New York Times” me shembuj

Nga Antena brenda familjes

Kryeministri, Sali Berisha, është ndalur dhe ka biseduar edhe me analistin e famshëm amerikan, Fareed Zakaria. Kryeministri Berisha e ka cilësuar “babëzinë e njeriut” si një nga shkaqet themelore të kësaj krize të paprecedent që ka kapluar botën.

Kjo gjë e tronditi shumë Zakarian. Njeriu që iu ka dhënë shpjegime shumë zhvillimeve në botë, shtangu kur dëgjoi një arsyetim të thjeshtë nga kryeministri, Sali Berisha.

- A keni ndonjë rast nga Shqipëria, apo keni studiuar gjithë fatkeqësitë në botë? - e pyeti Zakaria.

- Kemi dhe nga Shqipëria, por më shumë kemi nga bota.

- Qenka interesante, - tha Zakaria. - Më jep disa shembuj nga Shqipëria, se më duhen ndoshta të bëj një analizë për këtë shkak që thoni ju. Këtë tezë e ka pas hedhur i pari Marksi te “Kapitali”, - tha Zakaria, -por nuk gjeti shumë mbështetje, pasi shteti ligjor dhe rregullat në shoqëri e kanë frenuar prej shekujsh këtë ves. Po megjithatë do isha kurioz të shikoja disa shkaqe nga Shqipëria.

- T’i jap unë, - i tha Berisha. - Më prit veç pesë minuta dhe m’i sjellin nga Tirana.

U çua, doli pak më tutje dhe mori Flamurin.

- Dua urgjent disa raste tipike, - tha, - ku babëzia e njeriut ka qenë shkak për krizat e paprecedenta që kemi kaluar.

- Përse të duhen? - i tha Flamuri.

- Kam këtu Zakarian. Është analist i madh. Dua t’i shpjegoj që gjithë problemet na kanë ardhur nga babëzia e njeriut. Është dakord, do vetëm disa raste për t’i ilustruar.

- Po pse s’thua ti që na paske shpëtuar, - i tha Flamuri. - T’i nis unë menjëherë.

Pas pak, në faksin e hotelit mbërritën shembujt e Flamurit.

Rasti i parë kur babëzia e njeriut bëhet shkak për krizën është rruga Durrës- Kukës. Siç dihet, rruga është 130 km. 70 km të kësaj rruge kushtojnë 130 milionë euro, kurse 60 km të saj kushtuan 1 miliard e 300 milionë euro, pra dhjetë herë më shumë. Shkak është babëzia e njeriut. I thamë Lul Bashës atëherë, të presim sa të bëhet projekti dhe gjashtë muaj dhe nuk na e hedh dot njeri. Bëri sikur nuk dëgjoi. “Kam folur me BB, - tha, - dhe do të na japin ata pará.” Kur erdhi një grua nga BB, e hodhi poshtë projektin. Atëherë ti e quajte armike e madhe e rrugës dhe thirre “plakun” nga Turqia. Erdhi plaku i shkretë, ia tregove hallin. I the: Si mund ta bëjmë rrugën për në Kosovë?

- Nga Shkodra, - tha plaku, - pastaj u fusim një rrugë buzë Drinit, se është dhe e bukur, dhe bëhet shumë mirë. Shkon pak shtrenjtë, nja 150 milionë euro.

- Jo, - i the ti. - Ne e duam këtej mes maleve. Na e bën dot me 1 miliard e 300 milionë.

- E kuptova, - tha plaku. - Thashë se donit rrugë, ju dashkeni pará. Ua bën plaku, mos kini merak. Vetëm thoni që rrugën po e bëjnë amerikanët. Paratë i keni tek unë. Të vazhdojë puna.

Që atëherë nuk na janë ndarë akuzat dhe fatkeqësia e paparë na ka rënë mbi kokë. Lulin e thërrasin çdo muaj në gjykatë. As Fatmira nuk e shpëtoi dot, që është një nga gjyqtaret më të shkolluara të historisë së drejtësisë sonë.

Rasti i dytë është ai i Gërdecit. Tre njerëz po vuajnë në burg, ndërkohë që Zeni, Rrahmani dhe Mediu po vuajnë jashtë burgut. Dhe përse? Thjesht nga babëzia. Iu tek atij Delijorgjit t’i merrte gjithë punët vetë. Mori skrapin, pastaj barutin, pastaj fishekët kinezë. I trazoi fishekët që shkonin për shkrirje me ata që shkonin për shitje. Mori dhe biznesin e Kosta Trebickës. E zboi dhe atë nga biznesi. Zeni i shkretë punonte natë e ditë. Sakrifikoi dhe burrin e tezes për këtë punë. Nuk ia tregoi askujt, veç tezes dhe mamasë. Dhe në fund askush nuk ia dinte për nder. Kur shpërtheu depoja, të gjithë thoshin, shpërtheu fabrika e Zenit në Vorë. Turp i madh. Dhe mendoj se kjo vjen nga babëzia.

E treta që mendoj, që është dhe më klasike, është rasti i Fazlliçit. Erdhi njeriu i shkretë nga Bosnja me shpresa të mëdha te demokracia jonë. Sapo morëm pushtetin, javën e parë hapi tri firma. I kishin tepruar nja një milion euro nga fushata e PD që nuk ia dha atij tetovarit, që gjoja do t’ia jepte. Iu fut punës të bënte lekë. I dha autorizime të plota Argitës t’i regjistronte prona, t’i çregjistronte, t’i blinte, t’i shiste, të tërhiqte lekët nga llogaria e tij private, d.m.th., gjithçka. Dhe çfarë s’bëri për tri vjet. Bleu toka në vendet ku do bëhen parqe energjitike, u mor me naftë, me lojëra fati, me gjithçka. Por mbi të gjitha u mor me problemin tonë kryesor. Me energjinë elektrike. Që nga viti 2006 e nisi si sekser pranë KESH dhe më 2007 me kompaninë e tij RUDNAP bëri namin. Nja 100 milionë euro vetëm korrent na ka shitur. Tani, babëzia njerëzore është bërë shkak për krizën e tij me qeverinë, pasi njerëzit kanë smirë, pse ai ka fituar kaq shumë dhe e kanë denoncuar. Ne i kemi dalë zot, por prokuroria po heton.

Unë them se këto tri raste mjaftojnë për t’i ilustruar Zakarias, atë që i ke thënë që babëzia njerëzore është shkaku i gjithë fatkeqësive që po godasin botën. Po e hëngri, ai mund të bëjë një shkrim në “New York Times” dhe mund të na shpëtojë. Se dukemi dhe të fituar. Ti vërtet i ke thënë letër higjienike, por ai po arriti të shpjegojë që në këto tri raste nuk kemi faj ne, po babëzia njerëzore, ajo gazetë e ka larë gabimin.

Po pres me padurim përgjigjen e tij.

Flamuri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›