E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim dhëndrit të Berishës për skandalin me projektin e Bankës Botërore në bregdetin e jugut*

Nga Besar Likmeta dhe Gjergj Erebara, Balkan Insight

Një projekt i Bankës Botërore (BB) i parashikuar për të mbrojtur zonën bregdetare shqiptare u përdor për prishjen selektive të pjesëve të një fshati në jug të Shqipërisë duke lënë shumë familje pa strehë, sipas një raporti të brendshëm, i cili thekson dyshimet për korrupsion dhe përpjekjet e zyrtarëve të BB për të fshehur ngjarjen.

Një raport i brendshëm i International Development Association, IDA, i siguruar nga Balkan Insight, tregon që një projekt i BB në zonën bregdetare në jug të Shqipërisë ndihmoi për shkatërrimin e ndërtimeve pa leje në fshatin Jalë, pa respektuar politikën e BB për zhvendosjen me forcë.

Hetimet e një inspektimi zbuluan se menaxhimi i BB nuk përputhej me politikat e saj në lidhje me dizajnin, vlerën dhe implementimin e projektit, duke dëmtuar banorët vendas. Inspektimi zbuloi gjithashtu se BB asistoi në shkatërrim duke i bërë presion policisë ndërtimore lokale të vepronte duke i pajisur me mjete dhe foto satelitore.

Përveç mospërputhjes së projektit me politikat e BB, hetuesit theksuan edhe dyshimet për korrupsion dhe ankesat se shkatërrimi i ndërtimeve të Jalës ishte pjesë e një skeme më të gjerë për ta zhvilluar zonën si plazh turistik. Ndërsa paneli i inspektorëve nuk e përcakton vlerën e korrupsionit, ai konkludon se shkatërrimi selektiv i bërë nga policia ndërtimore ndihmon synimin për të pastruar zonën.

Paneli i inspektimit e akuzon gjithashtu menaxhimin e BB për keqinterpretim faktesh gjatë hetimit dhe për pengim të hetimit duke i fshehur të dhënat, ndërsa thekson mosmbajtjen mend në mënyrë të pazakonshme të fakteve dhe ngjarjeve të rëndësishme nga stafi. Hetuesit thonë se disa nga pjesëtarët e stafit të BB, në qendër dhe në terren, ishin “trajnuar” të japin informacion pabesueshmërisht konsistent, por keqorientues ose fakte të gabuara.

Në një deklaratë për Balkan Insight, BB e pranoi që “ishin bërë gabime në projekt dhe se po merren në konsideratë mënyrat për të zgjidhur shqetësimet e personave të prekur.”

“BB është e shqetësuar për gabimet që janë bërë nga drejtuesit dhe stafi në lidhje me projektin. Në përputhje me procesin tonë të brendshëm, BB po shqyrton veprimet e stafit të saj, dhe, nëse është e nevojshme, do të marrë masat e duhura”, - thuhej në deklaratë.

Jetë të shkelura nga buldozeri

Jala është e vendosur në bregdetin jonian, gjatë rrugës Vlorë-Sarandë, dhe konsiderohet një nga pjesët më të bukura të rivierës shqiptare. Dy shkrimtarë për fëmijë që rrjedhin nga kjo zonë kanë shkruar për blunë e thellë të ujit dhe plazhet me rërë në librat e tyre, duke i dhënë asaj imazhin e parajsës në tokë.

Familjet që banojnë në fshat kanë një histori 300-vjeçare, duke pasur në pronësi toka që janë trashëguar brez pas brezi.

Kjo zonë u la pas dore nga regjimi stalinist i Enver Hoxhës, peizazhi i tij shpëtoi nga industrializimi në masë që u shfaq në pjesët e tjera të vendit. Kur regjimi u përmbys në 1991, pjesa më e madhe e shtëpive të fshatit ishin jashtë kohe dhe shumica e banorëve ikën në Greqi dhe Evropën Perëndimore në kërkim të një jete më të mirë.

Pas një dekade të trazuar tranzicioni për në demokraci, industria e turizmit nisi të gjallërohej ngadalë, remitancat nisën të vijnë dhe fshati rilindi.

Shtëpitë e vjetra që prisnin turistët gjithnjë në rritje papritur nuk kishin madhësinë e nevojshme. Banorët aplikuan për leje ndërtimi, por u refuzuan, se zona ishte jashtë vijës së verdhë. Të shtyrë nga nevoja ekonomike dhe realiteti i ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin, ata vazhduan të shtonin dhomat brenda gardheve të tyre.

Në vitin 2006, Shqipëria miratoi ligjin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, shtëpitë në Jalë ishin një fraksion i vogël në 220 mijë ndërtimet pa leje në gjithë vendin.

Fshatarët aplikuan për legalizimin e ndërtesave sipas ligjit të ri, por askush nuk mori një përgjigje përfundimtare. Më 3 prill 2007, ata u lajmëruan se shtëpitë e tyre ishin të paligjshme dhe do të prisheshin.

Ata e çuan çështjen në gjykatën vendore, por policia ndërtimore nuk priti për rezultatet e gjyqit, dhe në 17 prill 2007 ata rrethuan zonën dhe shkatërruan të gjitha shtëpitë e reja të ndërtuara në fshat.

“Ata (policët), e rrethuan fshatin sikur të ishim në gjendje lufte”, - kujton Vasilika Koka, që pa shkatërrimin e prindërve të saj. “Gjithë ata policë, snajperë në gatishmëri, për tri ditë rruga u bllokua dhe njerëzit nuk sillnin dot as ushqim.”

Ndërsa vazhduan punën mes lutjeve dhe mallkimeve të fshatarëve, policët e ndërtimit u thoshin banorëve të mos mërziteshin.

“Tani po qani, por mos u shqetësoni, do të hani me lugë floriri, se kjo është pjesë e një projekti të BB dhe ajo do të investojë e kujdeset për ju”, - tha një polic, sipas tregimit të fshatarëve.

Ndihmë dhe inkurajim shkatërrimit

Pamjet televizive të shkatërrimit shkaktuan zhurmë. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, që përfaqëson zonën në parlament, kritikoi kryeministrin, Sali Berisha, duke deklaruar se shkatërrimi bëhej për interesa biznesi të afërta me të.

“Në procesin e shkatërrimit janë të fshehura në mënyrë të paligjshme interesa të lidhura me Berishën”, - tha Dule atë kohë në Kuvend.

Berisha e mohoi dhe një zëdhënës tha se ai “është i interesuar vetëm për një gjë, ligjin dhe vetëm ligjin, dhe çdo interpretim përtej këtij konteksti ligjor është spekulim dhe i pavërtetë.”

Një javë pas shkatërrimit, ish-ministri i Transportit, Lulëzim Basha, deklaroi në Kuvend se prishja ishte rezultat i një projekti të BB të quajtur Integrated Coastal Zones Management dhe Clean-Up.

“Shkatërrimi ishte i detyrueshëm për shkak të projektit të BB në atë zonë, i kërkuar nga BB”, - tha Basha.

Paneli hetimor gjeti një lidhje direkte mes projektit dhe shkatërrimeve në Jalë dhe e përshkroi rolin e projektit si “shtrim rruge” për shkatërrimin.

Sipas raportit, treguesit e projektit zbulojnë një lidhje aktive mes projektit dhe policisë ndërtimore, për shkak të faktit se fotografitë satelitore të financuara nga projekti identifikuan godinat që do të prisheshin.”

Hetimi zbuloi gjithashtu se projekti i ofroi policisë ndërtimore pajisje për të bërë shkatërrimin, përfshi kamera dixhitale, GP dhe kompjuterë.

Shtëpitë e shkatërruara

Në mars 2007, rreth dy javë para urdhrit për prishjen, koordinatori i projektit, Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës, i dërgoi një letër kreut të policisë ndërtimore, ku i kërkonte prishjen e shtëpive pa leje në Jalë. Bashkangjitur me letrën ishin edhe CD me fotografi satelitore të financuara nga projekti, që tregonin shtëpitë që duhet të shkatërroheshin.

Një sërë artikujsh të publikuar në mediet vendase e lidhën procesin me koordinatorin e projektit dhe treguan se kjo bëhej për t’i hapur rrugë një fshati turistik.

Sipas panelit hetimor, në një moment BB përgatiti një deklaratë shtypi në lidhje me dyshimet, por nuk e publikoi, zgjodhi të mos i mohonte publikisht.

I kontaktuar nga Balkan Insight, Malltezi i mohoi akuzat dhe u shfaq në mediet vendase pas shkatërrimit.

“Artikujt ishin të porositur dhe paguar (nga dikush)”, - tha ai, duke shtuar se ai kishte mohuar çdo veprim të paligjshëm në adresë të tij edhe atë kohë, por shtypi shqiptar nuk e kishte botuar përgjigjen e tij.

Malltezi e cilësoi raportin e inspektimit si të njëanshëm dhe jo faktik, dhe tha se në shkurt BB do ta krahasojë raportin me një tjetër raport të përgatitur nga drejtuesit në përgjigje të akuzave, para se bordi dhe drejtorët të marrin një vendim.

BB konfirmoi për Balkan Insight që Bordi i Drejtorëve do të mblidhet për të diskutuar raportin e panelit hetimor, si edhe përgjigjen e drejtuesve. Ky takim i bordit parashikohet të bëhet në mes të shkurtit, kohë pas së cilës raportet e përgatitura nga paneli dhe drejtuesit do të bëhen publikë.

Paneli hetimor arriti në përfundimin se BB nuk respektoi politikat e saj për ndërtimet pa leje dhe ky dështim nis që në vitin 2004, koha e vlerësimit të projektit.

Ai konkludoi gjithashtu se përgjigjja e drejtuesve të BB “ishte veçanërisht jo-ndihmuese dhe jo-informuese dhe shpesh tërësisht në kundërshtim me informacionin faktik që njihej prej kohësh nga drejtuesit.”

Megjithëse paneli nuk urdhëron kompensimet e nevojshme, ai thekson se “disa nga njerëzit e prekur duken të varfër dhe pretendojnë se prishja u mori të gjitha kursimet e jetës dhe kanë nevojë për asistencë që të ringrenë jetën e tyre.”

Fshehja e së vërtetës

Në një memo dërguar më 24 nëntor 2008, bashkangjitur me raportin, paneli hetimor i shprehu shqetësimin bordit të drejtorëve të bankës për atë që e quan “keqinterpretim të fakteve” nga stafi dhe menaxherët e bankës.

“Ne jemi të shqetësuar të raportojmë se gjatë hetimit paneli mori disa dokumente që keqinterpretonin fakte kyçe të projektit”, - thuhet në memo.

Sipas memos, në një rast, një deklaratë e rëndësishme në dokumentet e vlerësimit të projektit thotë se ishte arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare që të ndalonte prishjen në zonën e projektit, derisa të zbatoheshin disa procedura dhe kritere të caktuara, megjithatë paneli zbuloi gjatë hetimit se deklarata nuk ishte e vërtetë.

Sipas panelit, stafi dhe menaxherët e bankës e vështirësuan aksesin e tij te të dhënat e rëndësishme dhe dokumentet e projektit që më vonë u dhanë prej këmbënguljes së panelit.

“Gjatë hetimeve disa nga pjesëtarët e stafit jepnin përshtypjen se ishin parapërgatitur për intervistën”, - shkruan memo. “Në një intervistë, dikush refuzoi të përgjigjej për një pyetje të drejtpërdrejtë, duke thënë se manaxhmenti do të jepte një përgjigje zyrtare.”

Paneli hetimor konkludon se u përball me vështirësi të pazakonshme në sigurimin e informacionit të saktë dhe të plotë.

“Mund të jetë një rast i veçuar, por fakti që ndodhi është shumë shqetësues”, - thuhet në memo.

* Besar Likmeta është editor i BIRN për Shqipërinë. Gjergj Erebara është editor i AlbanianEconomy.com. Balkan Insight është një publikim online i BIRN. Titulli është redaksional. Titulli në origjinal: “Banka Botërore shkatërron fshatin shqiptar”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›