E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, të pandehurit kërkojnë si dëshmitar deputetin e PD, Ilir Bano

Nga Bledar Lumani

Të pandehurit e bandës së Lushnjës kanë kërkuar dje praninë e deputetit të PD në Lushnjë, Ilir Bano, si dëshmitar në sallën e gjyqit. Kanë qenë mbrojtësit e të pandehurve që kanë bërë kërkesën, e cila është pranuar nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kërkesa e avokatëve erdhi pas dëshmisë së Pëllumb Meçes, i cili është shprehur se, në momentin kur disa nga anëtarët e bandës e kishin marrë me forcë, duke e shoqëruar në të ashtuquajturin, Komisariati nr. 2 të Lushnjës, që ishte vendi ku mblidhej banda, ka parë aty edhe Ilir Banon. Kjo ka bërë që një prej avokatëve mbrojtës, Vladimir Meçe, t’i kërkojë trupit gjykues thirrjen si dëshmitar të deputetit të Partisë Demokratike, Ilir Bano. Pas kërkesës së mbrojtësit, trupi gjykues ka vendosur që ta pranojë kërkesën, teksa i ka dërguar një fletëthirrje Banos, ku i bën me dije se gjatë seancave të ardhshme gjyqësore në ngarkim të bandës së Lushnjës, duhet të paraqitet në sallën e gjyqit nën cilësinë e të pandehurit. Pavarësisht kësaj, nuk dihet nëse fletëthirrja e Gjykatës së Krimeve të Rënda do të pranohet nga ana e deputetit të PD. Në cilësinë e të pandehurit në këtë proces, janë shtetasit Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stregu, Agur Musaku dhe Erion Cici, të cilët akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe vrasje, krime këto të ndodhura vite më parë në Lushnjë. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili është në proces gjykimi në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Një pjesë e tyre tashmë janë gjykuar nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka dhënë dënimet përkatëse. Ka qenë dëshmia e një prej ish-anëtarëve të kësaj bande, Petrit Liçi, që bëri të mundur vërtetimin e akuzave dhe arrestimin e të dyshuarve. Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›