Kurban i “Kurbanit”?
Sivjet, nga data 11 e deri më 14 nëntor, mbahet edicioni i 14’të i Panairit të Librit në Tiranë. Megjithëse cilësohet si një aktiviteteve më të rëndësishme të librit në Shqipëri, pak ditë para hapjes së tij dy nga botuesit kryesorë janë përfshirë në një debat, gjë që mund të rezultojë me mungesën e një shtëpie botuese në panair.
Botuesja Arlinda Dudaj, që botoi librin “Kurban”, të Edi Ramës, duket se do lihet jashtë panairit. Sipas saj, shtëpisë botuese Dudaj ende s’i është ndarë stenda e saj. Botuesja pohon se e gjithë kjo vjen si pasojë e publikimit të librit “Kurban” të Edi Ramës.
“Në fund të gushtit del se kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, vepron në mënyrë arbitrare dhe e zë vendin tim të përvitshëm. Besoj se gjithkush e di që Shtëpia Botuese Dudaj ka qenë e rregullt në Panairin e Librit, në hollin kryesor, me një vend të konsiderueshëm për titujt që ka.
Gjithashtu, jashtë mbetet edhe Ardian Klosi, të cilit nuk i është dërguar asnjë njoftim. Bëhet fjalë për kryetarin dhe sekretaren e Shoqërisë së Librit Shqip. Gjithkujt tjetër iu ruajt vendi, e theksoj gjithkujt, edhe pas datës 10 shtator, ndryshe nga sa thotë z. Ymeri. Atëherë si duhet ta quaj unë këtë gjë”, thekson botuesja Arlinda Dudaj.
Më tej, botuesja e shtëpisë Dudaj tregon se e gjithë kjo që po bëhet sivjet paraqet një luftë të ulët kundër konkurrencës së lirë.
“Kjo ishte një histori që filloi si një luftë e ulët dhe meskine kundër konkurrencës së lirë, dhe që përfundoi këtu”, pohon Dudaj.
Ajo tregon se Dudaj ishte shtëpia botuese që gjatë gjithë kohës luftoi për standarde ndërkombëtare, dhe se s’e kishte menduar kurrë që pas kaq vitesh në pranie në këtë sektor do të përballej me “një mungese të tillë të pashembullt etike”.