“Kurbani” po katandiset në libër qyfyresh
“Njih vetveten”, - ka thënë Sokrati 400 vite para Krishtit. M’u kujtua ky filozof i lashtësisë, se njeriu që nuk e njeh veten e tij as një thërmijëz është Edi Rama. Në intervistat e ditëve të fundit po bën gafa pas gafash, sa po ia nxjerr bojën fare atij “Kurbanit” të tij. Frrok Çupi nuk gjen në këtë libër asnjë reflektim ndryshe. Të tjerë shohin kundërthëniet vargan, që do ta katandisin atë libër si një objekt kureshtie, për t’u zbavitur me rrenat e njëpasnjëshme, paçka se autori kërkon të na përcjellë fabulën se ai nuk gënjen!
Në të vërtetë, njërën nga gënjeshtrat e tij më naive ia përplasi publikisht z. Mit’hat Avari. Për herë të dytë, sërish në emisionin “Zonë e Lirë”. Rama kishte thënë se parkun “Rinia” e kishte prishur autori i “Kurbanit”, kur kryeministri i kohës i kishte dhënë Edit një detyrë dytësore, atë të mbjelljes së barit jeshil! Sipas Havarit, edhe të donte kryeministri të ngarkonte Edin si shef të operacionit, nuk mundej dot. Sepse kryetari i bashkisë në atë kohë nuk kishte as polici bashkiake, ndërsa Havari kishte detyrën e drejtorit të policisë ndërtimore. Kishte në dispozicion ekipet prishëse, duke përfshirë edhe fadromat. Përdoruesi i njërit prej mjeteve më të fuqishme në park ishte Zefi. E ky Zefi i merrte urdhrat nga drejtori i tij, jo nga kryetari i bashkisë. Në kryeministrí detyrat u ndanë në prani të mjaft funksionarëve që do të merreshin me parkun “Rinia”. Të gjithë këta janë sot dëshmitarë të gjallë. Dhe e vërteta, në këto kushte, është e pamundur të futet në thes, siç mundohej ta bënte kurban të vërtetën shkruesi i “Kurbanit”!
Nuk mjaftonte vetëm gënjeshtra, por edhe fyerja: E quante titullarin në ofiqin e shefit të operacionit, Havarin, fjalëshumë dhe tekanjoz. Ndërsa Havari ishte fjalëpak dhe veprues. Ishte serioz në detyrë. Unë kam një episod vetjak grabitjeje pronësore në ato kohë të vështira, pas ngjarjeve kobzeza të ’97-s, kur çdo gjysmanalfabet me kallash në qafë krekosej për yneret e dhunës së kohës. Dhe në pushtetin e ri të tetëvjeçarit, i binte gjoksit me grusht dhe diktonte me kapadaillëk poste fitimprurëse për veten, si doganier, taksambledhës etj. Prona e ligjshme asgjësohej ditën, për diell. Kjo më kishte ndodhur, në Tiranën e Re. Vajta në zyrën e M. Havarit, pranë Institutit të Fizkulturës, në unazën e vetme të kohës. Sekretarja më tha se drejtori ishte me shërbim jashtë shtetit dhe t’ia paraqisja asaj ankesën. Thashë se më përcolli. (Të më falë drejtori për dyshimin). Megjithatë ajo më tha t’ia lija asaj gjeneralitetet, numrin e telefonit dhe objektin e ankesës. Të pasnesërmen më bie, në pikë të sabahut, zilja e telefonit në shtëpi: - Jam Mit’hat Havari. Nuk më gjetët se isha në shërbim. Tani më caktoni orën, se jam tërë ditën në zyrë.
Më dëgjoi me vëmendje dhe e kuptoi vrik se kisha të drejtë, pasi kishte parë dokumentet e KKRT-së për pronësisinë time. E kishte thirrur në zyrë ndërtuesin e dyqanit abuziv dhe i kishte kërkuar dokumentin e pronësisë së truallit. “Nesër prit fadromën, - i kishte thënë. Mua më tha në telefon: -Kërkojnë të bëhen pronarë të rinj, me atributin se janë afër pronës suaj! - më tha. E çoi fadromën për ‘ia prishur dyqanin abuziv, në oborrin tim. Por ç’ndodhi? Personi që kishte bërë dyqanin merkaton abuzive, kishte mbledhur miq e kushërinj dhe gratë e shtëpisë, me thikat e kuzhinës në duar, që ulërinin me sa e kishin në kokë: - I kemi dhënë votat (filanit)! Një skandal i vërtetë. Dëgjoheshin kalimtarët që thoshin : - Epo kjo s’është dëgjuar! Meqë ia kam dhënë votën (...), kam të drejtën të të vjedh pronën! Fadromistin, që e kishin mbajtur rob, e liruan me premtimin se do të ikte nga kishte ardhur... Megjithatë, mirënjohje ndaj Mit’hat Havarit. Ai skandal shërbeu, në një kohë të mëvonshme, që ta liroja me gjyq truallin nga ai dyqani abuziv. Këtë herë fadroma e bëri punën e saj, pa asnjë vonesë. Ja cili është M. Avari.
***
Një pyetje e intervistës: -A keni zgjedhur të mos i thoni të gjitha të vërtetat, zoti Rama? Ndërmjet fjalëve të tjera kemi përgjigjen se “nuk ka një të vërtetë” (të vetme). Por gjithkush e di se me të vërtetat nuk luhet. Nëse nuk është e vërtetë, është gënjeshtër!
Intervistuesi ishte në lartësinë e detyrës, kur ngulmonte që ta mbante në temë Ramën, kur ky nuk donte t’u përgjigjej disa të vërtetave. Njeriu i gënjeshtrave nuk i duron dot të vërtetat. Për Ilir Metën nuk dëshironte të fliste. Por pyetja ishte e drejtpërdrejtë: - “Duke parë pamjet e 2007-s me Ilir Metën, ju mungon ky takim, ky bashkëbisedim, sepse në libër e lini një derë të hapur kur thoni se nuk mbaron historia ime me Ilir Metën” (Cituar). Të vërehet përgjigjja: - “Në fakt, ka një problem kur shkruan, të paktën siç shkruaj unë, që jam një dashnor obsesiv i gjuhës shqipe dhe i jap rëndësi çdo fjale, çdo presje(je) dhe kur pastaj ato që shkruhen për t’u përkthyer në perceptime të ditës, arrin (arrijnë) të deformohen deri në denatyrim. Ajo që do doja të reflektoja për një moment (...). Mua personalisht më duket se libri flet për të kundërtën e asaj që u tha se ka një engjëll dhe tre demonë, nga një anë unë, një e bardhë që shndrit dhe nga ana tjetër ata, një e zezë (tri të zeza) që nxin (që nxijnë). Nuk është kështu, në radhë të parë tek unë vetë, jam më se i vetëdijshëm për atë që kam përjetuar në të gjithë procesin e të shkruarit. E vërteta është se libri u bë libër shumë vonë, nuk është lindur për t’u bërë libër. Unë nisa të shkruaja jo duke u nisur se ajo që po shkruaja do të shihte ndonjëherë dritën e diellit, por duke qenë i dëshiruar për të folur pa u ndërprerë dhe për t’u rrëfyer duke rrëfyer... besoj se i kam qëndruar premtimit për të mos thënë në asnjë rresht nga faqja e parë deri në faqen e fundit asnjë gënjeshtër. (asnjë, vërtet?).
Hane Shan, Hane Bagdad! E ka fjalën se engjëlli është ai vetë. Të tre demonët janë F. Nano, I. Meta dhe, natyrisht, S.Berisha. E bardha që shndërrit është ai vetë. Autori s’e pranon këtë kritikë. Sa për gjuhën shqipe, me obsesiv, me obseduar, me denatyrim, me keqgjykim, me dakordësitë e me neologjizma të sajuara kakofonike (me qgj të pashqiptueshme), si edhe me fjalë të huaja jashtë standardit, ai e ka në ADN-në e tij megalomaninë. Atë “të reflektoja” do të bënte mirë të mos e përmendte, se na kujtohen “Refleksionet”, që u bënë për karton (siç i bënte Enveri “Veprat”, kur herë e lavdëronte një person, herë e bënte armik!). Le të shihet edhe kjo periudhë që përmban tri herë të njëjtën fjalë:
“Ndryshe, ç’ndodh me debatet politike apo fjalimet politike apo komunikimin politik, në këtë rast unë kam një brishtësi që me siguri edhe ata që ishin në promovimin e librit e vunë re se është brishtësia e atij që pasi ka krijuar dhe e ka ekspozuar krijesën e vet, është një lloj lakuriqësie përpara së cilës njeriu ndjehet i brishtë”. Periudha është e kristaltë, s’ke ç’i thua! (Lakuriqësia më mirë të mos përmendej, se na kujton...).
Këtu mbyllet përgjigjja për Metën! Por intervistuesi ngulmon: - Nuk na kthyet përgjigje për Ilir Metën! (Më ia lumsha!). Prapë, tjetër për tjetër: - “Nëse flasim për personazhe të tjerë nuk është se kam vizatuar tre demonë, por kam vizatuar tre personazhe siç unë i kam njohur, i kam kuptuar ashtu siç i lexoj, duke u munduar të jem sa më i vërtetë (Prapë betohet për të vërtetën!). Nuk po përdor fjalën objektiv, sepse askush s’mund të jetë objektiv në kuptimin për të pasur një konsensus kur flasim për personazhe që për shkak të punës që bëjnë, ndajnë dhe nuk bashkojnë”.
Fjala konsensus s’ka lidhje me pyetjen. Mund të ketë lidhje me faktin se konsensuset e Ramës janë me kushte – Po unë, ç’përfitoj? Dhe kështu konsensusi shndërrohet në zvetënimin e tij!
Koherenca mungon, shpesh, fjalí pas fjalie. Ndërsa flet se nuk sheh ndonjë demonizim të të treve (“nuk shoh ndonjë demonizim të të treve dhe kam thënë atë që mendoj për Ilir Metën”), ja që për këtë të fundit nuk thotë asgjë, ndonëse pyetet disa herë në intervistë. Ndërsa për kryeministrin thotë: “Për (Dr. Berishën) nuk ka asnjë të fshehtë se është një personazh tërësisht vulgar dhe një personazh tërësisht jashtë kohe që mban fatkeqësisht peng kohën shqiptare”. Veçse mllefi i inatçiut patologjik e ka bërë autorin e librit “Kurban” - që mund të quhej me shaka, ose pa shaka, edhe “Kurban e Peng” - që ta shfaqë vetveten me atë Saliu-Saliu, kur ky i flet vazhdimisht me zoti Rama! Si mund të bëhet “konsensus” në këtë mënyrë? Kush është vulgari në këtë mes? Kush e mban peng “kohën shqiptare”, pavarësisht se ky dyfjalëshi i fundit ngjan si i pakuptimtë? Palé vetëlavdërimet e tij për atë fjalorin e vet të Ndrangetës, të Kamorrës dhe të Mafies!
Prandaj libri i Ramës po katandiset, qysh tani, si një libër qyfyresh për hokatarët. Dhe për vulgarët, natyrisht! Po i ngjan të vëllait, të cilin e mbytën flakët e autodafésë.