E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu, filantropi i vetëm i superligës

SHKRUAN: Jeton Selimi 11-06-2011 09:56

Skënderbeu është skuadra më active në merkato dhe duket se është e vetmja që mund t’i lejojë xhepit shifrat e nevojshme për të kënaqur urinë e lojtarëve që trajneri Duro kërkon të ketë në organikë. Pas spastrimit të madh, ku u larguar jo pak, por tetë lojtarë (Joliç, Grabiç, Sefa, Lako, Hoxha, Vishaj, Idrizi e Markoviç), presidenti Zeqo ka nisur të afrojë elementët më të mirë të mundshëm për ta ndërtuar Skënderbeun kompetitiv edhe në Champions League. Kështu, 24 orë më parë u vesh bardhekuq edhe mesfushori dinamovit Igli Allmuça. Lojtari që është aktivizuar për disa sezone edhe dy klubet e tjera të kryeqytetit, Partizani Tirana, u bë pjesë e projektit të Zeqos pas një lëvizje-rrufe e klubit kampion të Shqipërisë që ka bërë një nga goditjet më të mira në merkato, me marrjen e mesfushorit polivalent. Pas përfundimit të kampionatit, për kapitenin e bluve u interesuan Vllaznia dhe Flamurtari, madje zërat e merkato e bënë pothuajse të sigurt kalimin te kuqezinjtë e Vlorës. Vetë lojtari deklaroi se kishte interesim rreth tij por jo ofertë konkrete dhe me sa duket një gjë të tillë e ka bërë Agim Zeqo i Skënderbeut. Pas disa bisedave, Allmuça ka pranuar ofertën dhe ka firmosur. Të hënën ai do të bashkohet me skuadrën e tij të re, nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, për të nisur përgatitjet për ndeshjet në Champions League.

Por Igli Allmuça është vetëm njëri prej ingranazheve të mekanzmit perfekt që kërkon të ndërtojë Shpëtim Duro. Duke pas pas vetes financat e bollshme të presidentit Zeqo, Duro ia lejon vetes luksin që të thërrasë nën armë edhe Pero Pejiç. Lojtari kroat që ka veshur para Tiranës edhe fanellën e Dinamos, do të ishte pyka perfekte në vijën e parë të sulmit. Me Muzakën nga krahu i djashtë i sulmit, Duros i duhet të gjejë elementin më të mirë të mundshëm për të zëvendësuar Rafael Sozën, që duket se e ka prerë biletën për në Tiraspol, ku do të bëhet pjesë e skuadrës moldave të Sherifit. Ndaj, në këto kushe elementin që të duhet mund ta gjesh sërish në supermarketin Dinamo. Është Emiljano Vila njeriu i duhur, por për ta veshur bardhekuq mesfushorin e talentuar, më parë duhet prishur kontrata e tij me Dinamon e Zagrebit. Kroatët nuk e lëshojnë lojtarin pa 100 mijë euro dhe duket se do të jetë pikërisht kjo blerja më e shtrenjë në këtë sezon për Skënderbeun e Zeqos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›