Aleatët e djathtë: S’ka rrezik për koalicionin qeverisës, marrëveshje edhe për Ligjin Zgjedhor
Partia Republikane ka deklaruar dje lidhur me çështjen e reformës zgjedhore se partitë aleate të koalicionit të djathtë duhet të ulen në një tryezë diskutimesh për të intensifikuar bashkëpunimin shumëpalësh dhe për të dalë në një qëndrim të përbashkët për përfundimin e reformës elektorale. Përsa i takon qëndrimit që po mban aktualisht PR-ja, në lidhje me aleaten e saj, PD, kreu i kësaj partie njëherazi ministër i Mbrojtjes, Fatmir Mediu u shpreh se “në qoftë se flasim për partneritet dhe për aleanca, unë mendoj që është e rëndësishme të ulemi në diskutime si aleatë, pasi kemi një maxhorancë funksionale”. “Atëherë nisur nga ky fakt i takon kryetarëve të këtyre partive të vendosin dhe të marrin një qëndrim të përbashkët për këtë çështje. Natyrisht kjo është një marrëdhënie politike e një koalicioni që bazohet mbi qëllime të përbashkëta dhe si e tillë duhet të funksionojë”, u shpreh z. Mediu. Mediu u shpreh optimist për sa i takon gjetjes së një zgjidhjeje për reformën zgjedhore, duke nënvizuar se “deputetët janë në pozicionin e tyre të duhur dhe do të gjejnë frymën e bashkëpunimit në momentin dhe kohën e duhur, ashtu sikurse ishte edhe rasti i Presidentit. Lidhur me amendamentet kushtetuese për reformën zgjedhore, se ndryshimet në të duhet të bëhen në mënyrë të hapur dhe transparente. Sipas tij, ka një institucion që merret me reformën zgjedhore, që është Komisioni i posaçëm parlamentar për këtë çështje, i cili nuk mund të përjashtohet nga diskutimi i çdo lloj iniciative. “Unë mendoj se është e rëndësishme për ta ndarë këtë çështje në dy momente tepër të nevojshme që janë, kërkesat e bëra nga OSBE-ODIHR për reformën, që janë kërkesat për kartat e identitetit, listat e votuesve, shmangia e fenomenit ‘Dushk’, e cila mund të shmanget duke vendosur vetëm një fletë votimi për individin kandidues dhe partinë që ai përfaqëson dhe e fundit, është çështja e komisioneve zgjedhore”, nënvizoi Mediu. Ai nuk e sheh çështjen e reformës zgjedhore si një shqetësim të madh, duke u shprehur se “çështja e sistemit zgjedhor nuk është kaq preokupante sa ç’pretendohet në politikën shqiptare, pasi çdo sistem zgjedhor është i mirë kur implementohet drejt, dhe nëse ne do të kemi vullnetin për të mos lënë hapësira në kodin elektoral, që deformojnë vullnetin e votuesve shqiptarë, çdo gjë është e mundshme që ne të kemi sistem zgjedhor, i cili bazohet mbi konkurrimin, qoftë atij individual, po kështu edhe të partive”. Duke folur për sistemin elektoral spanjoll, Mediu theksoi se kur flasim për një sistem zgjedhor e kemi fjalën këtu që të zgjedhim një sistem, i cili t’i afrohet realitetit tonë. “Unë nuk jam për përjashtimin e njërit sistem apo zgjedhjen e një tjetri, unë mendoj që e rëndësishme është që ne të bëjmë një analizë për sistemin aktual që kemi. Sepse ky sistem që kemi ofron konkurrimin e drejtpërdrejtë të deputetëve, një raport të drejtpërdrejtë me votuesin si dhe një raport politik apo vend shtesë në proporcional”, theksoi ai. Kryerepublikani Mediu vuri në dukje se “ne duhet të zgjedhim një sistem, i cili është i thjeshtë, i aplikueshëm dhe nuk deformon votën dhe vullnetin e qytetarëve, por që njëkohësisht të mos përjashtojë asnjë parti politike”. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese duhen parë në mënyrë integrale. “Nëse ndryshimet në kushtetutë do të bëhen vetëm për interesa të momentit ato nuk do t’i shërbenin një dokumenti themeltar siç është kushtetuta, e cila është miratuar me referendum. Do të ishte e pafalshme që ndryshimet, të cilat janë thelbësore, të bëhen vetëm brenda një rrethi të mbyllur, pa transparencë dhe pa debatin e nevojshëm”, konkludoi Mediu.