E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demi: Lufta kundër korrupsionit, përparësi dorës së parë për qeverinë

Gjatë minutave të diskutimeve jashtë rendit të ditës, Kuvendi debatoi për raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri. Deputetë të të dyja palëve ndanë qëndrime të ndryshme për dokumentin e publikuar së fundi nga DASH. Deputeti Demi, duke cituar raportin në fjalë, tha se korrupsioni në Shqipëri mbetet një pengesë e rëndësishme. Sipas tij, kjo shprehje nuk do të thotë aspak se qeveria ka dështuar në luftën kundër korrupsionit. “Lufta kundër këtij fenomeni është një përparësi e dorës së parë për qeverinë dhe Kuvendin, e cila bëhet sipas një strategjie kombëtare të qartë”, tha ai. Në këtë kuadër, deputeti demokrat vërejti se “për të thelluar masat shtrënguese ligjore, Kuvendi ka miratuar dhe amenduar një sërë ligjesh, që synojnë forcimin e luftës kundër kësaj dukurie të rëndë”. Ai iu referua ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave”, të cilit i janë nënshtruar 6 mijë nëpunës dhe të afërmit e tyre, si dhe një numër ish-zyrtarësh të administratës së kaluar. “Në funksion të luftës kundër këtij fenomeni janë miratuar edhe disa nene të Kodit Penal, që e trajtojnë korrupsionin sipas standardeve të KE-së”, nënvizoi deputeti Demi. Në këtë linjë, ishte dhe diskutimi i deputetes tjetër të PD-së, Arenca Trashani e cila vuri në dukje se “jemi të vetëdijshëm që korrupsioni nuk është zhdukur, por nëse iu referohemi shifrave, konstatojmë se ka një përmirësim dhe kjo dukuri nuk është më një sistem, si më parë, por është thjesht një fenomen”. Një ditë më parë përfaqësues të opozitës reaguan ndaj raportit të DASH, duke pretenduar se qeveria ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›