Kursi i këmbimit në rrezik

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, duke bërë një përgjithësim të të gjithë faktorëve të rrezikut, deklaroi se materializimi në ekonomi do të jetë me rritje të mëtejshme të inflacionit. Deklarata e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për rritje të mëtejshme të çmimeve, është bërë në mbledhjen e djeshme të Këshillit Mbikëqyrës, gjatë analizës së ekonomisë në tre muajt e parë të vitit. Një faktor përcaktues, me origjinë të brendshme inflacioniste, pritet të jetë prodhimi vendas bujqësor. “Aktualisht, kemi hyrë në periudhën kur prodhimi vendas fillon e shfaqet në tregtinë me pakicë. Inflacioni në fund të muajt prill 2008 shënoi një ulje prej 0,4 për qindësh në terma mujorë, prapa së cilës qëndronte kontributi i grupit “Ushqim” dhe “Pije alkoolike”. Për këtë arsye, me interes pritet ecuria e këtij faktori në muajt në vijim. Sipas sjelljes historike, dy-tre muajt në vijim regjistrojnë edhe ndikimin më të fortë rënës mbi çmimet e produkteve të papërpunuara ushqimore. Megjithatë, duhet theksuar se ky sektor i ekonomisë vazhdon të jetë shumë ndjeshëm ndaj kushteve të motit dhe ndaj luhatjeve afatshkurtra në kostot e lëndëve të para dhe të çmimeve të naftës”, ka shpjeguar Fullani. Po ashtu, sipas Bankës së Shqipërisë, rrezik për inflacionin është dhe zgjerimi me rreth 17 për qind e deficiti tregtar. Pra, këto zhvillime në aktivitetin e tregtisë së jashtme pasqyrojnë edhe efektet e çmimeve të rritura të lëndëve të para, të energjisë dhe të produkteve ushqimore. Të dhënat e reja që lidhen me aktivitetin bujqësor për gjithë vitin 2007, konfirmojnë analizat e kohëve të fundit të Bankës së Shqipërisë në lidhje me ecurinë e këtij sektori. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2007 është regjistruar një rritje modeste, në masën 1,5 për qind, krahasuar me 4,3 për qind vitin e kaluar. Në këto rrethana, merr një rëndësi të dorës së parë shtimi i sipërfaqeve të mbjella, si dhe produktiviteti për njësi. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë rithekson domosdoshmërinë për kryerjen e reformave të thella strukturore, që kanë të bëjnë me tokën, pasurinë, sistemin grumbullues dhe atë shpërndarës, si dhe me infrastrukturën. Nga ana tjetër, edhe pse qeveria ka shënuar suficit në të ardhura, sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet për investime për këtë periudhë të vitit kanë pësuar tkurrje, në krahasim me një vit më parë. Sakaq, rreziqet e inflacionit janë të lidhura me ambientin global, me atë rajonal dhe në rrafshin e brendshëm me shtimin e vrullshëm të kredisë për ekonominë. “Përveç rrezikut të kredisë dhe rrezikut të kursit të këmbimit, ekzistojnë dhe rreziqe të lidhura me faktorë të jashtëm. Zgjerimi i krizës së kredive në Evropë, ngadalësimi i mundshëm i aktivitetit ekonomik të ekonomive partnere, prania e të njëjtëve institucione bankare në shumicën e vendeve të rajonit, janë zhvillime që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme”, ka deklaruar Fullani.
Faktorët që po rrisin inflacionin
-Inflacioni është shkaktuar nga rritja e çmimeve të grupit ushqimor. Brenda këtij të fundit mbizotëron grupi i mallrave ushqimorë, e përpunuar.
- Prodhimi bujqësor ka regjistruar një rritje modeste, në masën 1,5 për qind, krahasuar me 4,3 për qind vitin e kaluar. Në këto rrethana, merr një rëndësi të dorës së parë shtimi i sipërfaqeve të mbjella, si dhe produktiviteti për njësi.
-Kostot e shkaktuara nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore pritet të vazhdojnë të ushtrojnë presione të drejtpërdrejta mbi çmimet e konsumit dhe të japin ndikime të tërthorta mbi çmimet e prodhimit.
-Dega e ndërtimit vazhdon të karakterizohet nga një situatë jo e qartë edhe në tremujorin e parë të vitit 2008. Ngadalësimi i ritmit të rritjes së aktivitetit ekonomik të sektorit të ndërtimit, krahasuar me ecurinë mesatare të viteve të fundit, kërkon vëmendje, nisur nga roli dhe kontributi që ky sektor ka në ekonominë vendase.
-Deficiti tregtar është zgjeruar me rreth 17 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në përgjithësi, duhet theksuar se zhvillimet në vlerë, në aktivitetin e tregtisë së jashtme pasqyrojnë edhe efektet e çmimeve të rritura të lëndëve të para, të energjisë dhe të produkteve ushqimore,
-Shpenzimet për investime për këtë periudhë të vitit kanë pësuar tkurrje në krahasim me një vit më parë.