Kush do t'i paguajë ish-pronarët?

Shumat e mëdha që qeveria kërkon të nxjerrë në vite për kompensimin monetar të ish-pronarëve jo vetëm do të prekin taksapaguesit, të cilët nuk janë pjesë e këtij procesi, por do të lërë gjithmonë të pakënaqur ish-pronarët. Nxjerrja e fondeve nga buxheti i shtetit për pagimin e faturës prej 4.4 miliardë dollarësh për kompensimin e ish-pronarëve, duke përfshirë këtu në pagim edhe qytetarë, të cilët nuk janë pjesë e tij, cilësohet i padrejtë edhe nga vetë ish-pronarët. Sekretari i përgjithshëm i shoqatës më të madhe të ish-pronarëve, “Pronësi me drejtësi”, Agim Toro, deklaron se nxjerrja e parave nga buxheti për kompensimin e pronarëve nuk është mënyra më e drejtë. Sipas tij, kjo jo vetëm do të sillte që në këtë proces të përfshihen ata persona të cilët nuk janë pjesë e tij, por nga ana tjetër, edhe ish-pronarët të përfitojnë shuma të papërfillshme. Edhe pse ende qeveria nuk ka zyrtarizuar rrugën e gjetjes së këtyre parave, ish-pronarët rekomandojnë se mënyra më e duhur është kthimi fizik i pronës. “Nga ana e qeverisë ende nuk janë zyrtarizuar burimet e financimit të kësaj fature, por në rast se do të përdoren fondet e buxhetit të shtetit në pagimin e saj, do të përfshihen edhe persona të cilët nuk kanë prona. Gjithashtu, edhe çmimi i tokës me të cilin kompensohen ish-pronarët është shumë i ulët. Në këto kushte, rruga më e mirë është kompensimi fizik i pronës”, shpjegon Toro, duke shtuar se rasti konkret i shtimit të faturës në mënyrë të padrejtë, do të jetë edhe kompensimi i tokës që vjen nga procesi i legalizimeve. Nga ana tjetër, këshilltari i kryeministrit për çështjet e planifikimit dhe urbanizimit të territorit, Flamur Kuçi, ka thënë për gazetën “Korrieri” se, pavarësisht se fatura përfundimtare e procesit të kthimit dhe njohjes së pronës ende nuk është zyrtarizuar, mënyrat që do të gjenden për përballimin e saj do të jenë në kthimin e vlerave monetare, duke mos folur tërësisht për një kompensim fizik të ish-pronarëve. “Në momentin që do të zyrtarizohet fatura përfundimtare për të cilën qeveria është e interesuar, pasi ajo do të identifikojë në mënyrë të saktë vlerën që nevojitet për këtë proces. Përfundimi zyrtarisht i faturës financiare do të shoqërohet edhe me nisjen e mënyrave të diskutimit të gjetjes së burimeve financiare. Mund të thuhet që deri tani opsionet më të mundshme do të jenë fondet e buxhetit të shtetit dhe privatizimit”, shprehet Kuçi, duke shtuar se fatura prej 4.4 miliardë dollarësh nga llogaritjet e kryera deri tani është reale.
Aktualisht,qeveria akordon çdo vit nga fondet e buxhetit të shtetit shumën prej 5 milionë dollarësh për kompensimin monetar të ish-pronarëve. Numri i përfituesve është 270 pronarë në vit, të cilët kompensohen për 200 metra katrorë tokë. Sipas një llogaritjeje të thjeshtë, duke pasur parasysh faturën prej 4.4 miliardë dollarësh dhe sasinë e fondeve që dalin nga buxheti i shtetit, taksapaguesit shqiptarë duhet ta paguajnë këtë faturë për shumë vite radhazi.
Do përdorim fondet e buxhetit dhe privatizimet
Këshilltari i kryeministrit për çështjet e planifikimit dhe urbanizimit të territorit, Flamur Kuçi, shpjegon edhe pse ende nuk është zyrtarizuar fatura për vlerën e pronave në vend, opsionet kryesore të financimit të saj do të jenë fondet e buxhetit dhe privatizimet. Sipas Kuçit, menjëherë pas përfundimit zyrtar të faturës, qeveria do të nisë menjëherë diskutimet për mënyrën e financimit.
S’do ketë humbje nga kthim fizik i pronës
Sekretari i përgjithshëm i shoqatës më të madhe të ish-pronarëve, “Pronësi me drejtësi”, Agim Toro, deklaron se nxjerrja e parave nga buxheti për kompensimin e pronarëve nuk është mënyra më e drejtë. Sipas tij, kjo jo vetëm do të sillte që në këtë proces të përfshihen ata persona të cilët nuk janë pjesë e tij, por, nga ana tjetër, edhe ish-pronarët përfitojnë shuma të papërfillshme. Në këto kushte, zgjidhja më e mirë do të ishte kthimi fizik i pronës, çka do të sillte që edhe fatura të mos paguhej nga qytetarë të tjerë.