E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferi: Çdo ndarje do të ishte e rrezikshme për rajonin

Nga Express më 09 shtator 2011 në ora 15:24

Ne nuk e shohim se ka predispozita se mund të hapet çështja e ndarjeve në veri të Kosovës për arsye se të gjithë e dimë se ka pas shumë ndarje me shkapërderdhjen e ish-Jugosllavisë, dhe çdo eksperimentim i tillë do të ishte i rrezikshëm për stabilitetin politik të rajonit, ka thënë zv. kryeministri i Maqedonisë Musa Xhaferi.

Ai këto komente i bëri të premten në një konference për media pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Hajredin Kuçi, me të cilin kanë biseduar lidhur me bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve fqinje dhe zhvillimet e fundit në vend.

Xhaferi ka thënë se Shkupi zyrtar konsideron se nuk ka predispozita për ndarjen e Ksoovës, pasi një zhvillim i tillë eventual do të rrezikonte stabilitetin politik të të gjithë rajonit.

“Ngjarjet që ndodhin në Kosovë ndikojnë dhe merren vesh shumë shpejt te ne në Shkup. Në Maqedoni kemi përcjellë vazhdimisht situatën në veri e që ishte një situatë e konservuar, për arsye që publiku juaj i dinë, që ishte në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe standarde tjera. Ne nuk e shohim ashtu se ka predispozita se mund të hapet çështja e ndarjeve për arsye se të gjithë e dimë se ka pas shumë ndarje me shkapërderdhjen e ish-Jugosllavisë dhe çdo eksperimentim i tillë do të ishte i rrezikshëm për stabilitetin politik të rajonit”, ka thënë Xhaferi.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha se Qeveria e Kosovës konsideron se me Republikën e Maqedonisë nuk ka asnjë çështje të hapur, përkundrazi ka mundësi për bashkëpunim të plotë në të gjitha fushat.

“Qeveria e Kosovës konsideron se me Republikën e Maqedonisë nuk ka asnjë çështje të hapur, përkundrazi ka mundësi për bashkëpunim të plotë edhe në aspektin politik, ekonomik, kulturor dhe të gjitha fushat tjera. Me zv. kryeministrin Xhaferi u pajtuam që këto vullnete politike që ekzistojnë në nivel të dy qeverive, këto gatishmëri që ekzistojnë në mes të dy popujve tanë, popullit shqiptar dhe maqedonas që jeton në Maqedoni t’i materializojmë në kuptimin e bashkëpunimit praktik”, ka thënë Kuçi.

Derisa pas bisedimeve në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë është paralajmëruar heqja e masave reciproke tregtare, zëvendëskryeministri Xhaferi u shpreh se Maqedonia është e gatshme që të mbështesë Kosovën me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik.

“Është një mundësi e mire ose është një rast i mirë që ju kishit aksionin e reciprocitetit dhe Maqedonia ishte e gatshme t’i përgjigjet dhe të mbështesë që të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik, ne eksportojmë mjaft në Kosovë anasjelltas është një nivel i kënaqshëm”, ka thënë Xhaferi.

Po ashtu, edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se gjatë kohës së vendosjes së masave reciproke ndaj Serbisë, qytetarët e Kosovës nuk kanë ndjerë mungesën e mallrave.

“Nuk është vërejtur në kohën e reciprocitetit ndonjë mungesë mallrash apo shërbimesh për qytetarët e Kosovës dhe këtu ka pasur bashkëpunim konkret edhe ministritë dhe Oda Ekonomike me njerëzit e bizneseve të ekonomisë së Maqedonisë. Ne jemi dy shtete fqinje dhe në këtë rast është çështje më shumë e ekonomisë së lirë të tregut, e ndihmës reciproke dhe jo ndonjë kushtëzimi paraprak”, ka thënë Kuçi.

Zv/kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin Hashim Thaçi, pas të cilit nuk ka pasur prononcime për media.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›