E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Kriminelët e MUP-it duhet të arrestohen

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se Policia dhe Prokuroria e Kosovës duhet të bëjnë arrestimin e kriminelëve të MUP-it që operojnë në veri të Mitrovicës.

“Vendosja e rendit dhe ligjit në veri, pëfshirë këtu paditjet dhe arrestimin e atyre tre a katërqind kriminelëve të MUP-it famëkeq, duhet të bëhet nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës. Në bërjen e Kosovës sovrane dhe me integritet territorial, vetë Kosova duhet ta ketë pronësinë e saj” ka thënë Kurti.

Këto deklarata Albin Kurti, i bëri pas takimit me përfaqësuesin special të BE-së, Samuel Zhbogar.

Në këtë takim ata biseduan për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, me theks të veçantë për çështjen e dialogut me Serbinë në Bruksel, integrimin e veriut të Kosovës dhe reformën zgjedhore.

Albin Kurti paraqiti qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! duke kritikuar dhe kundërshtuar dialogun politik me Serbinë si të padrejtë dhe të dëmshëm, meqë ai po zhvillohet pa kushte për Serbinë dhe për gjëra të brendshme të Kosovës.

Samuel Zhbogar dhe Albin Kurti u dakorduan për vazhdimin e komunikimit dhe të takimeve bashkëbiseduese./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›