Kurti: Pazari i mbrëmshëm nuk e tejkaloi krizën

Lëvizja "Vetëvendosje" ka vlerësuar se me “pazarin e mbrëmshëm” në mes të Behgjet Pacollit, Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit nuk është tejkaluar kriza në Kosovë.
Gjatë një konference për mediat, lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti tha se “Behgjet Pacolli, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi arritën konsensus mbrëmë duke na e dëshmuar edhe njëherë se ata më shumë janë bashkë sesa të ndarë – ndërsa paraqitjen e tyre nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, e cilësoi si “uzurpim konsensual të institucioneve”.
Kurti tha se, nuk kemi tejkalim të krizës në Kosovë por sipas tij mbrëmë vetëm sa u akomoduan ambiciet e politikanëve që drejtojnë partitë për hir të vetes së tyre.
“Nuk do të rritet standardi i jetesës së qytetarëve por rehatia e kreut të PDK-së dhe LDK-së. Isa Mustafa po ia jep dy vjet e gjysmë kohë Hashim Thaçit për ta shitur PTK-në, KEK-un e Trepçën me privatizim të egër dhe për ta sajuar një shtet serb brenda shtetit të Kosovës përmes negociatave me Serbinë. Këto dy vjet e gjysmë mund t`i duken të shkurtra Isa Mustafës por se ato janë shumë të gjata për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Atifete Jahjaga, si kandidate e këtij ekipi të ri të unitetit, sipas Kurtit, nuk është e njohur për opinionin kosovar dhe duke qenë se ajo duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit, del se uniteti arrin të përfaqësohet vetëm përmes të panjohurës.
“Ne nuk e dimë se çfarë mendon Atifete Jahjaga për privatizimet, vjedhjen e votave, Planin e Ahtisaarit apo bisedimet me Serbinë. Dhe, ne nuk e dimë se cili nga tre nënshkruesit e marrëveshjes e propozoi Atifete Jahjagën”, tha Kurti.
Kurti vlerësoi se qartazi këta tre krerë partish që mendojnë se janë më të rëndësishëm se Kosova duan ta zgjedhin një njeri të parëndësishëm për kreun e shtetit.