Serbi, gazetarët letër Tadiçit për lirinë e medias

Gazetarët serbë në një letër të hapur, drejtuar presidentit serb Boris Tadiç kritikuan mungesën e lirisë së mediave dhe theksuan se presionet ndaj mediave janë shtuar ndjeshëm.
Në këtë letër theksohet se gazetarët dhe sidomos ata që ndjekin dosje të tilla si ato të krimit të organizuar, të krimeve të luftës, apo të grupeve ekstremiste nacionaliste, gjithmonë janë nën presionin e fortë të forcave të policisë dhe të sigurimit serb.
Ata theksuan se situata e mediave në Serbi është tepër alarmante dhe i kërkuan presidentit Tadiç të marrë masa për zgjidhjen e problemeve të gazetarëve.
Ndërkaq raportohet se Presidenti serb Boris Tadiç filloi te enjten një vizitë zyrtare në Francë ku do të takohet me presidentin francez dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Parisit.
Gjatë kësaj vizite tre ditore Boris Tadiç do të shoqërohet nga zv/kryeministri Bozhidar Xhelic, ministri i mbrojtjes Dragan Shutanovac dhe nga ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç. Gjatë kësaj vizite priten të nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme mes Francës dhe Serbisë.