Kurti: Preshevën ta ndihmojnë Kosova dhe Shqipëria

(E plotësuar) Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet t’i ndihmojë Kosova dhe Shqipëria.
“Shqiptarët në Kosovën Lindore janë popullsi autoktone ata kanë të drejtë të vendosin për fatin e tyre.
Kosova dhe Shqipëria e kanë obligim t’i ndihmojnë, Pavarësia e Kosovës dhe Shqipërisë është realizuar falë angazhimit të të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Kurti.
Ai i ka përmendur këtu, bisedimet Kosovë- Serbi.
“Ata njerëz kanë nevojë të ndihmohen. Është hipokrizi që në njërën anë të bisedohet me Daçiqin dhe nga ana tjetër të thuhet se edhe këta shqiptarë duhet të ndihmohen”, ka shtuar Kurti.
Ai ka thënë se edhe populli është kundër ‘normalizimit’ të marrëdhënieve.
“Po të organizohej një referendum për normalizim të marrëdhënieve populli do të deklarohej kundër.
Por meqë nuk lejohet referendumi bindja për vullnetin e Kosovës krijohet nganjëherë në bazë të veprimeve të politikanëve”, është shprehur Kurti.
Ndërkaq, Kurti ka folur sërish për bashkimin kombëtar me Shqipërinë.
“Bashkmi kombëtar nuk duhet të shtrihet vetëm në sferën e kulturës por edhe të zgjerohet në atë të ekonomisë dhe politikës”, ka thënë ai.
---
Lëvizja Vetëvendosje në Rahovec reagon lidhur me shkeljen e Ligjit për Shërbimin Civil nga përfaqësuesit në Kuvendin Komunal të Komunës së Rahovecit, dy prej tyre anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Nisur nga fakti se, bërthama e administratës publike është e përbërë nga shërbyesit civil, veprimtaria e të cilëve është e rregulluar me Ligjin për Shërbimin Civil në Kosovë dhe Ligjin për Administratën Publike, shqetësimi qëndron mbi atë se, në Kuvendin Komunal të Rahovecit janë tre delegatë të cilët janë duke e shkelur Ligjin për shërbimin civil të Kosovës nr. 149”, thuhet në një deklaratë të VV-së.
Sipas VV-së, që nga zgjedhjet lokale të vitit 2009 kur e kanë fituar mandatin si delegatë, të njëjtit nuk e kanë pezulluar marrëdhënien e punës, siç është paraparë me dispozitat e Ligjit për Shërbimin Civil, neni 89 nënparagrafin 1.3.
Sipas VV-së në Rahovec, si shkelës të ligjit janë evidentuar: Avdullah Kryeziu, udhëheqës divizioni në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe njëherazi delegat i LDK-së në Kuvendin Komunal të Rahovecit; Burim Krasniqi, ekspert në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe njëherazi delegat u LDK-së në Kuvendin Komunal të Rahovecit dhe Labinot Berisha zyrtar për mundësi të barabarta në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe njëherazi delegatë në Kuvendin Komunal të Rahovecit./Indeksonline/