E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Protesta për Preshevën, kundër pafytyrësisë së qeverisë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se qeveria e Kosovës ka bërë tepër pak dhe tepër vonë dhe nuk ka qenë asnjëherë e interesuar për qytetarët e Luginës së Preshevës.

“Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë duhet të krijojë një fond zhvillimor për qytetarët e Luginës e jo për serbët e veriut” ka thënë Kurti në emisionin “Interaktiv”.

Duke folur për protestën paqësore që do të mbahet në Prishtinë, Kurti ka thënë se Lugina e Preshevës meriton më shumë se protestat.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, solidarizohet me qytetarët e Luginës së Preshevës.

“Kjo protestë paqësore është solidarizim me qytetarët e Preshevës dhe është kundër pafytyrësisë së qeverisë së Kosovës” ka thënë Kurti.

Kurse, dëmtimin e monumenteve të luftës së ish-Jugosllavisë, e ka quajtur gabim.

Ai ka thënë se bisedimet Prishtinë-Beograd, duhet të ndërpriten menjëherë. Kurse për liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, ka thënë se i është “bashkuar” PDK-së edhe pse kjo e fundit nuk e ka pranuar.

Sipas tij, AAK po e mbështetë dialogun duke e dërguar Blerim Shalën si koordinator të bisedimeve.

Albin Kurti ka thënë se RTK-ja është shndërruar në servis qeveritar. Kurti ka thënë se me pafytyrësinë e tij ky kryeministër, nuk befason më.

“Kryeministri Thaçi nuk e ka dhënë asnjë cent për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe tash del i akuzon popullatën pse nuk po e mbroni lapidarin, të cilën popullatë ai vetë e ka çarmatosur” ka thënë Kurti.

Ai partinë e kryeministrit Thaçi, PDK-në e ka quajtur “Kleptokraci”. Kurti ka thënë se lëvizja që ai drejton është e hapur për kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqin, nëse ky i fundit dëshiron t’i bashkohet Vetëvendosjes.

“Është ende herët të flitet për një gjë të tillë, por ne gjithmonë kemi marrë fjalë të mira nga kryekuvendari Krasniqi” ka thënë Kurti.

Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje, do të fillojë në orën 14:00, te Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›