E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kurti: Serbia vazhdon përpjekjet për destabilizimin e Kosovës

PRISHTINË, 1 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se Serbia po vazhdon përpjekjet për destabilizim të Kosovës. Sipas tij, institucionet e inteligjencës dhe sigurisë janë duke u “kundërvënë suksesshëm ndaj këtyre përpjekjeve”.

“Mirëpo, institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Republikës janë duke u kundërvënë suksesshëm ndaj këtyre përpjekjeve. Këtu përfshihen edhe arrestimet e personave përgjegjës, me dëshmi për aktivitete të tyre kundër Kosovës, sikurse rastet e Bojan Jevtiq, toger në Policinë e Kosovës, i arrestuar më 17 korrik 2025, mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës për interesa të agjencisë për siguri dhe informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacione të Policisë së Kosovës në veçanti. Dhe Igor Popoviç, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i arrestuar më datë 18 korrik 2025 për nxitje të përçarjes dhe mos durimit ndëretnik”, deklaroi Kurti në mbledhjen e qeverisë në detyrë.

Për ndihmësdrejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviç, Kurti tha se kanë siguruar dëshmi për lidhjet e tij me BIA-n.

“Institucionet tona kanë siguruar dëshmi për lidhjet e tij me Agjencinë për Siguri dhe Informim [BIA] dhe ushtrimin e aktiviteteve në dobi të saj. E ndër to përfshihen edhe incizimi ilegal të bisedave të datës 17 shtator 2020, të cilat janë zhvilluar në Bruksel në objektin e Bashkimit Evropian, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Pastaj përpjekjet për pengim dhe sabotim  të drejtësisë dhe aktivitete të tjera të cilat cenojnë sigurinë kombëtare të vendit tonë. Rasti i fundit ku dëshmohet incizimi ilegal dhe i fshehtë i bisedave në Bruksel është rast jashtëzakonisht serioz që shpërfaq në një formë që nuk kemi hasur më herët qasjen sistematike, destruktive, minuese, sabotuese të Serbisë në raport me palët, ndërmjetësuesin dhe vet procesin e ndërmjetësuar nga Brukseli”, shtoi Kurti.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›