Kurti, kandidat i LVV për kryeministër,LDK me Osmanin për presidente dhe Abdixhikun për kryeministër

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje shkon sërish me Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.
Në takimin e këshillit të kësaj force, ku u mor vendimi, Kurti shprehu besimin se në zgjedhjet e ardhshme Vetëvendosje do të fitojë një mbështetje edhe më të madhe se në ato të 28 dhjetorit.
“Prej shkurtit deri në dhjetor. Pra, në vitin e kaluar u rritëm për 9%. E nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor, atëherë vërtetë do të mund të prekim edhe 60%. Nëse punojmë ashtu siç veç ne dimë, ashtu siç e kërkon situata, me sinqeritet dhe përkushtim, edhe kjo pa dyshim që është e mundur“, u shpreh Kurti.
Ndërkohë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi se forca që ai drejton shkon në zgjedhje me Vjosa Osmanin si kryesuese të listës dhe kandidate për presidente, ndërsa ai vetë do të jetë kandidat për kryeministër.
“Në këtë bashkim tonin do të garojmë në një listë të përbashkët me Vjosën si bartëse e saj dhe kandidate për presidente të Republikës, e mua si kandidat për kryeministër. Do të garojmë bashkë me 110 kandidatë si pjesë e një qëllimi shumë më të madh se vetja”, tha Abdixhiku.
Zgjedhjet e reja në Kosovë mbahen pasi legjislatura e 10-të e Kuvendit nuk arriti të zgjidhte kreun e ri të shtetit, një proces për të cilin nevojiteshin edhe votat e opozitës.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/