E Martë, 3 Nëntor 2026

Kurti nis diskutimet me pakicat për formimin e qeverisë

PRISHTINË, 2 prill/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar takimet me partitë politike të pakicave, për konsultim me to në lidhje me formimin e qeverisë së re pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe fillimit të afateve kushtetuese drejt formimit të legjislaturës dhe qeverisë së re.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se në kuadër të këtyre diskutimeve, kryeministri u takua me zëvendëskryeministren e tretë në detyrë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut dhe kryetaren e Partia e Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi. Ajo e konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit me Lëvizjen VETËVENDOSJE! si fituese e zgjedhjeve të fundit dhe mbështetjes së kryeministrit Kurti në formimin e qeverisë së re.

“Kryeministri Kurti e falënderoi Rexhepi për bashkëpunimin e frytshëm, rezultatet e arritura gjatë këtij mandati dhe punët e mbara që na presin në katër vjeçarin e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Pas këtij takimi, Kurti u takua edhe me ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vijoi takimet me partitë politike të pakicave, në kuadër të konsultimeve për formimin e qeverisë së re. Ai mirëpriti ministrin për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq. Përgjatë diskutimit, ministri Rashiq e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti e falënderoi kryetarin Rashiq për punën e madhe dhe kontributin e dalluar që ka dhënë për komunitetin serb në Kosovë për vetëm gjysëm mandati si ministër për Komunitete dhe Kthim. Ai shprehu gjithashtu vullnetin për vijimin e bashkëpunimit efikas dhe të frytshëm edhe në katërvjeçarin e ardhshëm për të arritur së bashku suksese të tjera dhe punë të mbara në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025, njofton Zyra e Presidencës.

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procesi për krijimin e Qeverisë. Sipas Kushtetutës, presidenti është i detyruar t’i propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër, pas një konsultimi me partinë apo koalicionin që ka fituar shumicën.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt dhe rezultatet nga KQZ-ja janë certifikuar javën e kaluar. Në bazë këtyre rezultateve, LVV ka dalë e para me 48 deputetë, PDK e dyta me 24 deputetë, LDK e treta me 20 deputetë dhe AAK-NISMA e katërta me 8 deputetë. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›