E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kurti nuk e priti në takim, Rama: Është i ftuar në Samitin e ‘Procesit të Berlinit’ që do mbahet në Tiranë

Nga Podgorica, kryeministri Edi Rama ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i ftuar të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i pyetur në lidhje me refuzimin e Kurtit për të zhvilluar një takim me të gjatë vizitës në Kosovë, Rama tha se ai shkoi në atje si kryeministër i Shqipërisë dhe se nuk ka “asnjë problem” personal apo institucional me kreun e qeverisë së Kosovës.

“Në mënyrën më absolute s’kam asnjë problem personal dhe aq më pak institucional me kryeministrin e Kosovës. Kam vetëm qëndrime të kundërta lidhur me një situatë të caktuar. Unë e përjetoj si një situatë që duhet ta trajtojmë sëbashku, Albini si një situatë që mund ta trajtojmë pa u takuar. Kaq. E përsëris, në takimi e Tiranës, pavarësisht qëndrimit të BE dhe vendeve të tjera, kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar. Unë dëshiroj që ne të jemi të 6 bashkë aty. Në Tiranë, Albin Kurti është në shtëpinë e vet”, tha Rama.

Kryeministri Rama zhvilloi të enjten (6 korrik) një vizitë në Prishtinë, në kuadër të turit ballkanik, ku zhvilloi një takim me Presidenten Vjosa Osmani dhe kreun e Kuvendit, Glauk Konjufca. Kryeministri Albin Kurti refuzoi të priste në takim Ramën, duke vendosur si kusht paraprakisht zhvillimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që u anulua para pak javësh.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›