Rama: Në mes të korrikut takim informal me liderët e rajonit! Duhet financimi i ri nga BE për Ballkanin

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Sarajeva se në mes të muajit korrik, do të organizojë një takim informal me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Komisionit Europian për ndërtimin e një qëndrimi të përbashkët për procesin e Berlinit dhe transformimin e këtij procesi në një makineri produktive.
“Së shpejti rreth mesit të korrikut do organizoj takim informal mes liderëve të rajonit dhe përfaqësuesve të KE për këtë plan të ri dhe për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët për procesin e Berlinit për ta transformuar këtë proces në një makineri shumë më produktive”, u shpreh Rama.
Kryeministri i dha një mesazh edhe Bashkimit Europian për një mbështetje të shtuar ndaj Ballkanit Perëndimor. Ai u shpreh se Bashkim Europian duhet të japë prova se sjellja e mirë dhe vullneti për të ndërtuar paqen, shpërblehet.
“Ne dëshirojmë të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor për ta shfrytëzuar samitin e Tiranës si një samit ku të marrë jetë plani i një financimi të ri nga ana e BE për këto 6 vende.
Qysh nga dita e parë e çeljes së negociatave me BE ne kemi nisur këtë përpjekje dhe ka një proces që është lajmëruar nga presidentja Von der Leyen për një mbështetje të re në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Mbështesim mbështetjen që BE i jep në çdo aspekt Ukrainës dhe nuk ka vend për krahasime, por është e domosdoshme që në raport me Ballkanin Perëndimor të ndërtohet një qasje e re.
Nuk besoj se ne duhet të fillojmë ndonjë luftë që të marrim më shumë mbështetje.BE duhet të na mbështesë edhe më shumë duke japë edhe një provë tjetër se sjellja e mirë shpërblehet, se vullneti për të ndërtuar paqen shpërblehet”, u shpreh kreu i qeverisë në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Kristo.
/rtsh.al/