E Diel, 1 Nëntor 2026

Marshi “Jo në emrin tim” më 1 tetor në Prishtinë e më 10 tetor në Bruksel

PRISHTINË, 22 shtator /ATSH/ Më 1 tetor do të mbahet marshi qytetar “Jo në emrin tim” në Prishtinë e më 10 tetor në Bruksel ka bërë të ditur platforma “Liria ka Emër”

Përfaqësuesit e saj paralajmëruan edhe nisjen e një peticioni në mbështetje të katërshës së UÇK-së që ndodhën në Hagë.

Njëra nga organizatoret e Platformës “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha, tha se data e marshit është zgjedhur për të rikujtuar protestën studentore të 1 tetorit 1997, të cilën e cilësoi si një moment historik të rezistencës paqësore qytetare.

“Më 1 tetor do të organizojmë marshin e madh “Jo në emrin tim”. Data nuk është zgjedhur rastësisht, e kujtojmë të gjithë 1 tetorin e vitit 1997, kur studentët e Kosovës dolën në rrugë në një protestë paqësore, ku mbeti një moment historik i rezistencës qytetare… Më 10 tetor kjo thirrje vazhdon në Bruksel me mërgatën tonë. Do ta fillojmë peticionin qytetar “Jo në emrin tim”. Do të shkojmë komunë më komunë, qytet e qytet, për t’iu dhënë mundësinë qytetarëve për të vendosur emrin në këtë peticion. Nënshkrimet do t’i dërgojmë simbolikisht në Bruksel, Strasburg dhe në Hagë, si shprehje qëndrimi të qytetarëve që zgjedhin të ashpërnë karshi historisë së përbashkët. Gjatë 12 muajve të ardhshëm do të vazhdojmë me aktivitete qytetare, akademike, politike, publike në Kosovë dhe jashtë saj”, tha Hoxha.

Hoxha tha se kërkesa kryesore drejtuar institucioneve është hartimi i një plani institucional dhe koordinimi i përbashkët, ndërsa qytetarëve u bëri thirrje për pjesëmarrje të vazhdueshme.

Ideatori i Platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se përballë fazës së re juridike duhet të ketë koordinim ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, partive politike, diplomacisë, ekspertëve dhe mërgatës.

“Sot nuk jemi këtu për pushtet dhe opozitë, nuk jemi për t’i hapur betejat e djeshme politike, sot duhet të jemi bashkë. Përpara është një proces vendimtar dhe fazë e re juridike dhe kërkojmë që institucionet e Kosovës të veprojnë me përgjegjësi, koordinim dhe transparencë. Qeveria duhet të na tregojë qartë cili është plani, cila është strategjia shtetërore, çfarë mbështetjeje juridike dhe financiare ofrohet, çka do të bëjë diplomacia e Kosovës, si duhet të angazhohen institucionet akademike dhe ekspertët ndërkombëtarë. Këto pyetje kërkojnë përgjigje konkrete. Pushteti dhe opozita duhet të jenë brenda një koordinimi të përbashkët institucional. Diplomacia, ekspertët dhe mërgata duhet të bëhen pjesë e një përpjekjeje të koordinuar”, deklaroi Tasholli.

Ai kërkoi që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët, me fokus në mbështetjen institucionale për mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe sigurimin e financimit për mbrojtjen juridike.

Tasholli tha se tani, sipas tij, është koha për veprime konkrete dhe jo për deklarata

Ai paralajmëroi se Platforma “Liria Ka Emër” do të vazhdojë aktivitetet në Kosovë dhe jashtë saj, duke kërkuar që çështja të trajtohet përmes një qasjeje të koordinuar institucionale dhe qytetare.

Tash e disa ditë në ora 21:00 po mbahen protesta në sheshin Skëndërbeu dujke kundërshtuar vendimin dënues të  Gjykatës Speciale ndaj katër krerëve të UÇK-së.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›