E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti thotë se aksioni në Veri është i gabuar

Nga Express më 16 shtator 2011 në ora 12:09

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka vlerësuar se nga veprimet e kryeministrit në veri që i ka parë deri tash, i është mbushur mendja se të premten nuk do të ketë ndonjë risi.

Kurti, në një intervistë për “Kohën Ditore”, ka shprehur bindjen se Thaçi po i qaset gabueshëm kësaj pjese të Kosovës.

Sipas tij, Thaçi ka logjikë guerile.

Me paralajmërimin për të ndërhyrë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, sipas Kurtit, Thaçi po i trajnon strukturat e Serbisë, po i mobilizon ato dhe po i vendos në gjendje gatishmërie. Duke bërë këso aksionesh pa i ndërprerë njëkohësisht bisedimet me Serbinë, sipas tij, kryeministri “më parë se sa t’i shtojë sovranitet e integritet territorial Kosovës, po i shton tema të reja dialogut në Bruksel”.

Druan se veprimet në kufi po bëhen me hile. Gjykimi i tij është se, duke u fokusuar vetëm në pika dhe jo në territor, atëherë po luhet loja që Kosova, mbase, edhe do të mund t’i ketë të përforcuar kufijtë e jashtëm, por në kurriz të integritetit territorial të brendshëm.

Kurti, që drejton lëvizjen “Vetëvendosje”, subjekt opozitar i dyti për nga numri i deputetëve në Parlament, ka thënë se Thaçi po e ndihmon shumë Serbinë përmes bisedimeve me të në Bruksel, pasi që, sipas tij, asisoj kushtet e Bashkimit Evropian për Serbinë po bëhen kushte për Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›