E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush do të bëhet milioner, Nojer fiton 500 mijë euro

Portieri i Bajernit të Mynihut dhe i kombëtares gjermane, Manuel Nojer, ka fituar 500 mijë euro në kuicin e njohur ndërkombëtar, Kush do të bëhet milioner, në Gjermani. Sidoqoftë, edhe pse fati, aftësitë dhe njohuritë e tij e shpërblyen me një shumë të tillë të majme, Nojer u tregua shumë zemërgjerë, teksa 500 mijë eurot e fituara ua dhuroi organizatave që merren me ndihma humanitare. Tashmë nuk guxoj të luaj lojëra të fatit, sepse duhet ti kthehem stërvitjes me Bajernin e Mynihut, – ka thënë Nojer në emisionin përkatës, që po transmetohej në televizionin gjerman RTL.
Portieri i gjeti të gjitha përgjigjet, deri në pyetjen e dhjetë të drejtuesit të emisionit, ndërsa në këtë moment, duke pirë një pije freskuese, e revizionoi vetveten. Përpara alternativës ndihma e publikut apo telefonoji një miku, e cila mund ti jepte përgjigjen e saktë të pyetjes së dhjetë, Manuel Nojer, pasi u mendua pak, tha: “Loja ime mbaron këtu, nuk dua të rrezikoj më tej”, duke ruajtur shumën e fituar deri në atë moment, 500 mijë euro. Përkrah portierit të kombëtares gjermane kanë qenë lojtarë të këtij kuici të famshëm edhe shumë sportistë e artistë të tjerë të njohur, por Nojer ka rezultuar më i suksesshmi në mesin e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›