E Diel, 1 Nëntor 2026

Blank: Franca nuk mund ta fitojë Europianin

Ndërkohë, mbrojtësi i Barcelonës, Erik Abidal i thotë jo shiritit të kapitenit në përfaqësuese

Trajneri i Francës, Laurent Blank, thotë se skuadra të cilën e drejton nuk është e aftë për ta fituar Kampionatin e ardhshëm Europian. Në shortin që mbahet më 2 dhjetor, Franca mund të gjejë veten në një grup me përfaqësuese të tilla, si Spanja, Holanda dhe Gjermania, ndërsa Blanc është pesimist se kombëtarja e tij mund të ketë sukses. I pyetur nga gazetarët nëse Franca mund ta fitojë turneun Euro 2012, ai është përgjigjur: “Do të thosha jo. Ndonjë ndeshje, po, mirëpo jo të gjithë garën.” Ndërkohë, Erik Abidal, mbrojtësi francez i Barcelonës, i ka thënë trajnerit të “Gjelave”, Laurent Blank, se nuk dëshiron që të mbajë shiritin e kapitenit në kombëtare. Sipas gazetës ‘L’Equipe’, arsyeja është se të qenurit lideri i Francës “është një përgjegjësi që nuk përputhet me karakterin e lojtarit”. “Abidal nuk dëshiron të ketë rolin e kapitenit në kombëtare. Duhet të vendos nëse kapiteni i ekipit do të jetë Hugo Loris apo Filip Mekses”, u shpreh trajneri Blank. Sipas gazetës, 32-vjeçari nuk do që të dalë para mediave sa herë që ndodhin incidente në grumbullimin e Francës. Në kohën kur kombëtaren franceze e drejtonte Rajmond Domenek, Abidal ka mbajtur shiritin e kapitenit në një ndeshje ndaj Turqisë, por pas takimit theksoi se nuk i pëlqente kjo gjë. “Nuk mund të bëj ndërlidhësin mes brezave që ka në kombëtare. Nuk jam nga ata tipa që ngrenë zërin, që i kërkojnë trajnerit të ndryshojë skemën apo taktikën. Nuk mund të jem kapiten”, pati deklaruar Abidal.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›