Stankoviç: 33 pikë deri në fund të sezonit
Përveç mesfushorit serb, edhe kapiteni Zaneti beson se Interi mund të rikthehet pretendent për titullin kampion, nëse merr maksimumin e pikëve deri në fund të fazës së parë
Tetë pikë pas nëntë ndeshjesh, vendi i tretë nga fundi që ndahet me Leçen. Fillimi i sezonit për Interin ka qenë një makth i vërtetë, por pushimet duket se kanë rikarikuar bateritë e zikaltërve. Dejan Stankoviç premton rikthimin: “Po e përgatisim këtë sulm final për vitin 2011 shumë mirë. Shpresoj të shoh një Inter të bukur, një Inter konkret që të shtunën në darkë të sjellë në shtëpi 3 pikët”, thotë duke iu referuar garës së San Siros kundër Kajliarit. Por sfida me sardët duhet të jetë fillimi i ringritjes. “Nuk mund t’i shpëtojmë klasifikimit tonë, por mund ta ndërrojmë – vijon mesfushori serb -. Një vit më parë fituam Botërorin e Klubeve, ndërsa tani po e shohim veten në jë renditje të pazakontë për Interin. Por do të shkojmë përpara. Grupi është përmirësuar edhe në pikëpamjen fizike dhe ajo që mund të premtojnë është impenjimi maksimal për të fituar shumë pikë. Janë 33 në lojë deri në fund të vitit, shpresojmë që të marrim maksimumin.”
Kapiteni zikaltër shpjegon strategjinë e tij për të rikuperuar terren në kampionat dhe “sponsorizon” ardhjen e Tevezit: “Sigurisht që është një lojtar për Interin” Asnjë problem në rast të rikthimit të Mario Balotelit. “Regjia dhe muzika” e kapitenit zikaltër Havier Zaneti: “Po flitet shumë për të, sepse po tregon vlerat e tij, që asnjë nuk i diskuton, sepse ka cilësi të mëdha. Nëse një ditë do të rikthehej, grupi do ta priste mirë siç i ka pritur të gjithë lojtarët që kanë ardhur”. Pastaj përgënjeshtron fjalët e Ibrahimoviçit mbi ekzistencën e klaneve brenda skuadrës në kohën që suedezi luante me Interin: “Grupi ynë është shumë i bashkuar, përndryshe nuk fitohen gjithë ato trofe që kemi fituar më parë”. Gjatë prezantimit të librit, “Interi, atë mbrëmje”, Zaneti ka nënvizuar që “duhet të kthehemi të jemi protagonistë. Duhet të mendojmë për Kaljarin, të marrim sa më shumë pikë deri në Krishtlindje. Pastaj vjen faza e dytë në janar dhe ne duhet të mendojmë për të kapur kreun. Duhen përballur të gjitha ndeshjet në mënyrën më të mirë, për të marrë vetëm tri pikët. E dimë që nuk është e thjeshtë, pastaj do të jetë fusha ajo që do të flasë. Merkato? Sigurisht nëse do të vijnë lojtarë të rëndësishëm do të përforcojmë një skuadër që është gjithsesi e fortë. Mendoj që do të vijnë. Tevez? Ka probleme me klubin e tij. Po flasim për një kampion. Sigurisht që është një lojtar për Interin”. Orët e fundit kanë qarkulluar emrat e Lisandro Lopezit dhe Hulian Velaskuezit: “Po luajnë shumë mirë, – vazhdon Zaneti, – por duhet thënë se vijnë në një kampionat ndryshe, nëse do të vijnë duhet pak kohë për t’u përshtatur siç ndodhi me Alvarezin dhe Kastanjosin, që sipas meje janë lojtarë të mëdhenj, por duhen pritur”. Në fund kapitulli “Calciopoli”, për të cilin Zaneti thekson: “Presidenti Morati ka qenë shumë i qartë, pasi është një zotëri, siç ka qenë një zotëri edhe Faketi. Ne tani duhet të përqendrohemi te ndeshjet, por Morati ka folur në mënyrën e duhur. Ai është një president i madh, i cili sa herë që flet, i thotë gjërat siç i di”.