Kush do të jetë vendimi për Bashkinë e Tiranës
Është e qartë që pushteti ka zbatuar një strategji të shëmtuar gjatë tranzicionit. Vit pas viti, kjo strategji ka synuar të shkatërrojë normalitetin. Një vend normal nuk mund të sundohet lehtë: Ky është një perceptim i njohur për sundimtarët, sipas të cilëve mënyra më e mirë për të vrarë shpresën, është vrasja e drejtësisë, që do të thotë, pesimizwm kolektiv e rrjedhimisht, cnormalizim. Prandaj banditët pushtetarë të tranzicionit kanë sulmuar pikërisht drejtësinë, kalimthi edhe moralin, dhe në fund edhe vlerat, për të qenë në pushtet sa më gjatë.
Po të kthejmë kokën pas, konfliktet më të qarta në horizontin e së shkuarës janë ato midis pushtetit dhe institucioneve të drejtësisë, dhe kjo gjë nuk është një rastësi. Edhe më hutaqët dhe harraqët e këtij vendi e dinë këtë gjë: makthi më i madh i mazhorancës së Berishës nuk ka qenë aq ardhja në pushtet sa ka qenë mbajtja nën kontroll e organeve të drejtësisë. Në do të sundosh një popull sa më gjatë, vraji shpresën duke i vrarë drejtësinë. Sepse vetëm një vend në të cilin nuk funksionon drejtësia, sundimi është i kollajtë. .. Prandaj lufta e pandalur kundër prokurorëve rebelë, kur këta kanë dalë rishtazi nga kontrolli i mazhorancës, ka qenë motoja e përhershme e pushtetit të kryeministrit Sali.
Kriza politike në Shqipëri sot po prodhon një ndjeshmëri të pazakontë, për shkak se kjo është transformuar në një krizë besimi. Frymëmarrja e kombit është ndalur në vendimin e ardhshëm të Kolegjit Zgjedhor. Kush do të jetë vendimi për Bashkinë e Tiranës në gjykimin e tij? Ka një ngarkesë ngazëllimi publik vendimi final i këtij Kolegji që historia sot e ka vënë në provë integrale të provojë drejtësinë në këtë vend. Kjo është një kurth iluzioni, me përshpirtje besimi: A do të shkojnë gjërat në vendin e duhur dhe a do të triumfojë normaliteti? A do të votohet një herë të vetme drejtësia, apo sundimi, dhe a do të ketë më në fund një hapësirë të re për një besim të ri ndaj organeve të saj në këtë vend?
Edhe për shkak të kësaj, situata paszgjedhore i ka dhënë Kolegjit Zgjedhor një autoritet të pazakontë:? Shumëkush i ka lejuar hapësirë përfytyrimeve të ndaluara: Çpo ndodh me shpirtrat e gjykatësve që mbajnë në dorë vulat e rënda të gjykimit, shpresës dhe ardhmërisë?
Vështirë të fantazosh të kundërtën e faktit që ndërgjegjet e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor sot janë të trazuara. Engjëj të shqetësuar patjetër që vijnë rrotull tyre e flatrojnë nervozë këto ditë, në familjet e tyre, në dhomat e gjumit, në ambientet ku rrinë, pinë kafe dhe bisedojnë kushedi çfarë. Perëndim i zi, atje tej, me re të zeza horizonti matanë, ju ka pushtuar me siguri peizazhet e brendshme Çmallkim për historinë sikur në koshiencën e tyre mos ketë shpërthyer vullkani përvëlues i një përgjegjësie të madhe! Mesazhi i qartë gjëmon për të gjithë, dhe vjen nga qielli edhe për veshët e tyre: Këta gjyqtarë, të cilët e kanë ose jo në kontroll ndjeshmërinë apo autoritetin e tyre, ftohen të jenë shenjtorët e parë të lirisë, nëse do mund dhe do duan të vendosin drejtësinë, ose do të jenë si të tjerët, paraardhësit e tranzicionit, djajtë e një epoke të vjetër, mbyllur përgjithmonë në shishet e pushtetit. Natyrshëm, pyetja vjen për furinë e presionit që politika i bën Kolegjit Zgjedhor: A ka arsye të mjaftueshme që njerëzit të mendojnë se rasot e zeza të fatit njerëzor, që quhen gjykatës të këtij Kolegji, sido që të gjykojnë, do të kenë lartësinë profesionale që kërkon situata , për të dalë mbi kërcënimet, presionin dhe mbi frikën civile që gjeneron sundimi, pushteti, për të vulosur drejtësi të shëndetshme? Pyetje e vështirë. Bazuar në inercinë që ka patur dhe ka babëzia e mazhorancës për të qeverisur, përgjigja është jo. Edhe murgjërit e manastireve të malit të Shenjtë e dinë që pasioni i pamposhtur i kryeministrit shqiptar për të qenë në pushtet dhe për të kontrolluar çdo nyje pushteti, nuk është thjesht një dëshirë, është babëzi. Është dashuri me lëngje dhe orgazëm! Përballë këtij shkulmi, asnjëherë drejtësia deri më sot nuk ka fituar qoftë edhe një betejë të vetme. Përse duhet të ndodhë tani? Por, mund të ndodhë, kushedi. Bazuar në supozimin se këtë herë, mbase nuk do të kemi thjesht një gjykim, por një sfidë, madje nuk do të kemi thjesht një sfidë, por një epokë drejtësie dhe ndershmërie për shqiptarët, përgjigja le hapësirë për të besuar tjetër gjë.
Lajmi i mirë është se drejtësia e shqiptarëve, këtë herë, me sa duket, nuk do të jetë vetëm çështje e brendshme e tyre. Edhe pse të manipuluara mjeshtërisht nga kreu i qeverisë deri tani, opinionet e të huajve duket se kanë ndryshuar. Pasi kanë bërë paqe me dilemat e tyre, arbitrat ndërkombëtarë e kanë lënë pas paqartësinë, me një sjellje të qartë: Nuk mund të paragjykosh shijen e ardhshme të kulaçit, pa futur më parë duart në brumin e tij. Nuk mund të njohësh mirë shqiptarët në pushtet dhe në opozitë, pa hedhur vetë vallen e tyre. Kjo ka ndodhur: Duke futur duart në brumin e fatit tonë, të huajt zëre se po trokasin në pragjet e përditshmërisë sonë, për të kuptuar se sa i pazakontë është tradicionaliteti ynë për ata. Si partnerë, si arbitra, ata kanë hequr dorë nga zakoni planetar i tyre, për të na dhënë nga larg mësime morali dhe demokracie. Për shkak të antikitetit dhe primitivitetit që kanë kuptuar në natyrën tone, ata kanë zgjedhur të jenë konstruktivë dhe instruktivë me ne, brenda nesh, sepse, sigurisht që tani e dinë që ne përbëjmë një rast unikal për ata. Dhe përfundimi është i qartë: Csurprizë deri në histeri përfaqësoka kokëulja jonë gjenetike ndaj shtypjes dhe mungesës së drejtësisë! Deri dje, po këta që ishin sinonime të paqartësisë, që na këshillonin prej tribunave respektimin e ligjeve, kushtetutës dhe institucioneve të vendit dhe drejtësisë, sot janë të shokuar tek shohin nga afër se jo vetëm pushteti por edhe drejtësia është pronë e duarve të padrejta dhe si e tillë, rrezikon të mos ekzistojë. Pasi vëzhguan me sytë e tyre dhe numëruan me gishtat e tyre një rezultat, në mes të shqiptarëve dhe në mes të habisë së tyre, ata u gdhinë dhe vetë të habitur nga një rezultat i ndryshuar me shkop magjik nga Komisioni Ristanor i Zgjedhjeve.
Jo vetëm ata. Duket se ka një reagim cilësor ndaj ndryshimit të turpshëm që Komisioni Zgjedhor i bëri rezultatit delikat në Tiranë. Njerëzit e emancipuar, intelektualë dhe personazhe të shoqërisë civile, janë përfshirë në një valë proteste të heshtur ndaj shkeljes bajraktare të rregullave, sepse e kanë të vështirë të pranojnë fyerjen që vjen prej logjikës: Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë, të përdorur në një film për fëmijë të realizmit socialist. Komisioni është i imi, rregullat i ndryshoj si të dua, zgjedhjet i fitoj vetë, kur të dua!
Por edhe pala tjetër, që përfiton nga këto shkelje e ndryshime, është hedhur në barrikadën e kundërshtisë së kotë, me një pasion kokëfortë. Ditët e fundit, një numër jo i vogël gërmashkruesish shkuan madje shumë larg, me sulme mediokre kundër gjigandit të letrave shqipe, Kadare, i cili hodhi dritë mbi ndershmërinë e munguar: Shpërdorimi i demokracisë në emër të kualitetit të saj, përbën shpërdorim dinjiteti dhe poshtërim për të gjithë. Gjallesat e analizave proqeveritare atëherë u hodhën në korr, në shtypin qeveritar: Le të jetë kush të dojë Ismail Kadare! Gjigandët e vërtetë jemi ne, talentet e mëdhenj jemi ne, këlyshët krenarë të pushtetit që na mban dhe e mbajmë me çdo kusht!
Prandaj ka një elektrizim në Shqipëri dhe sytë e kombit janë drejtuar mbi Kolegjin Zgjedhor. Si kurrë ndonjëherë, drejtësia ka një pritshmëri therëse për të gjithë. Moralitet, pikë së pari, do të thotë, normalitet. Do të shkëlqejë një herë të vetme dielli
