Kush e farkëtoi Pavarësinë e Shqipërisë?
Fill pasi Fuqitë e Mëdha e njohën më 29 korrik 1913, Pavarësinë e Shqipërisë, që shpalli Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912, në fushën e studimeve historike lindi pyetja: Kush e farkëtoi Pavarësinë e Shqipërisë, populli shqiptar apo Fuqitë e Mëdha?
Midis atyre që pohuan se, pavarësinë e Shqipërisë e farkëtuan Fuqitë e Mëdha dhe jo vetë shqiptarët qenë, në radhë të parë, publicistët, pastaj diplomatët, më tej historianët serbë dhe grekë, krahas tyre disa pena evropiane, perëndimore dhe lindore. Nuk ka dyshim se në këtë mes ndikuan, te të parët interesat nacionaliste apo partikulariste të vendeve të tyre, te të dytët konceptet që kishin për rolin absolut te Fuqitë e Mëdha në caktimin e hartës politike të botës, si rrjedhim, në mospëfilljen e rolit të popujve të vegjël në përcaktimin e fatit të tyre.
Si argument kryesor në mbështetje të tezës së tyre, të dyja palët përdorin faktorin gjeopolitik - pozitën gjeografike të Shqipërisë në brigjet e Adriatikut jugor dhe të Jonit verior dhe së bashku me interesat strategjike që kishin disa prej Fuqive të Mëdha në këtë sektor. Sipas tyre, Fuqitë e Trepalëshit, në mënyrë të veçantë dy Fuqitë Adriatikase, Austro-Hungaria dhe Italia, preferuan krijimin e një shteti të vogël shqiptar, si zgjidhje optimale për të penguar daljen e Serbisë dhe të Greqisë në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit, prapa të cilave qëndronin fuqitë e Antantës. Me rolin vendimtar që luajti Adriatiku dhe jo faktori shqiptar në krijimin e Shqipërisë së pavarur, historianët e kësaj teze përdorin tri argumente. E para, se Shqipëria e shpalli pavarësinë, pra shkëputjen nga Perandoria Osmane, jo në luftë kundër saj, por kur ajo u mund nga monarkitë ballkanike. E dyta, se pa vendimin e Fuqive të Mëdha trojet shqiptare do të ishin copëtuar, në bazë të së drejtës së fitimtarit, midis aleatëve ballkanikë. E treta, se pa ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, shqiptarët nuk ishin në gjendje t‘i detyronin ushtritë serbe, greke dhe malazeze të largoheshin nga viset e pushtuara prej tyre. Shkurt, sipas tyre, farkëtari kryesor i Pavarësisë së Shqipërisë ishte (po të përdorim një shprehje të kohës) "Shën Adriatiku" dhe jo lëvizja kombëtare shqiptare.
Por teza, se lindjen e një shteti duhet ta kërkojmë te faktori i jashtëm, në përgjithësi nuk qëndron. Në radhë të parë, shtetet kombëtare nuk krijohen nga Fuqitë e Mëdha, në qoftë se nuk ekziston një popull që ka nevojë për shtetin e vet kombëtar dhe nëse ky popull nuk ka luftuar për të krijuar shtetin e vet të pavarur.
Rruga drejt Pavarësisë
Tashmë dihet se asnjë nga popujt e Gadishullit Ballkanik, përfshirë serbët dhe grekët, nuk kanë zhvilluar gjatë shekujve aq shumë kryengritje kundër zgjedhës osmane sa shqiptarët. Madje, prirjet për të krijuar formacione shtetërore autonome u shfaqën në Shqipëri me Kara Mahmut Bushatlliun që në çerekun e fundit të shek. XVIII dhe me Ali Pashë Tepelenën, që në çerekun e parë të shek.XIX. Pra, ato lindën përpara se prirjet autonomiste të shfaqeshin në viset e tjera të Ballkanit. Dihet gjithashtu se prirjet e pashallarëve shqiptarë për t‘u shkëputur nga varësia ndaj sulltanit arritën deri në shkallën e ballafaqimeve të armatosura midis forcave shqiptare dhe armatave osmane. Faktori që pengoi realizimin e përpjekjeve të tyre për të shndërruar pashallëqet shqiptare në shtete autonome ishte qëndrimi negativ i Fuqive të Mëdha evropiane - pra po ai faktor që ndihmoi Mehmet Ali Pashë Misirin që të krijonte në atë kohë në Egjipt shtetin e tij autonom.
Përballë lëvizjeve revolucionare gjithnjë në rritje, Evropa e dinastive në Kongresin e Vjenës (1815) mori në dorë rregullimin e ardhshëm të kontinentit. Në themel të programit të tij, Kongresi vendosi ruajtjen e status quo-së dhe marrëveshjen (konsensusin, apo siç u quajt në atë kohë "koncertin") midis tyre për çdo ndryshim që do të ndodhte në hartën e kontinentit. Siç e treguan ngjarjet, Fuqitë e Mëdha në vendimet që ato morën u mbështetën jo në parimet e vendosura, por në interesat e tyre politike, strategjike, ekonomike, ideologjike. Kështu p.sh., Fuqitë e Mëdha herë e shkelnin, herë e respektonin paprekshmërinë e kufijve të Perandorisë Osmane. Më 1920, ato nuk e pranuan kërkesën e Ali Pashë Tepelenës për t‘u shkëputur nga Perandoria Osmane. Përkundrazi, edhe pse më 1825 Revolucioni Çlirimtar grek u shtyp nga Perandoria Osmane, Fuqitë e Mëdha e detyruan Portën e Lartë që ta njihte më 1828 pavarësinë e Greqisë. Po ashtu, ato e detyruan Portën e Lartë të njihte autonominë e Serbisë, Vllahisë, Moldavisë, Malit të Zi, ndonëse këto vetë nuk qenë në gjendje ta shtrëngonin Perandorinë Osmane që t‘ua njihte të drejtat e tyre kombëtare.
Po ashtu, në Kongresin e Berlinit (1878), me kërkesën e Rusisë, Fuqitë e Mëdha e detyruan Portën e Lartë të njihte autonominë e Bullgarisë, ndonëse vetë bullgarët nuk qenë në gjendje që ato vetë të fitonin të drejtat e tyre kombëtare.
Përkundrazi, Fuqitë e Mëdha nuk i morën asnjëherë në konsideratë kërkesat e vazhdueshme politike të shqiptarëve, të shoqëruara kurdoherë me kryengritje të armatosura, për autonominë e atdheut të tyre. Madje, më 1881 kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte në përleshje të armatosur me Perandorinë Osmane për të shkëputur autonominë e Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha mbajtën përsëri anën e Portës së Lartë.
Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët për tridhjetë vjet me radhë, nuk reshtën së kërkuari autonominë e atdheut të tyre. Por, Fuqitë e Mëdha u treguan vazhdimisht "njerkë" për ta, deri edhe përballë kërkesës së tyre, për një autonomi të thjeshtë administrative dhe kulturore.
Nuk ka dyshim, pra, se faktori kryesor që pengoi krijimin e një formacioni shtetëror shqiptar, qoftë dhe me një autonomi të thjeshtë administrative, ishin Fuqitë e Mëdha dhe jo shqiptarët.
Dëshmia e fundit se Pavarësia e Shqipërisë qe vepër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare është Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912. Historianët objektivë e kanë vlerësuar Kryengritjen Shqiptare të vitit 1912, me vatër kryesore vilajetin e asaj kohe të Kosovës, me kryeqendër Shkupin, si vullkani që plasariti themelet e Perandorisë Osmane. Pikërisht në këto rrethana, kur kryengritja e përgjithshme shqiptare ishte gati duke e gjunjëzuar Perandorinë Osmane dhe kur monarkitë ballkanike i shpallën me të shpejtë luftë Turqisë për t‘i gëzuar ato vetë frytet e fitores - u mblodh Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i cili shpalli më 28 Nëntor 1912 Pavarësinë e Shqipërisë dhe formoi qeverinë e parë shqiptare nën kryesinë e Ismail Qemalit. Pretendimi i historianëve serbë dhe grekë se më 1912 qenë monarkitë ballkanike ato që e shpartalluan Perandorinë Osmane është një retorikë nacionaliste. Kur, në tetor 1912, filloi lufta e parë ballkanike, ushtritë serbe e patën rrugën e hapur ngase Perandoria Osmane ishte e kalbëzuar nga goditjet që kishte pësuar prej kryengritësve shqiptarë, kryesisht kosovarë. Marshimi i tyre nëpër Kosovë dhe nëpër Maqedoninë shqiptare ishte gati-gati një ekskursion. Nga ana e tyre, ushtritë greke edhe ato për hir të kryengritësve shqiptarë, nuk gjetën pengesa serioze gjatë marshimit të tyre nëpër Çamëri. Vetëm në tre pika, aleatët ballkanikë gjetën pengesa serioze, në Selanik, Janinë dhe Shkodër, ku kishte garnizone të freskëta osmane.
Faktori i dytë, që lehtësoi marshimin e ushtrive serbe dhe greke duhet kërkuar përsëri te shqiptarët, konkretisht te qeveria e Vlorës. Tashmë dihet se një nga vendimet e para që mori Kuvendi i Vlorës më 28 Nëntor 1912, ishte qëndrimi asnjanës i shtetit të ri shqiptar në luftën ballkanike. Po atë ditë, u nis nga Vlora me nënshkrimin e Ismail Qemalit, si kryetar i Kuvendit Kombëtar, telegrami me të cilin porositeshin të gjitha qytetet e Shqipërisë të ngrinin flamurin kombëtar dhe në pajtim me qëndrimin asnjanës të Shqipërisë së pavarur, të mos ndërmerrnin asnjë veprim ushtarak kundër ushtrive serbe dhe greke.
Pavarësia e cunguar
Dëshmi tjetër se pavarësia ishte fryt i vullnetit të shqiptarëve, ishte qëndrimi që mbajtën ato ditë Fuqitë e Mëdha. Ato nuk e njohën vendimin e Kuvendit të Vlorës, i cili e shpalli Shqipërisë si shtet i pavarur. Konferenca e Ambasadorëve e gjashtë Fuqive të Mëdha, që u mblodh në Londër tri javë më vonë, pranoi që Shqipëria të formohej si një principatë jo e pavarur, por autonome, nën sovranitetin apo nën suzeranitetin e sulltanit, madje nën garancinë, por edhe nën kontrollin e Fuqive të Mëdha, pra një shtet pa pavarësi dhe pa sovranitet. Shqiptarët nuk e pranuan verdiktin e Fuqive të Mëdha. Ballafaqimi midis këmbënguljes shqiptare për pavarësi të plotë dhe verdiktit të Londrës për autonomi të mbikëqyrur, vazhdoi tetë muaj. Vendimi i ri që mori Konferenca e Londrës, më 29 korrik 1913, me të cilin Fuqitë e Mëdha e njohën më në fund Pavarësinë e Shqipërisë, është një dëshmi më tepër e rolit aktiv që luajti vullneti i kombit shqiptar.
Megjithatë, vendimi i 29 korrikut 1913, pavarësisht nga "kontrolli" apo "mbikëqyrja" që morën përsipër të ushtronin Fuqitë e Mëdha, shënonte një fitore historike, mbasi me të Shqipëria u pajis me statusin e një shteti më vete, pa asnjë lidhje me Perandorinë Osmane. Me të u realizua kështu, ndonëse pjesërisht, programi madhor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Me vendimin që Kuvendi i Vlorës mori për krijimin e shtetit të ri shqiptar, demokratik dhe laik, me të drejta të barabarta për të gjithë banorët, pavarësisht nga përkatësia krahinore, shoqërore, fetare, etnike - parime këto që kishin frymëzuan vazhdimisht Rilindjen Kombëtare - Shqipëria përvetësoi, që në çastin e lindjes si shtet i pavarur, një identitet politik dhe juridik evropian. Themi pjesërisht sepse, programi i plotë i Rilindjes parashikonte të përfshinte në kufijtë e Shqipërisë, të gjitha trojet etnike shqiptare.
Në fakt këtë program pati, ashtu si Lidhja e Prizrenit, edhe Kuvendi i Vlorës. Programi u shpreh para së gjithash me pjesëmarrjen në të të delegatëve që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare, që nga Mitrovica deri në Prevezë. U shpreh gjithashtu me votën që ata dhanë për të përfshirë në kufijtë politik të shtetit të ri të gjitha trojet etnike që ata përfaqësonin. Por në lidhje me problemin jetik të kufijve, qarqet qeveritare shqiptare i patën në ato muaj duart e lidhura nga dy faktorë. E para, e drejta që sulltani u kishte dhënë Fuqive të Mëdha për t‘i caktuar ato vetë kufijtë e Shqipërisë pa përfillur parimin e plebishitit popullor, pra pa pyetur fare popullsinë që banonte në ato vise - ia kishte hequr Qeverisë së Vlorës të drejtën që të merrte pjesë në zgjidhjen e problemit të kufijve. Në bazë të kësaj të drejte, Fuqitë e Mëdha zbatuan, siç ishte në zakonin e tyre, praktikën e pazarllëqeve. E dyta, pushtimi i vendit nga ushtritë ballkanike, të cilat kërkonin të shkëputnin sa më tepër troje shqiptare në favor të tyre; ndërhyrjet e disa Fuqive të Mëdha për ta dobësuar autoritetin e Qeverisë së Vlorës me qëllim që ajo t‘u nënshtrohej vullnetit të tyre; prirjet e disa krerëve feudalë apo patriarkalë krahinorë, për të krijuar pushtete kantonale në vise të ndryshme të atdheut; kufizimi i autoritetit të Qeverisë së Ismail Qemalit vetëm në një pjesë të vogël të territorit shqiptar; më në fund, mungesa e mjeteve të Qeverisë së Vlorës për të krijuar menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, një administratë shtetërore në gjendje që të qeveriste vendin - të gjitha këto ia këputën këllqet Shqipërisë së sapolindur si shtet i pavarur. Pra, ajo nuk pati mundësi që të shprehte vullnetin e vet në zgjidhjen e çështjes jetike të kufijve të Shqipërisë.
Në këto rrethana, Fuqitë e Mëdha i caktuan kufijtë e Shqipërisë ashtu siç deshën vetë. Më tepër se gjysma e popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë, në pjesën më të madhe nën zgjedhën serbe, në një masë më të vogël nën zgjedhën greke e malazeze. Jashtë Shqipërisë mbeti Kosova, e cila kishte luftuar aq shumë për lirinë e atdheut. Dobësia e shtetit shqiptar arriti deri në atë pikë, sa Shqipëria më 1913 i humbi edhe ato vise që Lidhja e Prizrenit i kishte shpëtuar me sukses më 1878-1881 nga aneksimi malazez (Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën) dhe nga aneksimi grek (Çamërinë). Në këtë mënyrë, Konferenca e Ambasadorëve shkeli jo vetëm vendimin e Kuvendit të Vlorës, lidhur me sovranitetin kombëtar, por edhe me integritetin tokësor të kombit shqiptar.
Megjithatë, njohja e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha si shtet i pavarur më 29 korrik 1913 përfaqëson vetëm njërën anë të monedhës. Anën tjetër e përfaqëson statusi juridik, me të cilin ato e pajisën Shqipërinë e pavarur. Sipas Kushtetutës të hartuar prej tyre, Shqipëria e pavarur do të ishte nën kontrollin dhe nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Këtë kontroll dhe këtë garanci ato do ta ushtronin nëpërmjet K.N.K.-së (Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit) të përbërë nga përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha, plus një përfaqësues të vetëm të shtetit shqiptar. Në K.N.K. të drejtën e vetos e kishte çdo përfaqësues i Fuqive të Mëdha, por jo përfaqësuesi i shtetit shqiptar. Vetëkuptohet se garancia që ato morën përsipër për të mbrojtur shtetin e ri shqiptar ishte një komponent ndërkombëtar i rëndësishëm në favor të Shqipërisë, mbasi i detyronte monarkitë fqinje të hiqnin dorë nga orvatjet e tyre për të aneksuar trojet e shtetit të ri shqiptar. Por, e drejta e "kontrollit" mbi administratën shqiptare që Fuqitë e Mëdha fituan me statut, u duk shumë shpejt se ishte një minë me sahat që vihej në themelet e Shqipërisë së pavarur, por ende të pa konsoliduar. Rivalitetet midis Fuqive të Mëdha, të cilat tani në pragun e Luftës së Parë Botërore po acaroheshin gjithnjë e më tepër, u pasqyruan edhe në gjirin e K.N.K.-së. Atë që Fuqitë e Mëdha e jepnin me njërën dorë e sabotonin me dorën tjetër. Me ndërhyrjet e tyre gati të përditshme, në kundërshtim me njëra-tjetrën, në vendimet që merrte qeveria shqiptare, e pocaqisur, e kalbur nga brenda, e zhytën Shqipërinë dy muaj pasi hipi në fron princi Vid në një anarki, ku as qeni s‘e njihte të zonë. Si rrjedhim, ato Fuqi të Mëdha që u bënë garante për integritetin e Shqipërisë qenë po ato që e detyruan qeverinë e Durrësit, duke i vënë litarin në grykë, që ta ratifikonte Protokollin e Korfuzit, me të cilin qeveria e Athinës hodhi bazat për aneksimin e Shqipërisë së Jugut.
Fitorja e plotë e Pavarësisë, vepër e shqiptarëve
Pavarësisht nga kufizimet që Fuqitë e Mëdha i bënë sovranitetit të Shqipërisë, duke e futur atë në vartësi të K.N.K.-së shqiptarët e brohoritën pa përjashtim vendimin e 29 korrikut 1913. Me të drejtë, ata i konsideruan kufizimet politike dhe gjymtimet territoriale si akte të përkohshme. Për sa i përket sovranitetit, ata nuk e humbën besimin se shpejt Shqipëria do të çlirohej nga K.N.K.-ja, aq më tepër që kontrolli i Fuqive të Mëdha iu imponua Shqipërisë vetëm për dhjetë vjet. Në të vërtetë, cungimi i sovranitetit vazhdoi gati një vit. Në 4 gusht 1914, me fillimin e Luftës së Parë Botërore, K.N.K.-ja u shpërnda. Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, K.N.K.-ja nuk u rimëkëmb më. Ndërkohë, Fuqitë e Mëdha e treguan dashamirësinë e tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve me Traktatin e Fshehtë të Londrës që ato nënshkruan në 26 prill 1915. Katër nga gjashtë Fuqitë e "koncertit" evropian - Britania e Madhe, Republika Frënge, Rusia Cariste, Mbretëria Italiane, të cilat kishin nënshkruar njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë më 29 korrik 1913 dhe kishin pranuar kufijtë politikë që ajo ka sot, u morën vesh me anën e këtij traktati që në mbarim të Luftës së Parë Botërore, po ta fitonin luftën, ta copëtonin Shqipërinë dhe të shpërblenin me territoret e saj Serbinë në veri, Greqinë në jug, Italinë në Vlorë, kurse me pjesën që do të mbetej do të krijohej në Shqipërinë e Mesme një shtetëruc mysliman shqiptar nën protektoratin e Italisë. Traktati i Londrës u hodh poshtë jo nga Fuqitë e Mëdha, por nga vetë shqiptarët. Në Kongresin e Lushnjës, në janar 1920, shqiptarët patriotë ditën të shfrytëzonin të çarat që ekzistonin në radhët e Fuqive të Mëdha dhe të shpallnin vendimin e tyre të patundur se nuk pranonin asnjë cenim të sovranitetit dhe të tërësisë tokësore të atdheut të tyre. Madje, Kongresi e përmbysi edhe Kushtetutën e miratuar para Luftës nga Konferenca e Ambasadorëve, pra të drejtën e kontrollit të Fuqive të Mëdha mbi Shqipërinë. U realizua kështu Pavarësia e plotë të shtetit Kombëtar Shqiptar. Si përfundim, mund të thuhet pa ndrojtje se farkëtari kryesor i shpalljes së Pavarësisë kombëtare të Shqipërisë, i krijimit të shtetit shqiptar të pavarur ishte vetë populli shqiptar, më saktë ishte fryt i vullnetit të tij dhe rezultat i përpjekjeve të tij. Sa më tepër kalojnë vitet dhe sa më tepër shohim veprën historike të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, aq më tepër bindemi se vendimi i Kuvendit të Vlorës shënonte një fitore pesëfishe - kundër sundimit shekullor osman, kundër politikës së deriatëhershme negative të Fuqive të Mëdha, kundër qëndrimit që kishin mbajtur deri atëherë monarkitë fqinje, kundër prirjeve partikulariste të krerëve feudalë dhe bajraktarë, më në fund kundër mohimit të shtetësisë shqiptare nga institucionet reaksionare klerikale që vepronin në Shqipëri. Nga ana tjetër, me statusin që kuvendarët e Vlorës i dhanë Shqipërisë që në ditën e parë të lindjes së saj si shtet i pavarur, sovran, demokrat, iluminist, e rreshtuan Shqipërinë në gjirin e bashkësisë evropiane. Megjithatë, roli që luajtën Fuqitë e Mëdha nuk mund të mohohet, por as të teprohet. Po të kemi parasysh se deri më 1912, Evropa e "dinastive" ua kishte mohuar vazhdimisht shqiptarëve të drejtën të trajtoheshin prej saj si subjekt i të drejtave kombëtare, vendimi që ato morën më 17 dhjetor 1912 për ta njohur de facto krijimin e një shteti shqiptar, edhe pse autonom, edhe pse të mbikëqyrur, ishte në një farë mënyre një kthesë, e cila përmbante në thelbin e vet edhe një autokritikë ndaj vetes së tyre. Nuk duhet të harrojmë në asnjë çast se njohja de facto e shtetit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha nuk e parapriu Kuvendin e Vlorës, por erdhi pas vendimit të tij. Si rrjedhim, Fuqitë e Mëdha nuk e krijuan shtetin shqiptar. Më 17 dhjetor 1912, kur Evropa e "dinastive" ishte në grahmat e fundit të saj, ato u detyruan ta njihnin vullnetin popullor shqiptar. Pra, merita e tyre qëndron në faktin se më 17 dhjetor 1912 ato e kushtetuan shtetin shqiptar nga pikëpamja politike, juridike, diplomatike në radhët e shteteve evropiane.
Rilindja kombëtare dhe Pavarësia e Shqipërisë
Megjithatë, duhet të pranojmë se programi madhor i Rilindjes Kombëtare - përfshirja e mbarë trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar - nuk u realizua më 1912. Madje, as deri sot nuk është realizuar. Akuza që qarqet nacionaliste serbe dhe greke i bëjnë programit të Rilindjes, si një program që synonte të krijonte një Shqipëri të "madhe", është tërësish e padrejtë. Të kërkosh grumbullimin e vëllezërve në një shtëpi të përbashkët, nuk do të thotë të krijosh një Shqipëri të "madhe". Do të thotë vetëm të krijosh një Shqipëri etnike. Nëse etërit tanë të shquar rilindës do të kishin kërkuar përfshirjen në shtetin shqiptar të viseve edhe me banorë joshqiptarë, do t‘i cilësonim shovinistë. Ata pak shqiptarë që kërkonin një Shqipëri përtej trojeve shqiptare nuk qenë rilindës. Për fat të mirë, ata nuk kanë pasur asnjëherë pushtet. Gjithashtu, për fat të mirë, ata ka kohë që i ka fshirë koha. Përkundrazi, shoviniste janë ato qarqe qeveritare të Beogradit, të cilat as sot nuk rreshtin së kërkuari aneksimin e viseve shqiptare vetëm se në gjirin e tyre ka disa enklava serbe. Shoviniste janë ato qarqe qeveritare të Athinës që harxhojnë miliona euro për të korruptuar me pensione shqiptarët e varfër pa libreza pune, që të deklarohen se janë grekë, me qëllim që duke rritur numrin e pakët të minoritetit helen të justifikojnë një ditë aneksimin ose të paktën autonominë me flamur grek të Shqipërisë së Jugut.
Grumbullimin e të gjitha viseve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, rilindësit nuk e vlerësonin vetëm nga ana sentimentale kombëtare. Nëse do të ishte realizuar ëndrra e tyre, Shqipëria nuk do të kishte siç ka sot, kryesisht male dhe pak fusha. Ajo do të kishte po aq fusha, sa dhe male. Nuk do të kishte problemet therëse ekonomike që edhe sot nuk e lënë të eci sa duhet përpara. Do të kishte pra, nga pikëpamja territoriale ekuilibrin ekonomik për të cilin ka nevojë bujqësia, blegtoria, industria dhe tregtia. Për nga popullsia, ajo do të ishte gati e barabartë me shtetet fqinje ballkanike - me Serbinë, Greqinë, Bullgarinë. Do të ishte pra një nënë e fuqishme dhe e shëndetshme nga ana ekonomike, politike, shoqërore, kulturore. Nuk do të ishte për shembull aq e posaqisur sa është sot, e detyruar që të jetë për shkak të emigrantëve shqiptarë në Greqi, e përulur përballë tekave nacionaliste të Athinës. Kjo tezë kishte rëndësi aq më tepër në kohën e tyre kur peshku i madh e hante të voglin.
Rilindja kombëtare dhe Evropa e Kombeve
Kuptohet se më 1912 në kohën e Evropës së "dinastive" kur shqiptarët konsideroheshin si fëmijë jetimë, pra jo si subjekt i të drejtave kombëtare, por si objekt territorial për t‘ua dhuruar të tjerëve, programi rilindës nuk kishte asnjë shans për t‘u realizuar. Por, Evropën e "dinastive" e mori me vete Lufta e Parë Botërore. Vendin e saj mendohej se pritej ta zinte Evropa e kombeve për të cilën u krijua edhe institucioni me përmasa planetare, me emrin Lidhja e Kombeve. Në fakt, vendin e saj e zuri Evropa e "shteteve", e cila ia hapi rrugën arrogancës naziste, fashiste dhe militariste. Sakrificat e jashtëzakonshme që pësoi bota nga Lufta e Dytë Botërore i bindën më në fund burrat e urtë të politikës perëndimore që t‘i përvisheshin krijimit të Evropës së "kombeve". Një Evropë e kombeve do të thotë një Evropë pa lufta, pa gjakderdhje, pa kufij të brendshëm. Do të thotë një botë në themelet e së cilës të qëndrojë respektimi i të drejtave të njerëzve, të popujve, të kombeve, përfshirë dhe të minoriteteve. Do të thotë, më në fund, që në shtëpinë e përbashkët supershtetërore të Evropës, secili komb të banojë në një dhomë të vetme shtetërore.
Në këtë rrugë duhet të eci Bashkimi Evropian. Por, në këtë mes ka diçka që nuk shkon. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB-ja), e cila ka marrë përsipër barrën e rëndë dhe fisnike që të mbrojë shtetet dhe kombet nga dhuna e jashtme, ka në program të saj midis mbrojtjes së të drejtave edhe respektimin e kufijve shtetërorë. Këtë program ka dhe Bashkimi Evropian. Po të marrim parasysh faktin e njohur se kufijtë e shteteve janë caktuar nga Evropa e "dinastive", respektimi i tyre do të thotë se BE-ja ka ligjëruar dhe po ligjëron padrejtësitë e Evropës së "dinastive", të cilat kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë pasiguri, destabilitet, pse jo edhe lufta. Vetëkuptohet se respektimi i kufijve të caktuara nga Evropa e "dinastive" nuk pajtohet me aspiratën madhore që kanë kombet për të jetuar jo si tani, disa prej tyre të copëtuar pjesërisht në dhoma të kombeve të tjera, por në një dhomë të përbashkët brenda shtëpisë supershtetërore evropiane.
Siç dihet, gjymtyrët e kombit shqiptar, të cilat përpiqen të përfshihen në Bashkimin Evropian, deri sot nuk kanë shpëtuar ende nga padrejtësitë e Evropës së "dinastive". Ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë për ta shkëputur Kosovën e martirizuar nga thonjtë e Beogradit, ishte një vepër humane. Por kushti që i kanë vënë për të mos u bashkuar me Shqipërinë nuk mund të thuhet se është njerëzore. Vënia e Kosovës nën tutelën e UMNIK-ut na kujton deri-diku K.N.K.-në e vitit 1913. Më saktë, ajo na kujton komponentin e saj pozitiv mbi "garancinë", e cila e mbron nga çdo dhunë ushtarake e Beogradit. Por, nga ana tjetër, ajo na kujton edhe "kontrollin", e cila e detyron administratën kosovare të jetë nën vëzhgimin e përditshëm të një organi ndërkombëtar. Deri sot, ky status ka shkuar pa fërkime të mprehta, mbasi kosovarët kanë vlerësuar më tepër "garancinë" se "kontrollin". Propozimi për ta zëvendësuar kontrollin e OKB-së me atë të Bashkimit Evropian, në pamje të parë duhet duartrokitur. Kjo për arsye se Komisioni Evropian i tanishëm nuk i ngjet "koncertit" evropian të 1913. Ndryshe nga "koncerti" evropian i vitit 1913, i cili drejtohej nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, në konflikt më njëra-tjetrën dhe secila sabotonte njëra-tjetrën - tani Komisioni Evropian, edhe pse në të marrin pjesë 27 anëtarë, ushtron të njëjtën vijë politike.
Ashtu si ndodhi me Shqipërinë më 1913, edhe tani me problemin e pavarësisë së Kosovës kundërshtari më i rreptë i aspiratave kombëtare të shqiptarëve vazhdon të jetë Rusia. Më 1912-1913 fuqitë perëndimore e gjetën zgjidhjen e çështjes shqiptare duke i bërë lëshime Rusisë. Ashtu si më 1913, edhe në kushtet e sotme, t‘i bësh lëshime Rusisë do të thotë të përkrahësh lakmitë serbe. Megjithatë, tani Evropa duket se nuk është e prirur t‘i bëjë lëshime Rusisë. Por, këtë radhë diplomacia ruse gjeti përkrahje te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Ashtu si K.N.K.-ja për Shqipërinë më 1913, edhe tani projekti prej gjashtë pikësh i Ban Ki Moonit është një minë me sahat për stabilitetin e Republikës së Kosovës. Përpjekjet që po bëjnë disa anëtarë të BE-së për ta bindur Prishtinën që të pranojë projektin gjashtë pikësh largohen nga parimet që frymëzojnë Bashkimin Evropian për vetëvendosje të kombeve. Si përfundim, synimi i OKB-së, përkatësisht i Bashkimit Evropian, për të respektuar kufijtë e vendosur gjatë Evropës së "kombeve" dhe gjatë Evropës së "shteteve" e kanë katandisur kombin shqiptar të copëtohet midis gjashtë shteteve - Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Deri sot, njerëzimi ka kujtuar se kombi më fatkeq është ai i kurdëve, mbasi ata janë copëtuar në katër shtete. Le ta marrin vesh se shqiptarët janë më fatkeq.
Si përfundim, nga çdo pikëpamje që ta marrësh, farkëtarët e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë qenë vetë shqiptarët, kurse shpallja e Pavarësisë në vetvete deri sot vazhdon të jetë, pas epopesë së Skënderbeut, vepra e dytë madhore e Historisë së Shqipërisë. Kuvendi i Vlorës lindi ose rilindi pas pesë shekujsh shtetin shqiptar, i cili lind vetëm një herë, kurse regjimet vijnë e shkojnë. Vepra e tretë madhore do të jetë realizimi i plotë i programit të Rilindjes Kombëtare - bashkimi i mbarë trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar.