E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie tavani i gjimnazit "Sami Frashërit"

Vetëm fati i ka shpëtuar të rinjtë e një klase në gjimnazin "Sami Frashëri", shumë pranë qendrës së Tiranës. Suvaja e tavanit të klasës së tyre ka rënë përtokë, duke shkatërruar bankat dhe karriget. Por, kjo ngjarje që mund të shndërrohej në një tragjedi me përmasa fatale për të rinjtë, fatmirësisht ka ndodhur rreth orës dy të mesditës, kur ata janë larguar nga shkolla, pas përfundimit të programit mësimor.

Sipas drejtuesve të shkollës, trashësia e suvasë së rrëzuar ka qenë 6 centimetra. Kjo ka bërë që rënia e saj të ishte tepër e fortë dhe të shkatërronte dhe bankat e karriget e klasës në katin e katërt, të kësaj godine shkollore.

Rikonstruksioni i gjimnazit "Sami Frashëri", një ndër më të mirët në qendër të kryeqytetit, ka përfunduar në vitin 2004, por rrëzimi i suvasë së tavanit shënon rastin e dytë të nxjerrjes së defekteve të punimeve të kryera në të.

Drejtuesit e këtij gjimnazi shprehen se të gjithë tavanet e klasave të shkollës janë bërë me suva, ndërkohë që mund të përdorej një tjetër material jo i rrezikshëm si kartonxhesi. Sipas tyre, kompania private, e cila ka kryer edhe punimet për rikonstruksionin e shkollës, ka marrë përsipër që për katin e katërt, ku është shfaqur edhe ky problem, të ribëjë tavanet me kartonxhes, duke gërryer suvanë e trashë.

Por shqetësimi mbetet ende edhe për katet e tjera. As drejtuesit e Ministrisë së Arsimit dhe as ata të Bashkisë së Tiranës nuk kanë mundur që të ofrojnë ndonjë zgjidhje më të mirë për këtë problem.

Ndërkohë që mësimi te gjimnazi "Sami Frashëri" është "ndërprerë" për shkak të festave të nëntorit, të cilat janë pushim për të gjithë. Por, ditën e hënë, kur mësimi do të filloj sërish, mbetet frika se mos pjesë të tjera të tavanit bien, duke e shndërruar zhvillimin e mësimit në kushte të tilla, në një makth.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›