Kush është NK Domzhale?

Kampionia e Sllovenisë, Domzhale, një nga klubet më të vjetra në Slloveni (është themeluar në vitin 1921) ka një histori shumë të varfër në arenën europiane. Vetëm 10 ndeshje në Kupën UEFA, por me një bilanc të kënaqshëm: 6 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Golaverazhi me një shenjë "plus" të qartë: 21-9.
Domzhale në sezonin 2005-2006 arriti të kualifikohej në dy ture eliminatore të Kupës UEFA, ku u eliminua në raundin e parë nga kampionia aktuale e Gjermanisë, Shtutgardi. Një sezon më parë (2006-2007) Domzhale u eliminua qysh në raundin e parë eliminator të Kupës UEFA nga Hapoel Tel Aviv.
Domzhale, që u shpall kampione për herë të parë e Sllovenisë qysh nga marrja e pavarësisë dhe krijimit të ligës sllovene 1991-1992, e fitoi bindshëm kampionatin slloven, më një diferencë prej 17 pikësh nga vendi i dytë, i mbajtur nga Nova Gorica. Në 36 javët e sezonit të kaluar, Domazhale arriti 21 fitore, 12 barazime dhe 3 humbje.
Ndeshja e parë do të luhet në Slloveni, në stadiumin "Sportni" të qytetit të Domzhales, një stadium i ndërtuar në vitin 1948, por i rinovuar dhe modernizuar në vitin 1997 dhe 1999. Stadiumi edhe pse me kapacitet shumë të vogël, vetëm 3212 vende të ulura, ka ndricim, kështu që ndeshja kundër Tiranës, pa dyshim që do të luhet nën ndricimin e projektorëve.
Skuadra e Domzhales, ajo që mbylli sezonin dhe u shpall kampione e Sllovenisë për edicionin 2006-2007, ka në gjirin e saj kryesisht lojtarë sllovenë. Vetëm pesë lojtarë të huaj aktivizohen me Domzhalen: dy kroatë (sulmuesi Dario Zahora dhe mbrojtësi Ivan Knezovic), një brazilian (mesfushori Zhunjinjo), një serb (sulmuesi Sinisa Jankovic) dhe një nigerian (mesfushori Sanday Ibeji).
Presidenti i klubit është Stane Orazem, ndërsa trajneri i skuadrës Slavisha Stojanovic, të cilit i dedikohet edhe ringritja e skuadrës në Ligën e Parë dhe fitimi i titullit të parë kampion.