Berisha: Nuk ka asnjë element që implikon Mediun në çështjen e Gërdecit
Një ndër çështjet që është ngritur në takimin me Sekretaren e Shtetit ishte edhe ligji i pastërtisë së figurave. A ju shqetëson ju fakti se Sekretarja e Shtetit e ngre këtë çështje në takimin me ju?
Jo, ligje për pastërtinë e figurave janë ngritur kudo. Vetëm për një gjë mund t'ju siguroj juve dhe shqiptarët, se Sekretarja e Shtetit kishte një vetëdije të plotë për krimet e tmerrshme të kryera në Shqipëri nga regjimi totalitar, krime kundër njerëzimit. Ajo e njihte shumë mirë këtë problematikë. Unë e sigurova dhe u ndamë me mirëkuptim të plotë me njëri-tjetrin, që ky ligj nuk përdoret për të bërë gjahun e kundërshtarëve dhe ne e kemi faktuar këtë me amendimet që i bëmë me kërkesën e opozitës. E dyta, gjithçka do të zhvillohet në përputhje me rregullat e shtetit ligjor dhe në këtë pikë kishte mirëkuptim të plotë. Pra, çështjen nuk e shtron kush, përse Shqipëria (të ketë një ligj të tillë), sepse çështja është më e thellë. Regjimi në Shqipëri ka kryer krimet më të mëdha kundër njerëzimit se në çdo vend tjetër ish-komunist dhe në një mënyrë duhet ndarë me to, problemi është t’iu përmbahesh të gjitha rregullave të shtetit ligjor.
Zoti kryeministër, ju erdhët në pushtet në emër të luftës kundër korrupsionit dhe bëtë premtime të mëdha në atë kohë. Ndërsa mandatit tuaj të parë po i afrohet fundi, a jeni në gjendje të shkoni para elektoratit dhe të thoni: Po, unë Sali Berisha i mbajta premtimet që ju bëra për luftën kundër korrupsionit?
Absolutisht po dhe me faktet më të pamohueshme. Cilat janë? Le të më gjejë kush një qeveri tjetër që në 3 vjet të ketë vjelë, në proporcion, 3.2 miliardë dollarë nga taksat dhe tatimet, që të ketë shkurtuar nga 3% me 2% të prodhimit të brendshëm shpenzimet e administratës, që të ketë kursyer mbi 500 milionë euro në prokurime, në 3 vjet, pra pa llogaritur këtë vit. Janë rreth 4 miliardë dollarë më shumë se ç’ishin 3 vjet më parë. E dyta. Ka një organizatë që vlerëson korrupsionin. Çfarë thotë Transparency International? Qeveria e Sali Berishës ishte kampione në reformat e saj kundër korrupsionit dhe se këto reforma, Shqipërinë, nga 24 vendet më të korruptuara të planetit, e bënë që të lërë mbrapa 95 vende, të vlerësohet si më e mira në rajon, si ndër 10 vendet më të suksesshme për luftën kundër tij vitin që kaloi. A ka korrupsion? Sërish ka korrupsion. Por a ka një betejë në vazhdim kundër korrupsionit? Absolutisht po. Duke filluar nga janari i këtij viti, Shqipëria bëhet i vetmi vend në planet që ndalon të gjitha format e tjera të prokurimit, përveç prokurimit elektronik. Edhe të tjerë bëjnë prokurime elektronike, por i aplikojnë vetëm pjesërisht, kurse ne plotësisht. A ka avancime të tjera? Kemi hequr dy të tretat e licencave dhe lejeve si çerdhe korrupsioni. Ato që kanë mbetur me USAID po i grupojmë në një One Stop Shop. Pra, kjo është një betejë e vazhdueshme. Janë penalizuar mbi 160 zyrtarë të të gjitha niveleve, çka do të thotë se edhe ligji po bëhet për ata që preken nga korrupsioni.
Megjithatë, si politikan, ju jeni i vetëdijshëm për çështjen e imazhit. Imazhi i Shqipërisë është ende ai i një vendi me korrupsion të përhapur. Qeveria juaj ka dy ministra, njeri i dorëhequr, tjetri nën hetime, me raste madhore, siç është çështja e Gërdecit dhe përshtypja është që qeveria nuk po ndihmon sa duhet për zbardhjen e tyre.
Ju jeni gazetar. Në qoftë se bëjmë një kontroll në të gjithë historinë e drejtësisë botërore, që nga koha romake e deri sot, nuk gjen një rast të vetëm, me përjashtim të këtij që ndodhi në Shqipëri, që të gjykohen aktet kolektive. Në qoftë se shkohet në një absurd të tillë, ku çdo gjë tjetër veç parimit, ka mundësi, atëherë kjo është çështje jo e qeverisë. Për rastin e rrugës, çdo akt, çdo vendim është absolutisht kolektiv. Pra, çdo qëndrim tjetër është në thyerje të parimeve më themelore të të gjitha kohërave. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, është kjo shumicë që i ka hequr imunitetin ministrit, në përputhje me zotimin e saj të plotë, se çdo kërkesë e prokurorisë për heqje imuniteti, do të gjejë miratimin e saj. Së dyti, për Gërdecin, ka një vit që botohen me qindra e qindra artikuj, nuk kanë qenë në gjendje të faktojnë as edhe me elementin më të vogël të implikimit për korrupsion të zotit (Fatmir) Mediu. Kam qenë i pari, e kam shtyrë dhe kam bërë çdo përpjekje që prokuroria ta hetojë në mënyrën më të gjithanshme. I kam thënë zotit Fatmir Mediu, që në qoftë se ka një njeri në botë, që ka nevojë të hetohet, je ti. Dhe ka dhënë dorëheqjen. I kemi hequr imunitetin. Por ata që paraqitën kërkesën për imunitet, në mënyrë tërësisht sikundër s’duhet të ishte, se ky ka anashkaluar ushtrinë, në një kohë kur janë mbi 30 dokumente, ku secili prej tyre ka jo më pak se 4 deri në 6 firma ushtarakësh, ata fyejnë kombin e tyre, fyejnë parimet, me të cilat drejtojnë, sepse në një vend të lirë, në një shoqëri të lirë, mund të bësh politikë me këtë mënyrë, por nuk bën dot kurrë drejtësi. Por çfarë ishte çështja? A ishte ushtarake, apo jo? Aq sa është predha ushtarake, aq sa është baroti ushtarak, aq sa është depoja ushtarake, të gjitha këto ishin ushtarake. Pra, u përzgjodh një linjë, e cila vetëm përgjegjësinë nuk e nxjerr. Megjithatë, në qoftë se kemi reaguar, kemi reaguar se ajo ishte një fyerje, ishte një papërgjegjshmëri ekstreme, që mund të bëhej. Të gjithë ishim dakord të hetohej. Por, të spostosh të tjerët, do të thotë të devijosh nxjerrjen e përgjegjësive. Përse? Vetëm e vetëm, se në hierarkinë e tyre, dikush, diku, duhej të dilte krejtësisht i paprekur. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për hetimin.
Zoti Berisha, marrëdhëniet tuaja me shtypin, me drejtësinë. A është Sali Berisha, siç kritikohet në shtyp, që kërkon t’i vërë nën kontroll shtypin dhe drejtësinë?
Marrëdhëniet janë të shkëlqyera. Kjo qeveri i ka krijuar hapësirën më të madhe drejtësisë. Sa zyrtarë të kësaj qeveria janë penalizuar? Sa janë burgosur? Ndonëse flihet mbi dosje të mëdha korrupsioni të qeverisë së mëparshme, dhe janë jo më pak se 400, është kjo qeveri, e cila e falënderon drejtësinë, se gjykon dhe se la mënjanë padënueshmërinë, e cila rrënon më shumë se gjithçka tjetër moralin e një shoqërie. Unë u kam thënë disa herë, publikisht dhe privatisht bashkëpunëtorëve të mi, se e keqja e madhe e vendit do të ishte po të mos dënonin. Ata dënojnë në mënyrë asimetrike, dhe natyrisht pushteti duhet mbajtur më përgjegjës. Pra, nuk ka në mënyrë absolute ndërhyrjeje. Cili proces është bllokuar nga kjo qeveri? E kundërta është e vërtetë. Shumica e këtyre proceseve kanë në origjinë dosje të dërguara nga kjo qeveri. Së dyti, mediet. Më thoni, a dini ndonjë vend tjetër, ku administrata të ketë ndaluar padinë civile apo penale ndaj gazetarëve? Çfarëdo që ata të shkruajnë, çfarëdo që ata të botojnë që administrata të ketë ndaluar, t’u kërkojë burimin e informacionit medieve? Ky është standardi që solli qeveria ime ndaj medieve dhe ky standard ka pasur një efekt jashtëzakonisht pozitiv në shoqëri. Në qoftë se përpara administrata kishte qindra procese ndaj gazetarëve, në qoftë se përpara kontrollonte mediet në tërësi, sot, shihe kryetarin e opozitës; është mizor në kontrollin e tri medieve. Njërës i jep hyrjen e Tiranës, tjetrës i thotë se do të jesh në krye të listës së deputetëve, do të bëhesh ministre etj,. pra i kontrollon në mënyrë barbare. U çon qindra mesazhe në ditë. Pyeti kolegët e tu gazetarë se sa vuajnë nga kjo. Pyeti, a kanë marrë ndonjë nga qeveria apo zyra. Absolutisht as kanë marrë dhe as do të marrin. Pra, ka procese? As edhe një. Çfarë ndodhi? Edhe qytetarët nuk i padisin më. Dhe më bëhet shumë qejfi. Se nuk është rrugëzgjidhje, sado që edhe gazetarët gabojnë, kur shpifin, gabojnë, kur thonë gjëra të paqena, por e vërteta është se gjyqet ndaj tyre nuk janë rrugëzgjidhje.
Zoti Berisha, edhe një pyetje të fundit. Në gati 2 dekadat e fundit ju jeni marrë intensivisht me politikë dhe është e vështirë të gjesh një zhvillim politik në Shqipëri që nuk mban vulën tuaj ose emrin tuaj direkt ose indirekt. Nëse do të flasim sot për trashëgiminë tuaj më të madhe, cila do të ishte ajo? Do të ishte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, rruga Durrës-Kukës apo diçka tjetër?
Unë besoj se kjo është një pyetje që po i bëhet një njeriu, i cili kurrë nuk mendon për historinë, por vetëm për njerëzit dhe për jetën e tyre të përditshme. Megjithatë, nuk mund të them se pas 20 vjetësh, po të kthesh kokën prapa, nuk sheh që është një Shqipëri 20 herë më e ndryshme. Kjo është e vërteta, pavarësisht nga vështirësitë që ka. Unë besoj se jam përpjekur me të gjitha forcat që të jem serioz me reformat. Këto kanë bërë që Shqipëria të ketë shpresë në ekonominë e saj. Unë besoj se reformat bënë që integrimi të ecë. Kjo është e vërtetë. Mund të them, se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara nuk do ta merrnim anëtarësinë në NATO, por edhe pa reformat tona dhe pa suksesin e tyre, nuk do ta merrnim anëtarësimin. Unë jam dëshmitar i shumë e shumë takimeve këto tre vjet, i një skepticizmi që ekzistonte që në fillim. Pra, edhe procesi i integrimit është një gjë që… nuk mund të them se është trashëgimi e imja, por është përpjekje e përbashkët dhe unë kam luajtur atë rol që më ka takuar të luaj. Përndryshe, edhe njëherë e theksoj, se historia është e shkuar, e ardhmja është pasioni im.
Marrë me shkurtime