Kush është zjarrvënësi i vërtetë i Ndrecës
Projekti i dështuar i 21 janarit, për marrjen e pushtetit në tavolinë, i gërshetuar me dëshpërimin që vjen nga marrja e statusit kandidat për në BE, po e shtyn opozitën në vendime ekstreme. Ish-të përndjekurit e shfaqur në peticionet edviniste të 20 janarit, po grishen tani për vetëflijim, nëpërmjet thirrjeve nëpër bllogje mediatike, që meritojnë një hetim institucional. Projekti politik për marrjen e pushtetit me dhunë është zjarrvënësi i parë i Gjergj Ndrecës dhe frymëzuesit duhen kërkuar tek politikanët që dështuan me 21 janarin e që tani po parapërgatitin falimentimin përfundimtar
Pamjet e dhimbshme të ditës së djeshme, kur grevisti Perikli Shqevi nga Saranda i vuri flakën grevistit ish-të përndjekur Gjergj Ndreca tronditën opinionin publik, duke e zgjuar me thirrjen se 21 janari s’kishte qenë veçse një banko-provë. Dëshpërimi po shndërrohet në një konstante të politikës opozitare dhe kasnecët e saj mediatikë s’pushojnë përditë së inkurajuari disa përfaqësues të ish-të përndjekurve për vetëflijim.
E njëjta teknologji abuzoi me ta kur pas 21 janarit 2011 rreshtoi të njëjtat emra si nënshkrues të një peticioni të mirëshkruar për praninë e tyre në “demonstratë”. Ndoshta është harruar por në gazetat e Edi Ramës botohej një peticion i një grupi “të përndjekurish” në përkrahje të “demonstratës” (lexo veprimeve antikushtetuese) së majtë të Edi Ramës. Të njëjtat emra keqpërdoreshin për t’u vendosur aty, pavarësisht se njëri prej “nënshkruesve” nuk ndodhej ato ditë fare në Shqipëri.
Njëlloj si video-mesazhet, për ditë me radhë mund të numërojmë shkrime e deklarata që kërkojnë të vënë në sedër Ndrecën dhe të tjerët, të cilët, prej muajsh janë futur në qerthullin e kësaj opozite fataliste dhe tani ndihen të paaftë të dalin prej skenarit që rrezikon t’u marrë jetën.
Tam-tamet e kësaj politike majtiste, së cilës ka nisur t’i vijë era terrorizëm prej dështimit zgjedhor të 2009-s, ngjan se 21 janarin e kishin veç si banko-provë. Pinjollët e brezit të dytë të Bllokut komunist, nuk dalin - si një ditë para 21 janarit - e të thonë se opozita është e gatshme të kalojë mbi kufoma, por tashmë nëpërmjet një skeme të zgjeruar të manipulimit mediatik kërkojnë të tjetërsojnë realitetin e marrëdhënies së ish-të përndjekurve politikë me të djathtën e ta përdorin këtë shtresë - kundërshtare e tyre politike “par excellence” - si mish për top për grushtin e radhës ndaj rendit kushtetues.
Të gjitha sondazhet flasin për një shkërmoqje të shpresave të Edi Ramës për ardhjen në pushtet. Gërshetuar me izolimin e fuqishëm që po i bëjnë atij ndërkombëtarët, të lodhur nga kërkesat për marrjen e pushtetit në tavolinë, e kanë shtyrë liderin e opozitës drejt këshillave standarde që vijnë nga bolshevikët, drejt revolucioneve e përmbysjeve të pushteti me dhunë. Më 21 janar të 2011 u provua një aksion në shkallë të gjerë, nëpërmjet koordinimit të përpjekjeve me Bamir Topin dhe agjencitë kushtetuese që varen prej tij, kurse këtë herë, skema ngjan të jetë më perfide, paçka se më e varfër në shanset për sukses. Ish-presidenti Bamir Topi ka ende nëpër duar e nëpër fletore shënimesh keqpërdorimin që u bënte disa ish-të burgosurve politikë (pasi u dekoroi terroristin komunist Skënder Breca), prandaj edhe sugjerimi i parë ka shkuar drejt keqpërdorimit për motive politike të të njëjtëve njerëz. Krejt i gatshëm për këtë poshtërsi politike ka qenë Edi Rama, në mendësinë e të cilit ata janë armiqtë e klasës, armiqtë e babit biologjik e të babit shpirtëror, paçka se ata ngjajnë se e kanë humbur busullën. Për t’i përdorur si mish për top, ka qenë vendimi më i lehtë politik i Edi Ramës. Zaten, a s’e përdorën të njëjtën formulë edhe parardhësit e tij politikë më 1997-n?
Pas këtij vendimi, në skakierën e parë, u rreshtuan mercenarët mediatikë të opozitës, të parapaguarit e Edi Ramës dhe Bamir Topit, zjarrvënësit e parë të Gjergj Ndrecës. Më tej, mbetjet e agjencive që dikur kontrolloheshin nga ish-presidenti kanë bërë ndonjë punë shtesë e skenari ka ardhur tek një pikë pa kthim. Greva e urisë është shpallur dhe zjarrvënësit politikë veç fërkonin duart, ndërkohë që kalonin ditët. Greva politike u zhvesh krejt nga konteksti dhe situata është aq absurde sa për të drejtat e atyre njerëzve që thonë se janë në grevë urie në hyrje të Komunës së Parisit, flasin veç djali i Kristaq Ramës, ish-ministri i fundit i sigurimit komunist, Gramoz Ruçi, Fatosi, ish-shefi i shërbimeve sekrete, pinjoll i Klosëve, si dhe mercenarë mediash me tension të lartë gjaku në tru, që kanë qysh përpara pranverës arabe që paralajmërojnë një “pranverë arabe në Shqipëri”. Sipas skemës që parapërgatiti 21 janarin, këta mercenarë që të kujtojnë veç mbrojtësit e xhihadit të terroristëve islamikë, nëpër blogjet e tyre, njoftonin mbrëmë me kënaqësi kobzezë se “pritet që fenomeni i djegies së Gjergj Ndrecës të bëhet masiv”. Se sa nene të kushtetutës thyejnë këto klithma është e qartë për të gjithë, por ajo që lexohet shpejt e shpejt është fakti se opozitës së Edi Ramës po i sos kandili e se ajo s’mundet dot të frymëzojë kurrfarë fushate për ardhjen në pushtet.
Pas kësaj të vërtete, limani i fundit mbetet ai i të vërtetës hyjnore, ai i nxitjes për martirizim, si e vetmja mundësi për marrje pushteti në tavolinë. Protagonistët e djeshëm ishin ish-i përndjekuri politik Ndreca, një pronar i rënë nga vakti, pas viteve ’90, pasi pat përfituar nga vendimet politike të qeverisjes së parë të Berishës, si dhe minoritari Shqevi, i cili e ka të lidhur cv-në e vet të para ’90-s me akuza jopolitike, të cilat me kanunet që organizojnë jetën e mirditorit Ndreca e të të gjithë shqiptarëve, ka aq lidhje sa të gjithë shqiptarët kanë lidhje me venomet e Greqisë.
Me një opozitë si tandemi Rama-Topi, ditët duhen përjetuar si 20 janari. Jo aq si atë ditë, sot na takon të klithim fort se zjarrvënësi i Gjergj Ndrecës është interesi politik i kësaj dysheje të dështuar politikanësh e se emri i minoritarit Shqevi vlen veç për kronikë dhe jo si emër dorasi.