Lajmi/Gjergj Ndreca, pronar në një fabrikë mielli në Laç, si dhe në një kompleks për mbarështimin e derrave

Gjergj Ndreca, i përndjekuri politik i cili dje ra viktimë e zjarrëvënies nga një shoku i tij, grevist urie, rezulton se është një person me një pasuri të konsiderueshme, pavarësisht pretendimeve të tij, për varjen e fatit të tij në dorën e këstit të dytë si i përndjekur. Mësohet se pasurinë e tij e ka vënë pas daljes nga burgu, duke marrë pjesë në privatizimin e Fabrikës së Miellit në Laç si dhe të një kompleksi për rritjen e derrave, sipas ligjeve për privatizimin me letrat me vlerë. Sipas burimeve të mirinformuara të gazetës, Gjergj Ndreca i ka përfituar (privatizuar) këto prona të konsiderueshme të fituara sipas ligjit për të drejtën e parablerjes që gëzonin ish-të përndjekurit politikë dhe i ka shitur më pas ato me një shumë që mendohet në afro 120 mijë dollarë.
Ndërkohë Gjergj Ndreca, për kundër pretendimeve të tij për mosmarrjen e asnjë kësti si i përndjekur politik, mësohet se e ka marrë këstin e parë. Këtë e ka pranuar edhe bashkëshortja e tij, e cila në një deklaratë të para dy ditëve, deklaroi për një rrjet televiziv të Tiranës se Gjergj Ndreca kishte marrë sipas ligjit këstin e parë të dëmshpërblimit dhe ishte si shumica e të përndjekurve në listë-pritje për marrjen e të dytit.