Hetohet baruti i Meico-s

TIRANË - Hetimi i prokurorisë për veprimtarinë e ndërmarrjes “Meico” dhe shitjen e produkteve të dalë nga demontimi i predhave në Gërdec, zbulon shitjen e barutit jashtë Shqipërisë. Burime pranë prokurorisë thanë për “Korrierin”, se nga verifikimet e dokumentacionit për eksportet e bëra nga ndërmarrja shtetërore e eksportit të armëve dhe materialeve ushtarake, rezulton se përgjatë vitit 2007, “Meico” ka shitur të paktën tri herë barut në Belgjikë. Por sipas prokurorisë, dyshohet se Belgjika nuk është destinacioni përfundimtar i barutit shqiptar, pasi informacionet e deritanishme thonë se ky vend mund të jetë përdorur si tranzit për shitjen e barutit në një vend tjetër, i cili ende nuk është përcaktuar. Pas marrjes së këtij informacioni nga faturat doganore, prokuroria ka sekuestruar dokumentacionin e shitjes së sasisë së lëndës plasëse, nga i cili rezulton se këto shitje janë bërë me kontratë të rregullt. Prokuroria aktualisht është duke hetuar faktin se nga vinte baruti i shitur në Belgjikë. Nga verifikimet e kryera, rezulton se përgjatë vitit 2007 janë kryer dy procese demontimi. Njëri nga proceset është kryer në uzinën e Gramshit, por nga dokumentacioni i administruar nga hetuesit, rezulton se ky lloj demontimi është kryer me djegie, çka nënkupton se nuk mund të kishte asnjë produkt nga ky proces, pasi gjithçka shkatërrohej brenda ambienteve të uzinës së Gramshit. Ndërsa procesi i dytë i demontimit është realizuar mbi silurët detarë, mbi bazën e një projekti serioz të një kompanie amerikane. Ky proces është realizuar me rigorozitet dhe ka përfunduar me sukses. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se i vetmi burim për barutin e tregtuar jashtë Shqipërisë ishte demontimi i predhave në Gërdec. Nga të dhënat siguruara deri tani, por dhe nga ato të publikuara në media, rezulton se baruti shqiptar ka pasur disa destinacione, ndër të cilët të vërtetuar janë Belgjika dhe Holanda. Dyshime ka dhe për Gjermaninë, ku ish-drejtori i ndërmarrjes “Meico” ndodhej pak ditë para ngjarjes tragjike të 15 marsit në Gërdec.