E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush ishte BinLaden, truri i 22atentateve terroriste

UASHINGTON - Shefi i rrjetit terrorist al-Kaeda, Osama bin Laden, vdekjen e të cilit e njoftoi gjatë natës presidenti amerikan Barack Obama, ishte njeriu më i kërkuar në botë që prej 10 vjetësh pas sulmeve të 11 shtatorit, për të cilat ai ishte ideatori.

Djalë i një familjeje të pasur saudite, Osama bin Laden punoi për një të ardhme si financier islamist dhe luftëtar antisovjetik në Afganistan, para se të radikalizohej për t'u bërë frymëzuesi i një xhihadi botëror antiperëndimor.
Asgjë nuk e favorizonte fëmijën e 12-të të manjatit të ndërtimeve Mohammed bin Laden, imigrant jemenit i bërë tepër i pasur, të shndërrohej në një revolucionar dhe njeriu më i kërkuar në botë, i urryer nga disa dhe i adhurar e i respektuar nga disa të tjerë.

I lindur në Riad në vitin 1957 (data e saktë nuk konfirmohet), Osama bin Laden studion për inxhinier xhenio dhe tregti në universitetin prestigjioz King Abdul Aziz të Xhedahut, gjatë të cilit ai lidhet që në vitin 1973 me grupe islamike.

Miqtë e tij të asaj kohe përshkruajnë një të ri të devotshëm, të rezervuar, tepër i përkushtuar ndaj studimit të teksteve kryesore të wahabizmit, variant i ashpër i islamit sunit në fuqi në vendin e tij.

Rrugëtimi i tij merr formë duke integruar grupin familjar dhe shumëfishuar filialet e tij. Por, pas pushtimit të Afganistanit nga trupat e Moskës në vitin 1979, ai u përgjigjet thirrjeve të xhihadit, ekstremisht popullor në Arabinë Saudite dhe në të gjitha vendet e Gjirit Persik në atë kohë.

Me bekimin e autoriteteve saudite, ai merr përsipër të organizojë mbështetjen logjistike për muxhahidinët afganë. Ai përshkon gadishullin arabik për të mbledhur fonde dhe vendoset në Peshauar, bazë në Pakistan e gueriljes antisovjetike, ku takon atë që do të bëhet mentori i tij, palestinezi Abdullah Azzam, një nga organizatorët kryesorë të rezistencës antisovjetike.

VUllnetarët, shumica arabë, dynden. Bin Ladeni i pret, i inkuadron dhe përpunon për këtë një bazë të dhënash që do të transformohen me kalimin e viteve në një organizatë "al-Kaeda" ("baza").

Ai lufton kundër sovjetikëve (edhe pse shumë rrallë me armë në duar) me ndihmën indirekte të CIA-s, që përcjell ndihmat financiare me ndërmjetësimin e shërbimeve sekrete pakistaneze.

Pas dështimit sovjetik, në vitin 1989, ai kthehet si hero në vendin e tij, ku shton konferencat në xhami dhe shkolla lidhur me sukseset e xhihadit.

Pas sulmit të Kuvajtit nga ushtria irakiane, ai i propozon mbretit Fahd dëbimin e pushtuesve nga gadishulli me ndihmën e legjionit të tij islamik i përbërë nga ish-luftëtarë në Afganistan. Sovrani saudit refuzon: Më pas Osama bin Ladeni ndihet i tradhëtuar, duke vlerësuar se toka e shenjtë e vendit të tij ishte ndotur nga prania e mijëra ushtarëve amerikanë.
Në vitin 1992, Riad, i shqetësuar për kritikat e tij dhe nga mbështetja e tij për opozitën i heq pasaportën. Ai vendoset në Sudan, me bekimin e autoriteteve vendase.

Shërbimet sekrete amerikane dyshojnë se ai financon kampe stërvitore terroriste. Kombësia e tij saudite iu hoq në vitin 1994, pas publikimit të disa "fatwas" me kritika kundër SHBA-së dhe familjes mbretërore saudite.
Në vitin 1996, Sudani, përballë presioneve ndërkombëtare, i kërkon largimin. Ai rishfaqet me njerëz të tjerë të armatosur dhe me bagazhe në Afganistan, nga ku bën sërish thirrje antiamerikane, gjithnjë e më radikale, pak pas marrjes së pushtetit në Kabul nga talebanët.

Bin Ladeni ngre kampe për stërvitjen e terroristëve duke tërhequr mijëra persona nga bota myslimane dhe planifikon një sërë sulmesh të përgjakshme që e bëjnë atë armikun numër 1 në SHBA.

Atentatet e tij më spektakolare, para atyre të 11 shtatorit 2001, u regjistruan në gusht 1998, kur disa autobomba shpërthyen njëkohësisht në ambasadat amerikane në Tanzani dhe në Kenia (224 të vdekur).
Pas sulmeve të 11 shtatorit, SHBA-ja ndërmori një operacion të gjerë për kapjen e shefit të al-Kaedas, ndërsa fillimisht ofroi 25 milionë dollarë më pas 50 për çdo informacion për kapjen e tij.

Bin Ladeni, që në fund të vitit 2001 i shpëtoi ndërhyrjes së trupave amerikane në Afganistan, ishte lokalizuar për herë të fundit nga dëshmitarët në Kandahar, në jug të Afganistanit.

Shërbimet sekrete rajonale apo perëndimore kishin vlerësuar për një kohë të gjatë se ai fshihej në zonat në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit, por specialistët shpreheshin jo publikisht se nuk kishin asnjë pistë serioze në këtë drejtim.

ATENTATET ATRIBUAR BIN LADEN
 Më poshtë vijon një përmbledhje e atentateve kryesore atribuar rrjetit terrorist al-Kaeda dhe shefit të saj, Osama bin Laden, i deklaruar i vrarë dje nga një komando amerikane:

1993:  26 shkurt: SHBA - atentat me eksploziv në Qendrën Botërore të Tregtisë (World Trade Center). Gjashtë të vdekur.

1995: - 13 nëntor: ARABIA SAUDITE - një autobombë shpërthen në Riad. Vdesin pesë ushtarë amerikanë dhe dy indianë.

1996: - 25 qershor: ARABIA SAUDITE - një kamion me dy tonë eksploziv shkatërron bazën amerikane në Khobar, 19 të vdekur, të gjithë amerikanë, dhe 386 të plagosur.

1998: - 7 gusht: KENIA/TANZANI - dy autobomba shpërthejnë në mënyrë simultane në ambasadën amerikane në Najrobi (Kenia) dhe Dar es Salam (Tanzani), 224 të vdekur, 12 amerikanë dhe mijëra të plagosur.

2000: - 12 tetor: JEMEN - 17 marinsa amerikanë vdesin në portin e Adenit pas atentatit kundër destrojerit amerikan ''USS Cole''.

2001:- 11 shtator: SHBA - Katër avionë linje me 266 persona në bord përdoren si armë kundër World Trade Center në Nju Jork, Pentagon dhe Uashington. Avioni i katërt rrëzohet në Pensilvani. Bëhet fjalë për 3 000 të vdekur dhe të zhdukur.

2002:- 11 prill: TUNIZI - 21 të vdekur pas atentateve në sinagogat e Ghribas në Djerba.
- 12 tetor: INDONEZI - 202 të vdekur, shumë turistë të huaj pas një atentati në një diskotekë në Bali.

2003: - 12 maj: ARABIA SAUDITE - 35 të vdekur, nëntë amerikanë, pas një atentati të trefishtë ndaj një kompleksi rezidencial në Riad.
- 16 maj: MAROK - 45 të vdekur pas pesë atentateve.
- 15 dhe 20 nënëtor: TURQI - 63 të vdekur pas katër atentateve kamikaze kundër dy sinagogave, konsullatës britanike dhe bankës britanike, HSBC në Stamboll.

2004: - 2 mars: IRAK - më shumë se 180 të vdekur pas një sërë atentatesh në Bagdad dhe Kerbala.
- 11 mars: SPANJË - 191 të vdekur dhe 2 000 të plagosur pas një serie atentatesh kundër trenave në Madrid dhe periferi.

2005:- 7 korrik: LONDËR - 56 të vdekur pas katër atentateve kamikaze në metronë dhe në një autobus.
- 23 korrik: EGJIPT - 68 të vdekur në Sharm el-Sheikh.
- 9 nëntor: JORDANI - 60 të vdekur pas tre atentateve kundër hoteleve në Aman.

2006:- 24 prill: EGJIPT - 20 të vdekur dhe 90 të plagosur pas tre atentateve në Dahab.

2007:- 14 gusht: IRAK - më shumë se 400 të vdekur pas katr atentateve kundër një sekti fetar kurd në Ninive.
- 11 dhjetor: ALGJERI - 41 të vdekur pas atentatit kamikaz në Algjer.

2008: - 20 shtator: PAKISTAN: 60 të vdekur pas atentatit kamikaz kundër hotelit ''Marriott'' në Islamabad.

2010: - 24 nëntor: JEMEN - 23 të vdekur pas një atentati kamikaz kundër një procesioni fetar.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›