E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush jeni zoti kryeministër?

Robert Qafzezi/piktor 

-Demokracia, kjo ëndërr kaq e pritur nga ne me aq ankth e pasion ne vitet ‘90 , sot shikojmë me keqardhjen më të madhe se ajo ëndërr mbeti aty ku e lamë; dhe ndihemi fajtorë, ndihemi bashkëfajtorë në krimin kundër saj...Ne që e donim aq shumë atë oksigjen demokratik u larguam nga vendi për të thithur “oksigjenin” e emigrantit. Ne i besuam valës së re, vrullit të ri të viteve të ndryshimeve të mëdha, por ai besim u shkel me këmbë; ëndrrës sonë të madhe iu qëllua me armë lufte deri në bulevardin e Tiranës, duke vrarë bashkatdhetarë “emigrantë” në vendin e tyre. Kjo nuk falet dhe jam i sigurt që drejtësia e burrave do të kalojë, se ndërgjegjja e thellë e popullit dhe shoqëria civile shqiptare nuk kanë vdekur akoma në vendin e shqiponjave. Ne kemi ndjekur me vëmendje “evolucionin”, transformimin e “gabardinave të bardha” deri në fytyrën e tyre të plotë prej “travestije”, ku haptas kanë hedhur dinjitetin e njerëzve për ta ngrënë qentë. Ne i besuam ëndrrës dhe u bëmë avokatët, diplomatët e vërtetë të saj, aty ku ishim, jashtë vendit, megjithëse të huajt shprehnin dyshime të mëdha për prejardhjen e udhëheqësve të rinj në “demokracinë” shqiptare. 

Sot pyetja qëndron: Ju kush jeni zoti kryeministër? Partia Demokratike  u shkatërrua nga brenda , u be Piaza Pulita; ata që ishin dhe mbanin të shenjtë brenda tyre ëndrrën e lirisë ua vranë dhe sot nuk kujtohen as për t’i çuar ndonjë lule plastike tek varri. Populli nuk gënjehet më nga “etiketa blu” se asaj i ka dalë boja e origjinës së vjetër dhe nuk ka antiruxho që e mbulon më;  më shumë tragjike se sa komike. E ndërkohë vazhdon inflacioni i “medaljeve”, “dekoratave”, “titujve” , tenderëve për të mbajtur pushtetin me një “diarre” të paparë  antivlerash. Të udhëheqësh do të thotë të zgjedhësh! Të udhëheqësh do të thotë të parashikosh! Ju “pronarët” aktualë të “demokracisë” menduat se keni ekskluzivitetin mbi të vërtetat historike e vlerat kombëtare duke blerë mediat dhe duke bërë presion mbi mediat që kanë mendime opozitare apo gazetarët e rrallë që kanë mendime të lira, që nuk blihen me para se pjesa më e madhe e kanë shitur lëkurën lirë. Ju e keni keqkuptuar demokracinë dhe në të vërtetë nuk mund t’u gjykojë njeri kollaj se kur lind dhe rritesh në burg si të gjithë ne, nuk mund ta njohësh lirinë e vërtetë. Demokracia nuk është as bërja e disa segmente rrugësh, apo ndërtimi i disa bizneseve të dyshimta. Demokracia e një vendi nuk matet nga numri i pallateve apo hoteleve te ndërtuar pa leje, apo me copa shënimesh nëpër copa letrash nëpër kafe;  së pari ajo shikohet nga të drejtat që ka individi dhe sesi mbrohen këto të drejta dhe liri nga ligji e shteti. Shteti demokratik nuk ndërtohet e udhëhiqet në mënyrë të improvizuar e amatoreske, duke nxjerrë në pah gjithmonë e më shumë injorancën e udhëheqësve, sepse  shihet qartë rezultati katastrofik në të gjitha sferat e jetës, qofshin ato ekonomike apo morale, si prona, apo drejtësia. Demokracia  fillon me binomin: “Nuk mund të ketë drejtësi sociale pa liri dhe nuk mund të ekzistojë  liria pa drejtësi sociale”! Shqiptaret duhet ta kuptojnë se demokracia fitohet pa bërë kompromise për lirinë. Në momentin që bëhen kompromise për lirinë individuale demokracia merr fund së ekzistuari. Paradoksi  aktual është se ajo që quhet sot “blu” flet dhe bie erë tepër të vjetër, do të thosha e mykur, që i takon të kaluarës së zymtë e të largët, kurse zëri që vjen nga PS-ja aktuale, është zëri i një socialdemokracie të re, më evropiane, por kjo ka të bëjë direkt  me personin që po e udhëheq  me vendosmëri e profesionalizëm nëpër shtigje tepër të vështira. Të gjithë të zezat e dheut kemi dëgjuar për këtë lider nga njerëz që nuk e kanë njohur kurrë, apo për interesa të vogla kanë hedhur sasi balte deri tek jeta private e familjare, mbushur me shpifje nga më të ulëtat. Por realiteti është kryeneç e faktet flasin të kundërtën. “Ndërgjegjja e vërtetë nuk flet kurrë në mënyrë imorale dhe është vetëm ajo që vendos kush do të quhet e moralshme”(Nietzsche) Edi Rama është një intelektual që me të mund të zhvillosh çdo lloj bisede deri në fund, qoftë kjo filozofike, artistike, apo politike. Edi Rama është me karakter, me zemër të brishtë e ju siguroj që gjithmonë i ka dashur njerëzit dhe asnjëherë nuk i ka tradhtuar miqësitë, duke pasur elegancën që të sillet njëlloj, edhe me ata që e kanë tradhtuar apo i kanë dalë kundër. Edi Rama nuk është nga ata që harron shpejt me të veshur petkun e pushtetit dhe është  i pajisur me humor dhe një memorie që do t’ia kishin zilinë të gjithë ata qe e rrethojnë. Vetëm në Shqipëri bën vaki fenomeni antidemokratik që shteti së bashku me kryeministrin bëjnë fushatën e një partie, haptas fare dhe quhet krejt  normale. Akuariumit shqiptar  i ka ardhur koha që tëë ndërrojë ujin sa më shpejt që të jetë e mundur se nga pellgu dalin vetëm “zhaba” e “krokodilë”. Shqipëria mbetet një vend ku do të duhet shumë kohë akoma për të mësuar “A, b, c-në” e demokracisë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›