Kush mund ta ndryshojë Maqedoninë?
Kujtoj se në kohën e sotme është e turpshme që të flasim për të drejtat e njeriut, për demokracinë, për të mirat e demokracisë, barazinë e të drejtave politike, për lirinë e fjalës, për integrimin në BE dhe NATO etj. Gjersa populli ditë e natë rri me bark të thatë dhe është duke vdekur urie, ai gjendet buzë greminës. Në raste të këtilla ai, pra populli, nuk çanë kokën për pallavra të askujt, bile as për ato të një kryeministri i cili është duke u munduar që popullin ta mbajë në jetë me përrallat për antikitetin, përrallat për investime në ndërtimin e autostradave, përrallave për investime në ndërtimin e hidrocentraleve, përrallat që i tregon ai duke bredhur botës si në Turqi, Amerikë, Kanada, shtetet arabe, Indi, Malejzi, Kinë, shtetet skandinave etj. që t`i josh biznesmenët e këtyre shteteve që të investojnë në Maqedoni. Dhe çfarë është rezultati i këtyre sorollatjeve. Dihet, zero, andaj dhe Maqedonia është duke vendnumëruar, nuk është duke përparuar. Por, kam bindjen e thellë se që të vete para ky shtet, ai detyrimisht duhet të ndryshojë shumëçka. Që Maqedonia të ndryshojë kah e mira, të përparojë, asaj i duhet një kryeministër i guximshëm pasi kushti thelbësor i përparimit është guximi. Më pastaj Maqedonisë i duhet një kryeministër i kuptueshëm i cili di që t`i adaptohet botës, pasi kryeministri i pakuptueshëm gjithnjë përpiqet që botën t`ia përshtat vetes. Maqedonia duhet të ketë një kryeministër i cili duhet t`u përshtatet parimeve zhvillimore botërore dhe jo parimeve të tija regresive për sa i përket zhvillimit të një shteti. Po, përse u dashka që një kryeministër të jetë gjeni që të shpikë parime të reja zhvillimore kur bota i ka shpikur të tëra.
Tani është koha kur duhet marrë të gatshmen e shpikur të konfirmuar dhe të ecësh përpara. Kot nuk ka thënë Orsen Wells që: "çdo popull që veten e kërkon në të kaluarën, pëson disfatë". Maqedonia nuk duhet që t`i lejoj vetes të stagnojë edhe më tutje pasi atëherë ajo do të ngecë edhe më prapa. Maqedoninë mundet ta ndryshojë vetëm ai kryeministër që di ta ndërrojë veten. Maqedonisë i duhen vende të reja pune, pasi njeriu ka lindur që të kënaqet duke punuar. Puna i jep shkëlqim rinisë dhe nder pleqërisë, ka thënë H. de Balzac. Maqedonia nuk mundet që edhe më tutje të durojë qeveri burokrate dhe të korruptuar pasi në Maqedoni kjo burokraci e madhe është zëvendësuar me një administratë marramendëse që çdo ditë bëjnë nga një ligj, pasi si i thuan fjalës "sa më i korruptuar që është shteti, aq më shumë ligje ka". Maqedonia nuk duhet që t`i lejojë vetes që ta udhëheqin pushtetarë të atillë të cilët shfrytëzojnë lekët e popullit të vet për ta sharë dhe nënçmuar atë. Kryeministri i mirë duhet të respektojë thellë ndjenjat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe jo vetëm ato të maqedonasve, ai duhet që t`i respektoj thellë në shpirtin e tij si "branitellat", poashtu edhe dëshmorët e UÇK-së. Maqedonisë i duhet një kryeministër i cili do të vizitojë të gjitha qytetet e Maqedonisë, aq më tepër qytetet të banuara me shqiptarë, të ulet me ta dhe t`i diskutojë (në gjuhën shqipe, ashtu siç bëjnë gati të gjithë ambasadorët e huaj në Maqedoni), të gjitha çështjet që i brengosin ato. Një gjë e këtillë nuk ka ndodhur gjer tani dhe jam i bindur se një kryeministër që nuk bisedon me qytetarët e vet, ai i humb ato. Kryeministri i Maqedonisë tash e 1000 vite i ka humbur qytetarët shqiptar të Maqedonisë, jo vetëm ata, por të gjithë qytetarët që nuk i takojnë VMRO-DPMNE-së. Kryeministri i mirë bashkëkohor nuk duhet të jetoj me his- torinë, por me të tashmen. Qytetarët e Maqedonisë ngjarjet të cilat ndodhin në shtetin e tyre, ku në rolin kryesor luan kryeministri nuk duhet që ato t’i fshijnë aq shpejt nga memoria e tyre. Ndodhitë hiqen nga memoria vetëm atëherë kur ato kanë epilog të përfunduar të drejtë nga gjyqi apo ndonjë institucioni tjetër, jo ato të përfundojnë siç i thuan fjalës "mbaron çdo ndodhi gjer sa të hiqet terri i zi" dhe ngushëllimin nuk duhet që ta gjejmë te fjalët "dita e re, nafaka e re". Një kryeministër i mirë i një shteti duhet të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve të tij. Dhe ai mund të jetë i të gjithë qytetarëve vetëm atëherë kur ai do të mbështetet në parimet e natyrës, pasi natyra ka prirje që t`i çojë të gjithë gjërat aty ku dhe ato e kanë vendin, pra aty ku duhet. Një kryeministër i mirë duhet që të shpallë shtetin e tij si shtet unitar-të barabartë për të gjithë qytetarët e tij, pasi barazia është pjesa më e rëndësishme e drejtësisë, kurse barazia e rrejshme është pabarazi e dyfishtë. Të gjithë si duket e dinë (përveç kryeministrit), se pabarazia është shkaku kryesor i të gjitha lëvizjeve...
Një kryeministër i mirë duhet që të dijë se të gjithë qytetarët e shtetit të tij, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare dhe partiake, duhet të jetojnë të bashkuar, pasi ata thithin të njëjtin ajër dhe janë duke pirë të njëjtin ujë dhe jam i bindur se të gjithë, pa përjashtim, u dëshirojmë fëmijëve, mbesave dhe nipërve të tyre një ardhmëri të lumtur, kurse ata që dëshirojnë të jenë të lumtur janë të obliguar që vazhdimisht të ndryshojnë për të mirë dhe një gjë duhet ta bëjë edhe kryeministri pasi njerëzit e ndërgjegjshëm e dinë fare mirë se më i lumtur është ai njeri i cili ka bërë të lumtur më shumë njerëz. Për një kryeministër nuk duhet të jetë lumturi caku se ku ai udhëton, por mënyra e vetë udhëtimit.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”