E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushërinjtë “francezë” të katalonasve

Më shumë se pesë milionë katalanë kishin të drejtë vote në zgjedhjet e së dieles dhe shumë prej tyre votuan dhe mbështetën partitë pro-pavarësisë, të cilat preferojnë shkëputjen e Katalonisë nga Spanja. Me mijëra katalonë jetojnë në anën franceze të kufirit, të cilët nuk kishin të drejtë vote, por të cilët preferojnë Barcelonën për kryeqytet të tyre.

Në Laroque des Alberes ekziston një rrugë e pagëzuar me emrin e Marshallit Joseph Joffre, ushtarit nga Lufta e Parë Botërore, fitoret e së cilit kujtohen në rrugët nga Parisi, e deri në Nicë.

Sikur edhe të gjitha qytetet tjera në Francë, edhe Laroque e ka Sheshin e Republikës. Por ekziston një dallim domethënës. Përderisa ngjyrat e shenjave në qytetet franceze janë kaltër e bardh, në Laroque teksti është i shkruar me ngjyra të kuqe, të vendosura në një sfond të verdhë-ngjyrat e Katalonisë.

Ky vend gjendet vetëm disa kilometra larg kufirit me Spanjës. Apo për të qenë më të saktë, kufirit me Kataloninë, ku ka filluar të rritet dukshëm baza e përkrahjes për lëvizjen nacionaliste, e cila angazhohet për pavarësimin e Katalonisë nga Spanja.

Historikisht, Principata e Katalonisë shtrihet në të dy anët e kufirit. Por pasi që francezët mposhtën spanjollët në Betejën e Dunkirkut në vitin 1658, pjesët veriore të Katalonisë ju bashkuan Francës dhe që nga ajo periudhë ky rajon është nën kontrollin e Parisit.

Por në Laroque dhe komunitetet përreth, banorët lokalë nuk kanë harruar kurrë prejardhjen dhe trashëgiminë e tyre. Gjuha katalonase nuk ka vdekur kurrë, edhe pse ajo për një kohë është konsideruar si ilegale.

Rreth 30 për qind e banorëve në Laroque e flasin gjuhën katalonase, ndërsa rreth 50 për qind të tjerë e kuptojnë atë. Qyteza gjendet shumë afër Perpignanit, qytetit të dytë më të madh katalonas pas Barcelonës.

Artisti surrealist, Salvador Dali, i lindur përtej kufirit në Figueres, stacionin hekurudhor të Perpignanit e ka quajtur “qendër të botës”.

Disa lagje më larg stacionit hekurudhor gjenden zyrat e CDC-së, partisë politike katalonase e cila e kryeson koalicionin në pushtet në Barcelonë. Por edhe një Francë kjo parti është një fuqi, me 30 përfaqësues të zgjedhur, përfshirë këtu edhe nëntë prefektë.

“Qeveria e Francës është tejet centraliste. Parisi është 800 kilometra larg. Kryeqyteti ynë është Barcelona”, thotë Jordi Vera, këshilltar në qytetin e Perpignonit dhe udhëheqës i CDC-së në Francë.

Në Barcelonë, CDC dëshiron që Katalonia të përcaktojë vetë ardhmërinë e saj, larg Madridit dhe me anëtarësim të pavarur në BE.

Më herët gjatë vitit, rreth 1 milionë njerëz u tubuan në marshin për pavarësi në Barcelonë. Por edhe nëse Katalonia bëhet shtet sovran, Vera nuk e sheh Perpignanin dhe rajonet përreth si pjesë të shtetit të Katalonisë, ngase shkëputja nga Franca nuk është në agjendë.

“Atë që dëshirojmë ne janë marrëdhëniet e reja, në mënyrë që biznesi, tregtia, transporti dhe turizmi të mund të koordinohen në gjithë rajonin”, thotë ai.

Dhe nuk ka faj, ngase ka shumë për të përfituar. Rajoni ku jeton Vera është një prej rajoneve më të varfra në Francë, ndërsa Katalonia është një prej rajoneve më të pasura në Spanjë.

Vera pyet se a thua si do të votojnë skocezët në referendumin e tyre në vitin 2014, para se të vazhdojë:”Është kjo një periudhë historike për popullin katalonas. Ky rajon është një laborator për të testuar se si mund të funksionojnë shtetet më të vogla në Evropë”.

Edhe ai gjatë bisedës flet herë frëngjisht, e herë katalonisht. “Katalonishtja mund të bëhet gjuhë zyrtare në BE. Kjo do të nënkuptonte se Franca përfundimisht duhet ta njihte këtë gjuhë”, theksoi Vera.

Nga Laroque mund të shohësh përtej vreshtat në Canigou, majën e malit në lartësi prej 2700 metra, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme për katalonasit.

Gjatë natës ka rënë borë, e cila ka filluar të shkrihet menjëherë. Një grup i nxënësve ka arritur nga Katalonia, për t’u ngjitur në majen e malit.

“Por pse këtu nuk po flasin të gjithë katalonisht?”, pyet një fëmijë, i shokuar nga dominimi i çdo gjëje franceze.

Por gjatë viteve të fundit, gjithnjë e më shumë shtëpi kanë filluar të shpalosin flamurin e Katalonisë, specialitetet katalonase zënë vend të veçantë në menytë e restoranteve lokale, ndërsa vallëzimi kombëtar katalonas, Sardana, po kërcehet tani me një entuziazëm të ri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›