Përplasen për Kleçkën
Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentari Jakup Krasniqi kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të gjyqtarëve të EULEX’it për paraburgimin e Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës dhe Naser Krasniqit.
Pakënaqësinë e tij Thaçi e ka shfaqur gjatë një fjalimi në përvjetorin e FSK’së, ku ka thënë se arrestimi është kryer prapa shpinës së institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, EULEX’i e askush tjetër nuk ka të drejtë t’i arrestojë çlirimtarët e UÇK’së.
“Kjo është fyerja më e rëndë në këto ditë feste”, ka thënë Thaçi.
Krasniqi ka qenë edhe më i ashpër duke e quajtur të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
“Me arrestimin e deputetit të Kuvendit dhe nënkryetarit të PDK`së është masakruar drejtësia”, ka thënë ai.
Një reagim ka ardhur edhe nga anëtari më i ri i PDK’së, Kadri Veseli.
“Arrestimi i luftëtarëve të lirisë, z. Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve tjerë, është një veprim që nuk ndihmon proceset politike dhe demokratike në Kosovë, lëndon ndjenjat e popullit tonë në akuzat njollosëse kundër luftëtarëve të lirisë dhe luftës sonë të drejtë çlirimtare”, ka thënë Veseli.
Por ish – Shefi i SHIK’ut ka thënë se Kosova ka nevojë për ndihmë dhe partneritet me BE dhe EULEX’in.
“Por, është urgjente instalimi i logjikes institucionale të respektit të ndërsjellë politik dhe institucional”, ka thënë ai
Këto deklarata të politikanëve kosovarë nuk i kanë pëlqyer Përfaqësuesit të Bashkimit Europian në Kosovë.
Samuel Zbogar përmes një komunikate për media ka kërkuar të mos komentohen proceset gjyqësore.
“Parim themelor i çdo shoqërie moderne, demokratike është mosndërhyrja në proces gjyqësor. Gjykatësit veprojnë në mënyrë të pavarur, prokurorët veprojnë në mënyrë autonome dhe të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e tyre”, thuhet në reagimin e Zbogar.
Slloveni ka mohuar të ketë pasur motive politike për vendimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX’it.
Ndërsa ua ka kujtuar autoriteteve kosovare se sundimi i rendit dhe ligjit mbetet obligimi kryesor që kanë për në BE.
“BE’ja bashkë me të gjitha instrumentet e saj, përfshirë EULEX’in, është këtu për të ndihmuar. Unë e mbështes plotësisht EULEX’in në misionin e tij. EULEX’i dhe stafi i tij po ashtu mbështeten plotësisht edhe nga të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian", ka thënë Zbogar.
Shefi i grupit parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, në një konferencë për media të hënën ka thënë se partia e tij do të kërkojë rishikimin e mandatit nga Kuvendi i Kosovës.
“Me veprime të tilla, EULEX’i po rrezikon proceset në tërësi dhe veprimet e tilla nga ana jonë konsiderohen të padrejta dhe të papranueshme. Prandaj konsiderojmë se Kuvendi i Kosovës duhet ta rishikojë mandatin e EULEX’it në Kosovë”, ka thënë Grabovci.
Por, pavarësisht reagimit, është Kuvendi i Kosovës ai që i ka dhënë të drejtën e operimit në Kosovë deri më 2014.
Paraburgimin e Limajt dhe të tjerëve ndërkaq e kanë mirëpritur autoritetet në Beograd.
“Kërkojmë që të gjithë personat e akuzuar për krime lufte të sillen para drejtësisë. Kujtojmë se për drejtësi presin mbi 1,000 serbë dhe joshqiptarë të tjerë të vrarë nga viti 1999 e deri më sot”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Mbrojtja deponon ankesat
Mbrojtja në rastin “Kleçka” ia ka dorëzuar të hënën Gjykatës Supreme të Kosovës ankesat në lidhje me paraburgimin e klientëve të tyre.
Avokati Muhamet Halimi, mbrojtës i Nexhmi Krasniqit, ka thënë se ka vend për dyshime në aktvendimin, me të cilin klienti i tij dhe të tjerët janë vënë në pranga.
“Gjyqtari nuk e ka vendimin e Gjykatës Supreme, nuk e ka formën e shkruar dhe nuk e ka asnjë fletë të shkresave të lëndës. Kjo shtyn në dyshimin se kjo sjellje e organeve gjyqësore të EULEX’it dhe Prokurorisë janë të ndikuara jashtëzakonisht rëndë dhe në mënyrë më të pajustifikuar politikisht”, ka thënë Halimi.
Dorëzimin e ankesave e ka konfirmuar edhe avokati Bajram Tmava, i cili mbron Naser Shalën.
Protestojnë bashkëluftëtarët e “Kumanovës”
Ish-luftëtarët e Brigadës 121 “Kumanova” pritet të protestojnë të martën në Gjurgjicë të Malishevës për të kundërshtuar paraburgimin e deputetit Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të akuzuar në rastin “Kleçka”.
“Për nder të festës së 100- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ne ish-bashkëluftëtarët e Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës e Naser Krasniqit, do të organizojmë protestë masive në shenjë pakënaqësie me rastin e arrestimit të bashkëluftëtarëve të tonë”, thuhet në njoftimin e përfaqësuesve të kësaj brigade. Të njëjtit ndër të tjera kanë reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit Hashim Thaçi, i cili akuzoi EULEX’in për paraburgimin. Bashkëluftëtarët e Limajt kanë kërkuar qe drejtësinë ta vënë institucionet kosovare.
“Adresa e përgjegjësisë jeni ju, për këtë padrejtësi dhe persekutim politik që po u bëhet luftëtarëve të UÇK’së”, thuhet në reagim. Protesta kanë paralajmëruar edhe përfaqësuesit e OVL- UÇK’së.