Kushi: Për të rinjtë që ndjekin degët mësuesi, bujqësi dhe turizëm, bursë sa paga minimale dhe tre vjet punë në Shqipëri
Qeveria shqiptare miratoi të enjten vendimin për të akorduar bursë sa paga minimale mujore për studentët që do të zgjedhin degë si mësuesinë, bujqësinë apo turizmin. por me kushtin që kur të diplomohen të japin kontributin minimumi për 3 vite në Shqipëri.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në një komunikim me mediet pas mbledhjes së qeverisë të enjten.
“Aktualisht sipas vendimit që është në fuqi ne kemi shpallur një listë të programeve prioritare siç janë bujqësia, disa inxhinieri, turizmi, mësuesia” tha ministrja Kushi.
Ajo njoftoi gjithashtu se të gjithë ata maturantë që kanë mesataren mbi 8.5 dhe që zgjedhin një nga këto programe prioritare përfitojnë çdo muaj një bursë sa paga minimale.
“Detyrimi i tyre është që pas diplomimit të qëndrojnë 3 vite, të japin kontribut për vendin. Dhe të njëjtën bursë sa paga minimale çdo muaj e përfitojnë edhe studentët ekselentë që janë me të gjitha dhjeta në maturë dhe të katërta provimet e maturës, ashtu sikurse ata që fitojnë olimpiada ndërkombëtare”, tha ministrja Kushi.
Në momentin që duhet të marrin vendimin se çfarë programi do të zgjedhin, ministrja Kushi ftoi të gjithë maturantët, ta vlerësojnë këtë mundësi.
Por ministrja tha se kushti për marrrjen e bursës është që kur të diplomohen të qëndrojnë në Shqipëri dhe të japin kontributin minimumi për 3 vite.
/ rtsh.al /