Kushi: Zgjatet periudha e mësimit plotësues!

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve Evis Kushi njoftoi të premten se është vendosur zgjatja e periudhës së mësimit plotësues nga 13 shtator deri më 27 shtator 2021. “Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021” tha zonja Kushi.
Sipas saj “Gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore” spjegoi ministrja. Ministrja Kushi tha gjithashtu se pas këtij vendimi do të zgjatet dhe periudha e mbylljes së vitit mësimor 21-22.