E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kushi: Zgjidhje përfundimtare transportit për mësuesit që punojnë larg vendbanimit

Jo vetëm mësuesit, punonjësit psiko-socialë apo oficerët e sigurisë që punojnë jashtë qendrave urbane në largësinë 5 – 50 km, tashmë edhe punonjësit arsimorë që punojnë larg vendbanimit të tyre, ndonëse shkolla mund të jetë në një bashki tjetër do t’i paguhet transporti. Lajmin e bën me dije përmes një postimi në rrjete sociale, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.

“Konkretisht, vendimi garanton përfitimet për të gjithë mësuesit, punonjësit psiko-socialë dhe oficerët e sigurisë që punojnë jashtë qendrave urbane në largësinë 5 – 50 km, edhe në rastet kur kanë vendbanimin jashtë ZVAP-së ku ndodhet qendra e punës.

Në VKM-në e vjetër pagesë për transport merrnin vetëm ata mësues të cilët banojnë 5 deri në 50 km larg shkollës ku punojnë, por brenda të njëjtës bashki. Tashmë ky kriter vjen i ndryshuar, dhe sipas vendimit të ri pagesën e transportit e përfitojnë edhe ata mësues që japin mësim nga 5 deri në 50 km larg vendbanimit, ndonëse shkolla mund të jetë në një bashki tjetër”, theksohet në njoftim.

Ndërkohë ministrja thekson se gjithashtu transport të rimbursuar vijojnë të përfitojnë: nxënësit që ndjekin procesin mësimor në shkolla publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë mbi 2 km, nxënësit që jetojnë në qendra rezidenciale, grupet e nxënësve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, nxënësve të arsimit parauniversitar me aftësi të kufizuara, që gëzojnë statusin ligjor të invalidit, që nuk shikojnë, që nuk dëgjojnë, invalidit paraplegjik dhe invalidit tetraplegjik; nxënësit që ndjekin procesin mësimor në shkollat publike, të arsimit të mesëm të lartë dhe të arsimit profesional, godinat e të cilave kanë dalë jashtë funksionit apo janë në rikonstruksion/rindërtim, dhe që udhëtojnë mbi 5 km, larg vendbanimit të përhershëm.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ndodhet në një vizitë zyrtare pune në Itali.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›