Shkollat jashtë vendbanimeve, qeveria financon transportin për mësuesit dhe nxënësit, publikohen pagesat sipas distancave

Problematika e pagesave të mësuesve, lidhur me transportin jashtë vendbanimeve, si dhe e nxënësve që i kanë shkollat jashtë qendrave të tyre të banimeve, tashmë duket se ka marrë zgjidhje.
Nëpërmjet një vendimi të miratuar tashmë edhe në qeveri, i cili publikohet nga rtsh.al., punonjësit arsimorë të institucioneve arsimore parauniversitare publike, si dhe nxënësit do të përfitojnë në masën 1 000 lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm i tyre, deri në institucionin arsimor publik parauniversitar është në distancën mbi 5 km deri në 10 km.
Po kjo kategori do të përfitojë në masën 1 500 lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm, deri në institucionin arsimor publik parauniversitar është në distancën mbi 10 km deri në 20 km.
Ndërsa në masën 2 700 lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm, deri në institucionin arsimor publik parauniversitar është në distancën mbi 20 km deri në 50 km.
“ZVAP-et dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore bashkëpunojnë dhe koordinojnë të dhënat për numrin e përfituesve e largësitë nga vendbanimi dhe raportojnë në ministrinë përgjegjëse për arsimin, çdo 3 muaj.”- thuhet në vendim.
Përballimi i shpenzimeve dhe kush nuk përfiton
Vendimi parashikon që përballimi nga fondet publike të shpenzimeve do të bëhet për transportin e punonjësve arsimorë të institucioneve arsimore parauniversitare publike (në vijim IAP publike), ku përfshihen punonjësit e arsimit parashkollor, arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë (drejtor, nëndrejtor, mësues, edukator, oficerë sigurie, punonjës të shërbimit psiko-social), që punojnë larg vendbanimit të përhershëm të tyre, jashtë qendrave urbane dhe kthehen brenda ditës në vendbanim, në distancën mbi 5 km deri në 50 km.
Po kështu fondi do të jetë në dispozion edhe për nxënësit që ndjekin procesin mësimor në IAP-të publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë nga vendbanimi i përhershëm në një vendbanim tjetër, mbi 2 km larg IAP-ve publike më të afërta (shkollë/kopsht).
“Fondi do të jetë në dispozion të nxënësve që jetojnë në qendra rezidenciale, të krijuara me vendim të Këshillit të Ministrave, për grupe të nxënësve/fëmijëve/familjeve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë dhe që udhëtojnë mbi 2 km larg për të ndjekur mësimin në IAP-të publike më të afërta (shkollat e arsimit bazë ose kopshtet publike). Nxënësit e arsimit parauniversitar me aftësi të kufizuara, që gëzojnë statusin ligjor të invalidit, që nuk shikojnë, që nuk dëgjojnë, invalidit paraplegjik dhe invalidit tetraplegjik, si dhe nxënësve që ndjekin procesin mësimor në IAP-të publike, të arsimit të mesëm të lartë dhe të arsimit profesional, godinat e të cilave kanë dalë jashtë funksionit apo janë në rikonstruksion/rindërtim, vërtetuar me aktet përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi dhe që udhëtojnë mbi 5 km për të ndjekur procesin mësimor, larg vendbanimit të përhershëm. Po kështu, fondi është në dispozicion edhe të nxënësve që ndjekin arsimin profesional publik, që udhëtojnë nga vendbanimi i përhershëm në një vendbanim tjetër, mbi 5 km deri në 50 km larg ofruesit publik të arsimit profesional.”- thuhet në vendim.
Por në asnjë rast nuk përfitojnë shpenzime transporti nxënësit/fëmijët që udhëtojnë mbi 2 km, nëse në vendbanimin e tyre funksionojnë IAP-të publike (shkollë/kopsht).
Përllogaritja e fondeve dhe lista
Njësitë e vetëqeverisjes vendore përcaktojnë linjat përkatëse në pjesë të rrjetit të linjave të transportit rrethqytetas, të miratuara nga këto njësi, mbështetur në numrin e fëmijëve/nxënësve dhe të punonjësve arsimorë të IAP-ve publike, që planifikohen të përfitojnë nga ky shërbim, bazuar në informacionin që marrin nga zyrat vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP) dhe ofruesit e arsimit profesional publik, brenda muajit tetor për vitin e ardhshëm buxhetor.
Listat e përfituesve konfirmohen nga ZVAP-të dhe ofruesit e arsimit profesional publik pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për distancën nga vendbanimi i përhershëm dhe dërgohen në drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar (DRAP) dhe ofruesit e arsimit profesional publik, për të realizuar procedurën e prokurimit publik, brenda muajit nëntor, për vitin e ardhshëm buxhetor.
DRAP-të dhe ofruesit e arsimit profesional publik prokurojnë me fonde publike shërbimin e transportit të nxënësve dhe të punonjësve arsimorë, sipas linjave në përbërje/pjesë të rrjetit të linjave të transportit rrethqytetas, të miratuara nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.
Përllogaritja e fondeve, që prokurohen, kryhet mbi bazën e numrit të ditëve mësimore, numrit të mësuesve që përfitojnë shërbim transporti, vetëm për ata punonjës arsimorë që udhëtojnë brenda linjave të transportit rrethqytetas, numrit të nxënësve që përfitojnë shërbimin e transportit dhe çmimit të indeksuar me normën e inflacionit të tarifës/çmimit të biletës për linjat rrethqytetase të transportit, miratohen me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke shtuar, vetëm për nxënësit, edhe 50 (pesëdhjetë) për qind mbi çmimin e indeksuar të vlerës së biletës, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.
Në rastet kur procedura e prokurimit publik të linjave të transportit rrethqytetas, nuk realizohet me sukses nga DRAP-ja, me autorizimin e kësaj të fundit, ZVAP-ja siguron mbulimin e shpenzimeve për linjat e transportit të nxënësve dhe punonjësve arsimorë të IAP-së publike përfitues, nëpërmjet llogarive bankare në bankat e nivelit të dytë të prindërve të nxënësve, të kujdestarëve ligjorë apo të përfituesve me prokurë të posaçme dhe të punonjësve arsimorë të IAP-së publike, përfitues ose nëpërmjet shërbimit postar, vetëm për ato zona ku shërbimi bankar mungon apo është jo lehtësisht i aksesueshëm, deri në përfundim të vitit buxhetor.
Në arsimin profesional, në rastet kur ofruesi i arsimit profesional publik nuk realizon me sukses procedurën e prokurimit publik të linjave të transportit rrethqytetas, vetë ofruesi i arsimit profesional siguron mbulimin e shpenzimeve për linjat e transportit të nxënësve dhe punonjësve arsimorë përfitues, nëpërmjet llogarive bankare në bankat e nivelit të dytë të prindërve të nxënësve, të kujdestarëve ligjorë apo të përfituesve me prokurë të posaçme dhe të punonjësve arsimorë.
Llogaritja e shpenzimeve
Masa e shpenzimeve nga ZVAP-të llogaritet vetëm mbi bazën e numrit të ditëve mësimore të realizuara, numrit të punonjësve arsimorë që janë paraqitur në punë, numrit të nxënësve që kanë ndjekur mësimin dhe çmimit të biletës, të miratuar me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse, i cili indeksohet me normën vjetore të inflacionit, duke shtuar, vetëm për nxënësit, edhe 50 (pesëdhjetë) për qind mbi çmimin e indeksuar të vlerës së biletës, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.
Punonjësve arsimorë, të cilët janë të punësuar në IAP-të publike, jashtë territorit të bashkisë së vendbanimit të tyre, u paguhet çmimi i indeksuar me normën e inflacionit të tarifës së biletës të linjave në përbërje/pjesë të rrjetit të linjave të transportit ndërqytetës, miratuar nga ministri përgjegjës për transportin, në përputhje me numrin e ditëve që janë paraqitur në punë, të konfirmuara nga drejtori i institucionit arsimor.
Pagesa për këtë kategori punonjësish kryhet në llogaritë e tyre bankare dhe kjo kategori punonjësish nuk përfshihet në përllogaritjen e fondit. Punonjësit arsimorë, që përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit të siguruar nga institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, përfitojnë kompensim mujor të diferencuar, për distancat, si më poshtë vijon:
a) Në masën 1 000 (një mijë) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm i tyre, deri në institucionin arsimor publik parauniversitar është në distancën mbi 5 km deri në 10 km;
b) Në masën 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm, deri në institucionin arsimor publik parauniversitar është në distancën mbi 10 km deri në 20 km;
c) Në masën 2 700 (dy mijë e shtatëqind) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm, deri në institucionin arsimor publik parauniversitar është në distancën mbi 20 km deri në 50 km. ZVAP-et dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore bashkëpunojnë dhe koordinojnë të dhënat për numrin e përfituesve e largësitë nga vendbanimi dhe raportojnë në ministrinë përgjegjëse për arsimin, çdo 3 (tre) muaj.
Punonjësit arsimorë, të cilët janë punësuar në IAP-të publike, në distancë nga vendbanimi mbi 50 km dhe nuk përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit, sipas këtij vendimi, përfitojnë kompensim mujor.
Efektet financiare për arsimin e përgjithshëm, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin, e cila rishpërndan fondet përkatëse te ZVAP-të, si dhe nga buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore, në rastet kur me vendim të organeve kolegjiale, njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të financojnë shpenzime transporti për nxënësit dhe punonjësit e arsimit parauniversitar publik edhe për distanca të tjera, jashtë përcaktimeve të këtij vendimi.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për nxënësit dhe mësuesit e arsimit profesional publik përballohen nga buxheti i miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin profesional.
Do të jetë ministria e Arsimit dhe Sportit, e Financave dhe Ekonomisë, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar, ofruesit e arsimit profesional publik dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore që do të zbatojnë këtë vendim.
/rtsh.al/ a.meta/