Kushner: Miqtë tanë do ti zgjidhin problemet e vogla politike
Situata politike në Shqipëri komentohet nga diplomacia franceze, e cila sugjeron zgjidhjen e ngërçit politik. Qëndrimi është bërë publik gjatë takimit mes zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta me homologun e tij francez, Bernard Kushner.
Duke reaguar mbi marrëveshjen PD-PS dhe liberalizimit të vizave, Kushner tha se “ka disa probleme të vogla politike që miqtë tanë do t’i zgjidhin. Ne të gjithë së bashku duhet të takohemi, të komunikojmë, që ta bëjmë hapësirën e Bashkimit Europian një hapësirë vëllazërore”. Sipas ministrit të Jashtëm francez, i gjithë Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria në veçanti, duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. “Patjetër që do duhet pak kohë, do jetë proces i ndryshëm në varësi të vendeve, ne do bëjmë përshtatjet e duhura dhe Franca e mbështet këtë në mënyrë konkrete e konstante”, tha Kushner. Shqipëria ka marrë mbështetjen franceze për liberalizimin e vizave. Kushner vlerësoi arritjet e Shqipërisë në plotësimin e detyrimeve të udhërrëfyesit dhe theksoi se Franca do ta mbështesë propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Ministri i Jashtëm francez nënvizoi se do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe të të gjithë rajonit. Dy ministrat folën gjithashtu edhe mbi situatën politike në Shqipëri, duke theksuar se çdo problem duhet zgjidhur përmes dialogut konstruktiv, rrugës institucionale, në respekt të plotë të Kushtetutës dhe institucioneve të pavarura të vendit.
Gjatë takimit Meta dhe Kushner diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale, procesin e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe mbi zhvillimet në rajon. Meta e njohu ministrin Kushner me përpjekjet e qeverisë për të përmbyllur së shpejti tri çështjet në ndjekje, nga udhërrëfyesi i vizave. Gjithashtu ai theksoi se zbatimi i ligjeve dhe bashkëpunimi me vendet partnere do të vazhdojë të sigurojë vendet anëtare të BE-së për seriozitetin e luftës së Shqipërisë kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera negative. Ministri Meta theksoi rolin e ri në rritje të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht pas anëtarësimit në NATO dhe shprehu falënderimin për asistencën e trupave franceze në mbështetje të trupave shqiptare që kanë operuar bashkërisht në çad. Së fundi, shefi i diplomacisë franceze, Kushner, pranoi ftesën e homologut Ilir Meta për të vizituar Shqipërinë. Meta dhe Kushner theksuan rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, duke organizuar së shpejti në Tiranë një forum të përbashkët ekonomik, si dhe rëndësinë e rritjes së investimeve të kompanive franceze në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare. Gjatë takimit, dy ministrat folën edhe për situatën në rajon, në vijim të takimit të Nivelit të Lartë të Sarajevës, ku u theksua roli konstruktiv i Shqipërisë në shërbim të stabilitetit e prosperitetit rajonal dhe mbështetja e plotë e Francës për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.