Berisha përshëndet 11-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga NATO
Kryeministri Sali Berisha kujtoi dje 11-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin përfundimtar të Kosovës, ndërsa vlerësoi se "Kosova është shndërruar sot në një nga vendet më të sigurta në rajon dhe më gjerë, që prodhon paqe, stabilitet dhe bashkëpunim".
Në një konferencë për shtyp, Kryeministri Berisha e quajti një datë historike për lirinë e kombit shqiptar, lirinë e Kosovës.
"11 vjet më parë forcat tokësore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas një fushate rreth tremujore të sulmeve ajrore, hynë në territorin e Kosovës dhe çliruan atë nga një regjim barbar çnjerëzor që shkatërroi mbi 20 mijë jetë njerëzore dhe rrafshoi mbi 130 mijë banesa, shkolla, spitale dhe kopshte", tha Kryeministri. Ai shprehu mirënjohjen ndaj ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s, qeverive të tyre dhe ish-presidentit të SHBA-së, Bill Klinton, që udhëhoqi Aleancën me një betejë vendimtare për lirinë e shqiptarëve, për paqen dhe sigurinë në Kosovë, në rajon dhe në Europë".
#