PS në Kuvend? Sot vendos Kryesia
Kryesia e PS-së vendos sot mbi qëndrimin që do të mbajë ditën e hënë. Nesër mblidhet grupi parlamentar
TIRANË - Partia Socialiste do të caktojë sot në mënyrë përfundimtare qëndrimin e saj karshi legjitimitetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe pjesëmarrjes së grupit të saj parlamentar në të.
Në bazë të rezolutës ende të pazbardhur plotësisht të Kongresit të Jashtëzakonshëm që mbajti punimet një javë më parë, mblidhet sot në orën 19 kryesia e PSSH-së, për të përcaktuar pikërisht marrëdhëniet e grupit të ri parlamentar me institucionin e Kuvendit.
Ndërkohë që nesër vendimi që do të marrë kryesia do të konsultohet edhe me grupin parlamentar që pritet të mblidhet gjatë paradites.
Opsionet
Ajo që pritet të diskutohet sot në mbledhjen e kryesisë janë pikërisht tre opsionet që ekzistojnë dhe që janë përfolur më shumë mes vetë socialistëve dhe që kanë të bëjnë pikërisht me pozicionimin e grupit kuvendor socialist kundrejt legjislativit të ri.
Natyrisht, opsioni më i mundshëm që pritet të miratohet është ai që është mbrojtur fort gjatë këtyre ditëve edhe nga kryesocialisti Edi Rama, pra bojkotimi total i punimeve të Kuvendit.
Por, siç dihet, kjo do të jetë një alternativë, që pritet të sjellë shumë debate në kryesi, për vetë faktin se ndaj saj janë shprehur në mënyrë kategorike një pjesë e mirë e anëtarëve të këtij forumi, që janë njëkohësisht edhe deputetë. Miratimi i këtij opsioni do të përbënte dhe pozicionimin më radikal të PS-së ndaj institucioneve që prodhoi procesi elektoral i 28 qershorit.
Përballë këtij opsioni qëndrojnë grupi i anëtarëve të kryesisë, të cilët në kongres u shfaqën si kundërshtarë të kryetarit në detyrë, Edi Rama, të cilët mbështesin rezolutën e Asamblesë Kombëtare dhe jo atë të Kongresit, duke kërkuar pjesëmarrjen e deputetëve socialistë në Kuvend.
Ata kanë kundërshtuar fort ditët e fundit rezolutën e Kongresit, duke bërë të ditur se radikalizmi i qëndrimit të PS-së ndaj Kuvendit nuk ndihmon PS-në për të arritur qëllimet e saj, kundrejt zbardhjes së shkeljeve të pretenduara për procesin elektoral të 28 qershorit.
Si një alternativë e mesme, që mund të përafronte dy qëndrimet e tjera, bëhet e ditur se është edhe ai i pjesëmarrjes në Kuvend ditën e hënë për të bërë betimin, si një akt që do të legjitimonte mandatet e gjithë të zgjedhurve socialistë, dhe largimin më pas deri në përmbushjen e kërkesave të PS-së për hetimin e shkeljeve elektorale.
Kushtet
Në rast se forumet partiake përgjegjëse, pra kryesia dhe grupi parlamentar, do të miratojnë alternativat e bojkotit të Kuvendit, atëherë PS-ja ka gati edhe kushtet që do t'i vërë Partisë Demokratike si mundësia e vetme për t'u kthyer në të.
Kështu, të njëjtat burime konfirmojnë se kushti i vetëm buron pikërisht nga rezoluta e miratuar nga Asambleja dhe Kongresi, dhe që ka të bëjë me hetimin parlamentar të procesit elektoral të 28 qershorit, në ato qarqe ku kjo forcë pati pretendime për manipulime.
Pra, bëhet fjalë pak a shumë për një marrëveshje paraprake me PD-në për të marrë prej saj garancinë se do të ngrejë së pari komisionin hetimor parlamentar dhe së dyti do të vërë në dispozicion të tij të gjitha materialet zgjedhore, përfshi edhe kutitë e votimit, për të kryer hetimin parlamentar.
Natyrisht, është e kuptueshme se PS-ja do të përqendrojë kërkesat e saj në ato qarqe ku dhe pati pretendime për manipulime, siç është Berati, Tirana dhe Shkodra.