E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e lejes së qëndrimit

18/04/2011  Leja e qëndrimit mund të rinovohet për një nga arsyet e tjera të ligjit për emigracionin

Si mund të përfitohet në rastet e aksidenteve në punë dhe arsye shëndetësore

Viktimat e aksidenteve në punë dhe të aksidenteve të tjera, për periudhën kohore sa zgjat terapia ose kanë dalë në pension për këtë shkak mund të pajisen me leje qëndrimi për arsye humanitare. Por sipas legjislacionit në fuqi në shtetin grek, leja e qëndrimit që jepet për arsye humanitare mund të rinovohet për një nga arsyet e tjera të ligjit për emigracionin, përderisa pushojnë së ekzistuari arsyet për të cilat u lëshua kjo leje. Leja e qëndrimit për arsye të natyrës humanitare ekziston dhe jepet midis 32 lejeve të qëndrimit që lëshohen për shtetasit e vendeve të treta në Greqi.

Rastet kur lëshohet kjo leje

Gjithashtu, leje qëndrimi humanitare lëshohet edhe në këto raste të tjera: për viktimat e akteve kriminale, përderisa këto rezultojnë nga vendimi gjyqësor dhe për periudhë kohore sa zgjat terapia e tyre; tek personat, të cilët mbahen në fondacione dhe në persona juridikë me qëllim humanitar; tek të miturit, mbikëqyrjen e të cilëve e kanë familje greke ose familje shtetas të vendeve të treta me qëndrim të ligjshëm në Greqi ose për të cilët është në pritje procedura e birësimit; tek personat që vuajnë nga probleme shëndetësore serioze. Për të gjitha këto leje qëndrimi nuk kërkohet dorëzimi i taksës. Ndërkohë, ekzistenca e problemeve shëndetësore serioze, si dhe kohëzgjatja e terapisë, vërtetohen me raport të kohëve të fundit të spitalit shtetëror ose të Entit të Sigurimeve Shoqërore. Në rastin kur problemi shëndetësor ka të bëjë me sëmundje infektive, për dhënien e vendimit të mësipërm kërkohet vlerësimi aprovues i ministrit të Shëndetësisë se nuk përbën rrezik për shëndetin publik. Kusht për dhënien e lejes së mësipërme është disponimi i mëparshëm nga kërkuesi i lejes së qëndrimit. Kohëzgjatja e lejes është deri në një vit dhe mund të rinovohet çdo herë për periudhë të njëjtë kohore. Në rastin e ekzistencës së arsyeve që nuk përputhen me parashikimet e paragrafit të mëparshëm dhe të cilat e bëjnë të nevojshme qëndrimin e shtetasit të vendit të tretë, është e mundur dhënia e lejes së qëndrimit, me vendim të ministrit të Brendshëm. Kohëzgjatja e lejes së mësipërme nuk mund të kapërcejë të gjashtë muajt dhe nuk rinovohet për të njëjtën arsye veçse vetëm për një nga arsyet e tjera të parashikuara në dispozitat e këtij ligji. Vlen të theksohet se shërbim kompetent për dorëzimin e kërkesave të mësipërme është Drejtoria e të Huajve dhe e Emigracionit e Ministrisë së Brendshme. Lejet e qëndrimit i ofrojnë shtetasit të vendit të tretë të drejtën për të hyrë në tregun e punës.

32 leje

Shteti grek lëshon për shtetasit e vendeve të treta 32 leje qëndrimi, në rastet se përmbushin kushtet dhe paguajnë taksat sipas legjislacionit në fuqi

1 vit

Kjo është kohëzgjatja e lejes së qëndrimit për arsye humanitare, pra deri në një vit dhe mund të rinovohet çdo herë për periudhë të njëjtë kohore

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›