E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova kërkon anëtarësinë në OKB

Britania paralajmëron Serbinë: Mos mino pavarësinë, përndryshe...

Britania e Madhe paralajmëroi Serbinë se çdo përpjekje për të minuar pavarësinë e Kosovës do të nxiste konfrontime të reja me ato vende që e kanë njohur Prishtinën. Zëvendësambasadori britanik në OKB, Filip Parham, tha se në dritën e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka ardhur koha që t'u jepet fund debateve rreth pavarësisë së Kosovës, të cilën Serbia dhe aleati i saj, Rusia, thonë se kurrë nuk do ta pranojnë. "Procesi legal para GJND-së mori fund dhe kjo nënkupton edhe fundin e debatit rreth statusit të Kosovës", i tha Parham Këshillit të Sigurimit. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka diskutuar të martën në mbrëmje (sipas orës lokale të Shqipërisë) për gjendjen në Kosovë në një seancë e cila është mbajtur me nismën e Rusisë, e cila është edhe kryesuese gjatë këtij muaji. Përfaqësuesit e shteteve që e mbështesin pavarësinë e Kosovës janë shprehur pro Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e Serbisë, Rusisë dhe Kinës kanë kundërshtuar realitetin e njohur edhe nga GJND-ja. Me gjithë spekulimet që u dëgjuan gjatë ditës se Rusia nuk do të lejojë pjesëmarrjen e shefit të diplomacisë së Kosovës në këtë seancë, ministri Skënder Hyseni ishte i pranishëm në takim dhe foli para anëtarëve të KS. Që në fillim të fjalës së tij, ministri Hyseni bëri thirrje "që Rezoluta 1244 të zëvendësohet me një rezolutë të re, e cila do të reflektonte realitetet e krijuara me pavarësinë e Kosovës dhe me mendimin e qartë të GJND-së në favor të saj". "Kërkesa jonë për zëvendësim të 1244 është në linjë me objektivin e Kosovës për t'u bërë anëtare e OKB-së. Anëtarësimi në OKB është objektiv të cilin synojmë ta arrijmë sa më shpejtë që të jetë e mundshme, si një hap i natyrshëm pas mendimit të GJND-së", tha Hyseni. Në vijim të fjalës së tij ai u shpreh se ndihej krenar për progresin që ka bërë vendi dhe qeveria e Kosovës që nga dita e shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008, duke thënë se gjatë dy viteve e gjysmë është themeluar një shtet demokratik dhe shumetnik në paqe me të gjitha shtetet fqinje dhe e vendosur bindshëm në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian dhe në NATO. Hyseni tha se Prishtina mirëpriti mendimin këshillues të GJND-së, e cila konkludoi me shumicë votash, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e shpallur më 17 shkurt 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, kritikoi mendimin e GJND-së, duke e quajtur atë të dështuar, teknik dhe duke i bërë një interpretim të çuditshëm, sipas të cilit, mendimi i GJND-së thotë se Kosova duhet të mbetet nën Rezolutën 1244. Sipas tij, draft-rezoluta e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme do të fokusohet në pasojat e shpalljes së pavarësisë, duke kërkuar mbështetjen e vendeve anëtare. Sipas Jeremiçit, Serbia në asnjë rrethanë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke përsëritur pohimet serbe se në çështjen e Kosovës, Serbia nuk duhet të humbë gjithçka, ndërsa shqiptarët të fitojnë gjithçka. A kërkoi negociata të reja për Kosovën dhe një zgjidhje kompromisi. Ndërkaq, zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Rozmari Di Karlo, tha se vendi i saj ka shpresuar se vendimi i gjykatës do të shërbejë për Kosovën dhe Serbinë si bazë për të kapërcyer përtej debateve të së kaluarës dhe të bashkëpunojnë në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ajo tha se vendimi i gjykatës riafirmoi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe shumë vendeve të tjera mbi deklarimin e pavarësisë së Kosovës. "Ne besojmë, tha ajo se vendimi i gjykatës do të inkurajojë vendet e tjera që ta njohin Kosovën e pavarur. Ajo i tha Presidentit me rotacion të Këshillit të Sigurimit, ambasadorit rus, Vitali çurkin, se Kosova është një rast special dhe nuk përbën precendent për konflikte të tjera. Duke folur për shtypin pas takimit, ambasadori rus, Vitali çurkin, i cili është president i Këshillit të Sigurimit këtë muaj, tha se ai nuk mendonte se Rezoluta 1244 do të ndryshojë apo që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›