Kushtet higjieno-sanitare, mijëra nxënës nuk do shkojnë në shkollë
GJIROKASTËR - Ndërsa ka mbetur vetëm një javë nga nisja e vitit të ri shkollor 2009- 2010, kushtet e këqija që katër prej institucioneve arsimore në qytetin e Gjirokastrës ofrojnë, mund të çojnë në mbylljen e tyre. Specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Gjirokastër kanë kryer inspektimet përkatëse në shkolla e konvikte dhe i kanë lënë një javë afat pushtetit vendor për përmirësimin e gjendjes; në të kundërt nuk do të lejohet që të hapen. Bëhet fjalë për shkollat 9- vjeçare "Koto Hoxhi", "Urani Rumbo" "Andon Zako Çajupi" dhe shkolla fillore "Së bashku".
Problemet kryesore kanë të bëjnë me mungesën e ujit dhe tualetet, elementë që për specialistët e higjienës rrezikojnë seriozisht shëndetin e nxënësve. Të gjitha mangësitë e vërejtura i janë paraqitur pushteti vendor nëpërmjet një relacioni, ku kërkohet marrja e masave të menjëhershme deri në datën 14 shtator, pasi në të kundërt nuk do të lejohet hapja e tyre. "Është e patolerueshme që në qytetin e Gjirokastrës shkollat të mos plotësojnë as kushtet më minimale të higjienës. Duhet të merren masa të menjëhershme, pasi nuk mund të rrezikojmë shëndetin e nxënësve", shprehen burime nga Drejtoria e Shëndetit Publik.
Në shkollën "Koto Hoxhi", më e madhja në rrethin e Gjirokastrës, për 1030 nxënës ka vetëm 3 tualete në dispozicion, ndërsa uji është me orar. Tepër problematike situata veçanërisht e tualeteve paraqitet edhe në shkollën "Urani Rumbo", ndërsa shkolla fillore "Së bashku" është mbyllur disa herë gjatë viteve të kaluara dhe pavarësisht premtimeve për ndryshimin e gjendjes, ajo sa vjen e përkeqësohet. Për këtë vit, Bashkia e Gjirokastrës ka akorduar një fond prej 1.5 milionë lekësh për ndërhyrje në shkollat e kopshtet, çka vlerësohet si totalisht e pamjaftueshme. Deri tani në godinat shkollore janë kryer disa meremetime dhe lyerje e mjediseve.
Edhe gjatë viteve të kaluara, problemet e higjienës kanë qenë prezente në shkolla, kopshte e konvikte, ndërsa fondet për ndërhyrje në këto godina vit pas viti rrudhen.